Forumi i Davosit, dezinformimi rreziku më i madh global në vitin 2024

Bota

Forumi i Davosit, dezinformimi rreziku më i madh global në vitin 2024

Më: 14 janar 2024 Në ora: 21:19
Foto ilustrim

Më shumë se gjashtëdhjetë udhëheqës botërorë e qindra drejtues biznesi dhe aktivistë, do të mblidhen bashkë në vendpushimin zviceran të skive në Davos, për takimin vjetor pesëditor në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, që nis ditën e hënë. Në axhendën e takimit të këtij viti, përfshihen disa nga sfidat më të mëdha globale, mes tyre ndikimi i dezinformimit në mbarë botën.

Pjesëmarrësit në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, do të trajtojnë një gamë sfidash globale shqetësuese, siç janë përkeqësimi i konflikteve, i ndryshimeve klimatike, çështje që lidhen me një ekonomi të dobët globale, frika mbi inteligjencën artificiale, apo sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Në raportin e botuar të mërkurën, organizatorët e takimit të nivelit të lartë, thanë se dezinformimi është rreziku më i madh, afatshkurtër.

“Ndikimi i mundshëm në zgjedhjet në mbarë botën gjatë dy viteve të ardhshme është i rëndësishëm dhe kjo mund të çojë tek vënia në pikëpyetje e legjitimitetit të qeverive të zgjedhura. Nga ana tjetër, kjo mund të kërcënojë, proceset demokratike që çojnë në një polarizim të mëtejshëm social, në trazira, greva apo edhe dhunë brenda shtetit”, thotë ekspertja mbi çështje të sigurisë në kompaninë ‘Marsh McLennan Risk Consultancy”, Carolina Klint.

Takimi mbahet në sfondin e dy luftërave të mëdha, në Ukrainë dhe Rripin e Gazës.

Në mesin e atyre që do të shkojnë në Davos janë Presidenti izraelit Isaac Herzog, ai ukrainas Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri kinez Li Qiang dhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Krahas udhëheqësve politikë, në takim do të marrin pjesë me qindra drejtues ekzekutivë të kompanive më të fuqishme në botë. Kritikët thonë se pasuria e tyre është rritur, ndërsa me miliarda vetë po varfërohen më tej.

“Në të gjithë botën njerëzit po ndjejnë vështirësi të jashtëzakonshme, ndërsa në të njëjtën kohë ka disa që ngjiten gjithnjë e më lart. Disa prej tyre do të jenë në Davos. Sigurisht që forumi është një hapësirë për dialog, për diskutime të rëndësishme, madje edhe për të kërkuar llogari nga udhëheqësit politikë dhe të biznesit dhe kjo është arsyeja pse organizata si Oxfam-i marrin pjesë. Por duhet thënë gjithashtu se nuk është një hapësirë ndërkombëtare, demokratike, në të cilën merren vendime transparente dhe të përgjegjshme”, thotë Nabil Ahmed, përfaqësues i organizatës Oxfam International, një lëvizje globale e njerëzve që luftojnë pabarazinë me synimin për t’i dhënë fund varfërisë dhe padrejtësive.

Organizatorët e forumit thonë se është jetike që udhëheqësit politikë e të biznesit të bëhen bashkë për të gjetur zgjidhje për sfidat e panumërta me të cilat përballet bota sot./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat