Turqia thotë se i “neutralizoi” 26 militantë në Siri, dy në Turqi

Bota

Turqia thotë se i “neutralizoi” 26 militantë në Siri, dy në Turqi

Më: 6 tetor 2023 Në ora: 22:24
Tym i zi në qytetin e Sirisë verilindore, Qamishli, i cili kontrollohet nga kurdët, 5 tetor 2023.

Forcat e Sigurisë të Turqisë i vazhduan tw premten sulmet ndaj militantëve kurdë në veri të Sirisë dhe në lindje të Turqisë, njoftuan autoritetet turke.

Ankaraja tha se do të vazhdojë t’i shkatërrojë resurset e tyre nëpër rajon, duke e përshkallëzuar konfliktin gati një javë pas sulmit me bombë në afërsi të Parlamentit turk në Ankara.

Ushtria i “neutralizoi” 26 militantë kurdë në veri të Sirisë gjatë natës, si hakmarrje për sulmin me raketë ndaj një baze turke, tha Ministria e Mbrojtjes.

Turqia e përdor shprehjen “neutralizim” për të nënkuptuar “vrasje”.

Si pasojë e sulmit me raketë në bazën turke nga milicia kurde e Sirisë u vra një oficer i Policisë së Turqisë dhe u plagosën shtatë policë dhe ushtarë më zonën Dabiq në veri të Sirisë të enjten mbrëma, tha Ankaraja.

Turqia, po ashtu, kreu sulme ajrore dhe i shkatërroi 30 caqe militante në zona tjera në veri të Sirisë, përfshirë një pus nafte, një magazinë dhe mburoja, tha Ministria e Mbrojtjes.

“Siç ka ndodhur në Irak, të gjitha aftësitë dhe burimet e të hyrave të organizatës terroriste në Siri do të vazhdojnë të shkatërrohen në mënyrë sistematike”, tha Ministria e Jashtme turke.

Në Turqi, dy militantët të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PPK) u “neutralizuan” në provincën lindore Agri, gjatë një përleshjeje me njësitë ushtarake të cilat po e kryenin një operacion me ndihmën e një droni dhe një helikopteri, tha ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya.

Ai tha se policia i arrestoi 75 njerëz të dyshuar për lidhje me PPK-në gjatë një operacioni në 11 provinca.

PPK-ja e mori përgjegjësinë për sulmin me bombë të së dielës në Ankara, ku u vranë të dy sulmuesit dhe u plagosën dy oficerë të policisë.

Turqia tha se sulmuesit erdhën nga Siria, por kjo u mohua nga forcat siriane./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat