BE-ja dhe dhjetëra vende bëjnë thirrje për hetimin e vdekjes së Navalnyt

Bota

BE-ja dhe dhjetëra vende bëjnë thirrje për hetimin e vdekjes së Navalnyt

Më: 4 mars 2024 Në ora: 15:59
Njerëzit vendosin lule te varri i politikanit rus, Alexei Navalny, pas varrosjes së tij në varrezat Borisovskoye në Moskë, Rusi, 1 mars 2024.

Më shumë se 40 vende i kanë përsëritur thirrjet të hënën për Rusinë që ta lejojë një hetim të pavarur ndërkombëtar për vdekjen e liderit opozitar rus në burg, Alexei Navalny.

Kjo thirrje u bë nga ambasadorja e Bashkimit Evropian (BE) në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, Lotte Knudsen, në emër të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe 16 vendeve të tjera, përfshirë Kanadanë, Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën.

“Ne jemi të zemëruar me vdekjen e politikanit rus, Alexei Navalny, për të cilën përgjegjësinë kryesore e kanë presidenti [Vladimir] Putin dhe autoritetet ruse”, tha Knudsen.

“Rusia duhet patjetër të lejojë hetim të pavarur dhe transparent ndërkombëtar të rrethanave të vdekjes së tij të papritur”, shtoi ajo.

Navalny, kritiku më i madh dhe i zëshëm i presidentit Putin brenda Rusisë, vdiq në moshën 47-vjeçare në një burg në Arktik më 16 shkurt, duke nxitur akuza nga mbështetësit e tij se ai është vrarë.

Kremlini e ka mohuar se ka gisht në vdekjen e liderit opozitar, i cili u varros të premten në Moskë.

Komiteti Hetues i Rusisë thotë se e ka nisur një hetim procedural për vdekjen e Navalnyt, ndërsa Kremlini ka thënë se nuk i përgjigjet kërkesave të BE-së./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat