SHBA godet përsëri rebelët e lëvizjes Houthi në Jemen

Bota

SHBA godet përsëri rebelët e lëvizjes Houthi në Jemen

Më: 13 janar 2024 Në ora: 15:21
Destrojeri amerikan USS Carney gjatë lundrimit në Mesdhe në vitin 2018

Shtetet e Bashkuara ndërmorën një tjetër sulm kundër rebelëve Houthi në Jemen të shtunën herët, pasi zyrtarët thanë se nuk ishin të kënaqur me dëmet e shkaktuara gjatë goditjeve paraprake nga ai i së enjtes.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara tha se sulmi i së shtunës u krye nga luftanija USS Carney, nga e cila u lëshuan raketa të telekomanduara të tipit Tomahawk me objektiv shkatërrimin e një qendre radarësh, për të cilën tha se përbënte kërcënim të vazhdueshëm për transportin detar.

Ditë më parë, ushtritë e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe ndërmorën disa sulme ajrore kundër pozicioneve të lëvizjes Houthi në Jemen, pas sulmeve të vazhdueshme të rebelëve që kanë ndërprerë transportin detar dhe kanë dëmtuar anijet që kalojnë transit në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.

Militantët Houthi lëshuan një raketë balistike kundër anijeve herët të premten, konfirmuan zyrtarët ushtarakë amerikanë, megjithëse ajo nuk goditi asnjë mjet transporti detar.

Zyrtarët amerikanë dhe britanikë shprehën optimizëm të premten se sulmet fillestare të enjten vonë, të cilat tani po cilësohen si dy valë sulmesh, ishin të suksesshme.

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës të premten se vlerësimi fillestar tregon se vala e parë e sulmeve të enjten vonë degradoi aftësinë e lëvizjes Houthi për të ndërmarrë sulme të mëtejshme.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se ende vazhdonte një vlerësim më gjithëpërfshirës për sulmet. Më herët, zyrtarë të lartë amerikanë thanë se sulmet kishin dëmtuar ndjeshëm aftësitë e rebelëve.

“Ndihemi shumë të sigurtë për objektivat ku goditën municionet tona”, tha për median të premten Gjenerali Douglas Sims. “Aktualisht ende nuk e dimë vlerësimin përfundimtar të dëmeve të shkaktuara”.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara tha të enjten vonë se avionët luftarakë, anijet detare dhe nëndetëset amerikane goditën më shumë se 60 objektiva në 16 zona në të kontrolluara nga lëvizja Houthi, përfshirë nyje të komandës dhe kontrollit, depot e municioneve, sistemet e lëshimit të mjeteve ajrore dhe objektet e prodhimit.

Gjenerali Sims tha të premten se SHBA dhe Britania ndërmorën një valë të dytë sulmesh kundër 12 zonave të tjera rreth 30 deri një orë pas sulmeve fillestare.

Në nëntor Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se po shqyrtonte mundësinë për ripërcaktimin e grupit të rebelëve Houthi si një organizatë terroriste, ndërsa ata filluan të godasin anijet civile. Administrata Biden e hoqi zyrtarisht këtë grup nga lista e "organizatave terroriste të huaja" apo "terroristë të përcaktuar globalisht" në vitin 2021, duke zhbërë një masë të Presidentit Donald Trump.

Gjeneral lejtnant Douglas Sims, tha se sulmet e reja amerikane ishin kryer përgjithësisht në zona me popullsi të vogël dhe se numri i të vrarëve sipas tij nuk do të ishte i lartë. Ai tha se sulmet goditën armatimet, radarët dhe vendndodhjet e grupit, përfshirë zonat e thella malore./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat