LIVE: Flet Putin nëse është e rrezikuar Polonia dhe Letonia nga pushtimi rus/ Gjermania vjen me një paralajmërim!

Bota

LIVE: Flet Putin nëse është e rrezikuar Polonia dhe Letonia nga pushtimi rus/ Gjermania vjen me një paralajmërim!

Nga: Bota sot Më: 10 shkurt 2024 Në ora: 06:27 Përditësuar në ora: 23:45 më 10.02.2024
Foto ilustrim

Kremlini: Në Uashington janë të vetëdijshëm për mesazhet e Putinit

Autoritetet amerikane janë të vetëdijshme për të gjitha mesazhet kryesore të Vladimir Putinit, por aktualisht nuk ka as dëshirë dhe as vullnet politik për të zhvilluar negociata nga ana e SHBA-së, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

“Autoritetet amerikane janë të vetëdijshme për pozicionin tonë, ata janë të vetëdijshëm për të gjitha mesazhet kryesore të Putinit,” tha Peskov, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse intervista e Putinit për Tucker Carlson do të ndihmojë në përcjelljen e qëndrimit të Moskës në Uashington.

“Ata janë të vetëdijshëm se si ai trajton çështje të ndryshme dhe çfarë ai bën. Kjo nuk është një çështje dijeje, por një çështje dëshire. Një dëshirë për të bërë diçka për të hyrë në rrugën e negociatave. Deri më tani, ne nuk kemi ka regjistruar një dëshirë dhe vullnet të tillë në SHBA”, nënvizoi Peskov.

Intervista e Putinit për Tucker Carlson u publikua më 9 shkurt. Një pjesë e rëndësishme e bisedës dy-orëshe iu kushtua konfliktit të Ukrainës, marrëdhënieve të Rusisë me SHBA-në, NATO-n dhe Perëndimin në përgjithësi.

Paralajmërimi tjetër i Gjermanisë: Rusia mund ta sulmojë NATO-n, këto janë vendet që do ta pësonin të parat

Kreu i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Christoph Heusgen tha se nuk mund të përjashtohet një sulm rus ndaj një vendi anëtarë të NATO-s.

I pyetur nëse mendonte se presidenti rus Vladimir Putin mund të urdhëronte një sulm të tillë, Heusgen nuk e përjashtoi mundësinë që ai të bënte një veprim të tillë.

“Natyrisht. Putini në fund të fundit ka thënë vazhdimisht se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe e shekullit të 20-të, sepse rezultoi në bllokimin e shumë rusëve jashtë kufijve të Rusisë”, deklaroi ai.

Heusgen deklaroi gjithashtu se Putini synonte të rikthente Rusinë e Madhe me të gjithë kufijtë e Bashkimit Sovjetik.

“Nëse Putini nuk e humb luftën në Ukrainë, ne duhet të kemi parasysh se ai mund të me pushtimin e Moldavisë ose vendeve baltike”, theksoi ai.

Paralajmërime të shumta ka pasur për një kërcënim të mundshëm rus ndaj vendeve të NATO-s.

A është e rrezikuar Polonia dhe Letonia nga një pushtim rus, çfarë thotë Putin?

Gjatë një interviste me gazetarin amerikan Tucker Carlson, presidenti rus Vladimir Putin tha se ai nuk kishte “ndonjë interes” për ta sulmuar Poloninë apo Letoninë duke thënë se do ta bënte këtë vetëm njëra prej vendeve do ta sulmonte Rusinë.

“Është kundër sensit të përbashkët të përfshihesh në një lloj lufte globale dhe një luftë globale do ta çojë gjithë njerëzimin në prag të shkatërrimit. Është e qartë”, deklaroi Putin.

Sidoqoftë, kujtojmë se në janar të vitit 2022 Putin deklaroi se nuk kishte plane për ta pushtuar Ukrainën, vetëm disa ditë para se të mobilizonte tanke dhe trupa afër kufirit me Ukrainën.

Putin për herë të parë u intervistua nga një gazetar perëndimor qëkur nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022.

Ai arsyetoi pushtimin e Ukrainës duke dhënë leksione historie.

Presidenti rus gjithashtu foli edhe për raportet SHBA-Rusi, derisa deklaroi se kjo e fundit ka kërkuar të normalizojë marrëdhëniet mes të dyja vendeve.

Putin kujtoi një bisedë që kishte pasur me presidentin amerikan Bill Klinton për të konsideruar anëtarësimin e Rusisë në NATO.

Ekspertët: SHBA dhe Gjermania të gjejnë mënyra alternative për të ndihmuar Ukrainën

Senati amerikan do të shqyrtojë një paketë ndihme urgjente për Ukrainën, Izraelin, Tajvanin dhe aleatët e tjerë, por fati i ndihmave për Ukrainën është i pasigurt në Dhomën e Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët, me ish-presidentin Donald Trump që e kundërshton atë. Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz ishte në Shtëpinë e Bardhë të premten për të diskutuar në lidhje me ndihmat për Ukrainën.

Rusia vijon të godasë Kievin dhe qytete të tjera të Ukrainës me raketa dhe dronë, ndërsa si qëllim ka të shkaktojë dëme në infrastrukturën jetike të vendit. Së fundmi një sulm me dron në qytetin ukrainas të Kharkivit shkaktoi vrasjes e 7 personave, përfshirë tre fëmijë të vegjël.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy të premten i dha urdhrin “Ylli i Artë”, nderimi më i lartë i vendit, ish-shefit të ushtrisë Valerii Zaluzhnyi. Ceremonia ndodhi një ditë pasi zoti Zelenskyy e zëvendësoi atë.

Në Uashington, Presidenti Joe Biden u takua të premten me kancelarin gjerman Olaf Scholz; një vizitë kjo që në qendër të axhendës kishte ndihmat ushtarake për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë dy donatorët kryesorë të ndihmës ushtarake për Ukrainën. Ndihmat amerikane janë bllokuar për javë të tëra nga Kongresi, për shkak të kundërshtisë në mesin e shumë ligjvënësve republikanë.

“Dështimi i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, nëse ndodh, që të mos mbështesë Ukrainën, është gati gati një neglizhencës kriminale dhe kjo është e turpshme”, tha ai.

Zëri i Amerikës pyeti te enjten Departamentin e Shtetit nëse SHBA-ja mund të vazhdojë të japë ndihmë për Ukrainën ndërsa Kongresi mban të bllokuar paketën e ndihmave.

“Nuk ka një mënyrë magjike për të siguruar paratë. Nuk ka alternativë tjetër kur bëhet fjalë për këtë çështje. Dhe kjo është arsyeja pse ju e keni parë këtë administratë të mbrojë me forcë projektligjin që parasheh financim shtesë e që u bë publik gjatë fundjavës së kaluar”, tha Vedant Patel, Zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se kancelari Scholz dhe presidenti Biden mund të gjejnë mënyra të tjera kur vjen puna për të ndihmuar Ukrainën.

“Ndoshta Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara mund të mendojnë në mënyrë krijuese për t’i dhënë një përgjigje këtij shqetësimi. Për shembull, nëse Gjermania ka para dhe Shtetet e Bashkuara kanë municione mund të ketë mënyra për të ndihmuar Ukrainën, edhe pa miratimin e ndihmave nga Kongresi. Mund të ketë kanale të tjera dhe mekanizma të tjerë”, thotë Michael Kimmage, nga Universiteti Katolik i Amerikës.

Në Shtëpinë e Bardhë, kancelari gjerman po ashtu komentoi intervistën e ish-prezantuesit të Fox News, Tucker Carlson në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, duke e quajtur atë “qesharake”. Ai e quajti një mashtrim rrëfimin e zotit Putin mbi zanafillën e luftës në Ukrainë dhe tha se arsyeja e vetme për të cilën presidenti rus e nisi ishte pushtimi i territorit./VOA

Lufta me Rusinë mund të nisë nga ky korridor në Evropë dhe brenda pesë vjetëve, thonë ekspertët

Ministri danez i Mbrojtjes, Troel Lunn Poulsen ka thënë se një konflikt ushtarak midis NATO-s mund të fillojë deri në pesë vjetët e ardhshme.

“Nuk mund të përjashtohet që brenda tre deri në pesë vjet Rusia të provokojë nenin e pestë të NATO-s dhe solidaritetin e aleancës”, deklaroi zyrtari danez, duke shtuar se Kremlini “ka një dëshirë për ta bërë këtë”.

Sipas tij, Danimarka nuk ka gjasa së sulmohet drejtpërdrejt, por mund të përballet me kërcënimin e sulmeve hibride nga Rusia.

Javëve të fundit ka pasur paralajmërime të shumta për një konflikt të mundshëm nga Rusia.

Një zyrtar gjerman paralajmëroi se një konflikt me Rusinë mund të fillojë brenda një dekade. Por, ky nuk ishte alarmi i vetëm, pasi edhe një zyrtar i NATO-s deklaroi se mund të ndodhë një luftë gjithëpërfshirëse me Rusinë.

Duke mos u mjaftuar këto dy parlajmërime nga këto dy vende evropiane, shqetësime të tilla të ngjashme janë ngritur edhe nga Britania e Madhe.

Siç raportohet, konflikti mund të nisë nga korridori Suwalki, midis Bjellorusisë dhe Kaliningradit (koloni ruse).

Çfarë dimë për këtë korridor?

Korridori Suwalki është një brez toke prej 60 deri në 100 kilometra, nga të tria anët ky korridor kufizohet me Bjellorusinë, Lituaninë dhe Poloninë dhe rruga çon deri tek kolonia ruse, Kaliningrad.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Moska u përpoq të siguronte një kalim në anën polake të korridorit për në territorin e saj të sapo ndarë.

Përpjekja ishte e pasuksesshme. Në vend të kësaj, Rusia negocioi marrëveshje me BE-në për të siguruar transitin e qytetarëve dhe mallrave rusë përmes Lituanisë.

Siç raportohet, ekspertët e kanë përshkruar këtë korridor si “Thembra e Akilit”, “Pika më e dobët”, apo edhe “Vendi më i rrezikshëm në tokë”.

Qeveria ukrainase shkarkon zëvendësministrin e Mbrojtjes

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Ukrainës Oleksandr Pavlyuk, është shkarkuar nga pozita, ka njoftuar Qeveria më 10 shkurt.

Ky është një tjetër vendim i marrë prej autoriteteve ukrainase teksa ristrukturojnë udhëheqësinë, meqë presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky beson se ushtrisë i duhen ndryshime.

Vendimi është bërë i ditur në Telegram prej Taras Melnychukut, përfaqësuesit qeveritar në Parlamentin e Ukrainës, i cili ka thënë se Pavlyuk është transferuar në një tjetër pozitë, por pa dhënë më shumë hollësi.

Melnychuk nuk ka treguar se kush do të emërohet në pozitën që e ka pasur Pavlyuk.

Më 9 shkurt, Zelensky e ka emëruar gjeneralin Anatoliy Barhilevych si udhëheqës të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, pasi e ka emëruar gjeneralin Oleksandr Syrskiy si komandant të përgjithshëm ushtarak.

Zelenskiy e ka përshkruar Barhilevychin si “individ me përvojë, i cili e kupton detyrën e luftës dhe objektivat e luftës”.

Presidenti ukrainas ka thënë, po ashtu, se Syrskiy i ka identifikuar kandidatët për pozitat e ndihmësve të tij, mirëpo nuk ua ka përmendur emrat, vetëm ka thënë se kanë përvojë në ushtri dhe i kanë të qarta nevojat e ushtarëve ukrainas.

Syrskyi konsiderohet arkitekt i fitores më të rëndësishme të Ukrainës në luftë, i kundërofensivës në rajonin lindor të Harkivit, në shtator të vitit 2022, duke i larguar forcat ushtarake ruse prej qyteteve Kupjansk dhe Izjum.

Ndryshimet në kokën e ushtrisë ukrainase vijnë në një kohë të rëndësishme për Ukrainën, e cila ka dështuar të rikthejë pjesë të mëdha të territorit, të zaptuara prej Rusisë, pas nisjes së luftës, në shkurt të vitit 2022.

Për më shumë, Kievi mund të përballet me ndalje të ndihmës ushtarake prej Shteteve të Bashkuara, mbështetëseve më të mëdha, pasi ligjvënësit republikanë e kanë bllokuar një paketë ndihme, në vlerë të 61 miliardë dollarëve, meqë kërkojnë më shumë ndryshime në politikat e SHBA-së për migrimin./rel

Lufta në Ukrainë, 8 viktima nga sulmet ruse në Harkiv

Të paktën tetë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur të shtunën në Ukrainë, si pasojë e sulmeve të reja ruse me dronë.

Autoritetet ushtarake ukrainase kanë raportuar edhe për dëme në një port shumë të rëndësishëm për eksportin e mallrave ushqimore të Ukrainës. Sulmet me dronë në qytetin lindor të Ukrainës – Harkiv – kanë lënë të vrarë shtatë persona, përfshirë tre fëmijë.

Kryeprokurori i Harkivit, Oleksandr Filchakov, ka thënë në Telegram se tre dronë e kanë goditur një stacion gazi. Kryetari i Harkivit Ihor Terekhov, ka thënë se nafta e rrjedhur prej sulmit ua ka vënë flakën shtëpive në afërsi, dhe rreth 50 persona janë evakuuar.

Në rajonin e Hersonit, trupat ushtarake ruse kanë bombarduar fshatin Veletekske, duke e vrarë një grua dhe duke ia plagosur prindërit. Në rajonin e Odesas, katër persona janë plagosur si pasojë e sulmeve me dronë rusë. Autoritetet kanë thënë se nëntë dronë të prodhuar prej Iranit, janë lëshuar në qytetin e Odesas, por ata janë rrëzuar prej mbrojtjes ukrainase.

“Mbetjet e një droni të rrëzuar e kanë dëmtuar infrastrukturën në port dhe një punëtor është plagosur”, kanë thënë autoritetet përmes një postimi në Telegram. Ndaras, forca ajrore ukrainase ka raportuar se Rusia i ka nisur 31 dronë në rajonet e Harkivit dhe Odesas, më 10 shkurt.

Sipas saj, mbrojtja ajrore ukrainase i ka rrëzuar 23 të tillë. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Shefi i NATO-s: Nëse Putini fiton në Ukrainë, përhapja e agresionit rus është e mundshme

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Evropës që të rrisë prodhimin e armëve për të mbështetur Ukrainën dhe për të parandaluar “konfrontimin potencial për dekada” me Moskën, në një intervistë të publikuar nga media gjermane më 10 shkurt.

Përpara një takimi kyç të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel dhe përvjetorit të dytë të luftës Rusi-Ukrainë, Jens Stoltenberg këmbënguli se “ne duhet të rindërtojmë dhe zgjerojmë bazën tonë industriale më shpejt, për të rritur dërgesat në Ukrainë dhe për të rimbushur rezervat tona”.

“Kjo do të thotë kalim nga koha e ngadaltë e paqes në prodhimin e konfliktit me ritëm të lartë”, i tha ai të përditshmes gjermane “Welt am Sonntag”.

Komentet e Stoltenbergut erdhën mes lutjeve në rritje për predha, municione dhe ndihma tjera ushtarake nga Ukraina, teksa lufton forcat ruse në vitin e tretë.

Edhe udhëheqësit perëndimorë kanë bërë thirrje për ndihmë më të madhe. Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz dhe presidenti Joe Biden u kërkuan ligjvënësve amerikanë më 9 shkurt që të miratojnë një paketë ndihme ushtarake të vonuar për Ukrainën, duke paralajmëruar se Kievi nuk mund të ndalonte pushtimin e Rusisë pa të.

“Dështimi i Kongresit të Shteteve të Bashkuara për të mos mbështetur Ukrainën i afrohet neglizhencës kriminale”, tha Bideni teksa priti Scholzin në Zyrën Ovale më 9 shkurt.

Stoltenberg tha: “Nuk ka asnjë kërcënim të afërt ushtarak kundër asnjë aleati. Në të njëjtën kohë, ne dëgjojmë kërcënime të rregullta nga Kremlini kundër vendeve të NATO-s”.

Pushtimi rus i Ukrainës për gati dy vjet ka treguar se “paqja në Evropë nuk mund të merret si e mirëqenë”, tha shefi i NATO-s, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së vendeve në aleancë.

“Për sa kohë që investojmë në sigurinë tonë dhe qëndrojmë të bashkuar, do të vazhdojmë të parandalojmë çdo agresion”, tha ai. “NATO nuk kërkon luftë me Rusinë, por ne duhet të përgatitemi për dekada të mundshme konfrontimi”, shtoi ai.

“Ne monitorojmë nga afër se çfarë bën Rusia dhe kemi rritur praninë tonë në pjesën lindore të aleancës”, tha Stoltenberg.

“Nëse Putini fiton në Ukrainë, nuk ka asnjë garanci se agresioni rus nuk do të përhapet më tej. Pra, mbështetja e Ukrainës tani dhe investimi në aftësitë e NATO-s është mbrojtja jonë më e mirë”.

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s do të takohen në Bruksel më 15 shkurt, një javë përpara përvjetorit të dytë të ofensivës së Rusisë në Ukrainë. Një takim i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës do të jetë një tipar kyç i bisedimeve. 

Sunak i quan “qesharake” pretendimet e Putinit se lufta e Rusisë në Ukrainë ishte si rezultat i zgjerimit të NATO-s

Pretendimet e presidentit rus Vladimir Putin, se lufta e Rusisë në Ukrainë ishte si rezultat i zgjerimit të NATO-s, kryeministri britanik Rishi Sunak i qujati “qartësisht qesharake”.

Kjo erdhi pasi Putini në një intervistë me Tucker Carlson, ish-prezantuesin e Fox News, pretendoi se operacioni i ashtuquajtur “ushtarak special” i Moskës në Ukrainë ishte për të mbrojtur rusishtfolësit në Ukrainë dhe për të parandaluar vendin që të mos përbënte një kërcënim për Rusinë duke u bashkuar me NATO-n.

“Rusia kreu një pushtim të paligjshëm dhe të paprovokuar të Ukrainës. Jam krenar që Mbretëria e Bashkuar ka qëndruar fuqishëm me Ukrainën që nga fillimi”, u tha Sunak transmetuesve.

“Ne nuk mund ta lëmë këtë lloj sjelljeje të shkojë pa kontroll. Ajo ndikon në të gjithë sigurinë tonë”, shtoi ai, raporton The Guardian.

“Ne kemi parë tashmë ndikimin që kishte në faturat e energjisë të të gjithëve. Dhe kjo është arsyeja pse ne po punojmë ngushtë, jo vetëm me SHBA-në, por me aleatët në mbarë botën, për t’i dhënë Ukrainës mbështetjen që i nevojitet për aq kohë sa duhet për të zmbrapsur pushtimin rus”.

Presidenti Biden takohet me kancelarin gjerman, diskutojnë mbi Ukrainën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden tha se Kongresi do të ishte përgjegjës nëse do të dështonte të miratonte paketën financiare në ndihmë të Ukrainës dhe falënderoi të premten kancelarin gjerman Olaf Scholz për udhëheqjen e tij për të siguruar ndihmën ushtarake të Gjermanisë për Kievin.

Zoti Scholz, i cili po qëndron në Uashington për të mbështetur përpjekjet e Presidentit Biden për të siguruar fondet për Kievin, u takua me Presidentin në Shtëpinë e Bardhë, për të diskutuar mbi agresionin rus ndaj Ukrainës si dhe krizën në Lindjen e Mesme.

Zoti Scholz tha se ishte i kënaqur që Evropa kishte marrë vendimin për të ofruar mbështetjen financiare për Ukrainën. “Po ashtu, Gjermania ishte e gatshme të rriste mbështetjen e saj për furnizimin me armatime. Shpresoj se Kongresi, Dhoma e Përfaqësuesve do t’u përkahë dhe do të vendos për ofrimin e mbështetjes së nevojshme”, shtoi ai.

Senati amerikan ra dakort të enjten të propozojë një paketë të re ndihmash prej 95 miliardë dollarësh.

Propozimi përmban 60 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën dhe 14 miliardë dollarë ndihma për Izraelin.

Zoti Scholz tha për gazetarët se Presidenti Putin “kishte treguar me detaje një histori plotësisht absurde për origjinën e luftës së tij”, gjatë intervistës me ish-prezantuesin e kanalit Fox News, Tucker Carlson, e cila u bë publike të enjten.

“Ka një arsye të qartë, dhe ajo është dëshira e Presidentit të Rusisë për të aneksuar pjesë të Ukrainës”, tha ai.

I pyetur rreth sugjerimit të zotit Putin për shkëmbimin e të burgosurve, gazetarit të ‘Wall Street Journal’, Evan Gershkovich i cili mbahet në burg në Rusi prej afro një viti, me Vadim Krasikov, të cilin një gjykatë gjermane e shpalli fajtor për vrasjen e një ish udhëheqësi kryengritës çeçen në Berlin, zoti Scholz tha se këtë çështje nuk duhet të diskutoheshin publikisht.

Javën e kaluar,Bashkimi Evropian miratoi një paketë ndihme 4-vjeçare me vlerë 50 miliardë euro për Ukrainën

Ukraina, e cila synon të anëtarësohet në NATO, mbështetet tek vendet perëndimore për ndihmën ushtarake dhe financiare.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha të enjten se Presidenti Biden dhe kancelari Scholz gjithashtu ka të ngjarë të diskutojnë situatën në Gazë dhe kërcënimet nga rebelët Houthi ndaj anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat