Gjermania i dërgon Ukrainës ndihmë ushtarake me vlerë 3 miliardë dollarë

Bota

Gjermania i dërgon Ukrainës ndihmë ushtarake me vlerë 3 miliardë dollarë

Më: 13 maj 2023 Në ora: 18:05
Foto ilustrim

Gjermania njoftoi të shtunën se do të dërgojë gati 3 miliardë dollarë ndihmë shtesë për Ukrainën, paketën e saj më të madhe të ndihmës ushtarake që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e bëri njoftimin duke përsëritur mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të vendit për Kievin.

“Ne të gjithë dëshirojmë një fund të shpejtë të kësaj lufte të tmerrshme të zhvilluar nga Rusia kundër popullit ukrainas, e cila është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Për fat të keq, kjo nuk po duket ende në horizont. Një paketë e re ndihme nga Gjermania me vlerë 2.9 miliardë dollarë është miratuar”, tha ai, duke shtuar se ndihma përfshin 30 tanke shtesë Leopard, 100 automjete të blinduara, 15 sisteme shtesë kundërajrore Gephard, 20 automjete luftarake të këmbësorisë Marder dhe 200 dronë”, tha Pistorius, sipas CNN.

Andriy Yermak, kreu i zyrës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, konfirmoi transaksionin në një postim në Telegram.

Gjermania tregoi ngurrim fillestar për të dorëzuar tanke në Ukrainë, por ra dakord në janar për dorëzimin e tankeve Leopard 2. Për më tepër, Gjermania ra dakord të dërgonte 50 sisteme anti-ajrore Gephard në prill.

Ndërkohë, kompania gjermane Rheinmetall ka ofruar të ndërtojë tankun e saj të ri Panther KF51 për Ukrainën dhe thuhet se po shqyrton mundësinë e krijimit të një fabrike tankesh në Ukrainë.

“Ne po flasim me Kievin për eksportimin e Panterës”, tha CEO i Rheinmetall, Armin Papperger për gazetën gjermane Handelsblatt.

Mediat gjermane raportuan se Zelensky, i cili u takua me kryeministren italiane Giorgia Meloni në Romë të shtunën, do të udhëtojë në Berlin më vonë këtë fundjavë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat