Protesta masive në Izrael kundër tkurrjes së kompetencave të gjyqësorit

Bota

Protesta masive në Izrael kundër tkurrjes së kompetencave të gjyqësorit

Më: 25 shkurt 2023 Në ora: 21:29
Foto nga vendi i ngjarjes

Dhjetëra-mijëra izraelitë protestuan të shtunën kundër planeve të qeverisë së ekstremit të djathtë për të bërë ndryshime të thella në sistemin ligjor, tre ditë pasi parlamenti miratoi një projekt-ligj që do t'u mundësonte ligjvënësve të rrëzonin vendime të Gjykatës së Lartë me një shumicë të thjeshtë.

Miratimi i projekt-ligjit në një votim paraprak në Knesset ishte hapi i fundit i koalicionit qeverisës të Benjamin Netanjahut drejt realizimit të ndryshimeve në gjyqësor që po vazhdon, pavarësisht thirrjeve për dialog dhe konsensus nga hebrenjtë amerikanë dhe presidenti i Izraelit, dhe protestat masive javore.

Përveç dobësimit të gjykatës më të lartë të vendit, protestuesit thonë se ndryshimet e propozuara kërcënojnë vlerat demokratike të Izraelit dhe përqendrojnë pushtetin tek koalicioni qeverisës në parlament. Zoti Netanjahu dhe koalicioni i tij qeverisës besojnë se gjykata ka pasur pushtet të pakontrolluar prej vitesh.

Protestat javore janë intensifikuar gjatë tetë javëve dhe sektorë të mëdhenj të shoqërisë dhe bizneseve izraelite u janë bashkuar atyre. Të shtunën, protesta kryesore u zhvillua në Tel Aviv dhe demonstrate të shumta më të vogla u mbajtën në të gjithë vendin.

Protestuesit mbanin flamuj izraelitë, flamurë dhe postera me mesazhe të ndryshme kundër ndryshimeve në kompetencat e gjyqësorit. “Pa Kushtetutë, nuk ka Demokraci”, thuhej në një pankartë. Disa demonstrues qëndruan pas një pankarte ku shkruhej "Ato nuk do të miratohen" dhe "Ne do të triumfojmë”, duke iu referuar votimit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat