Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë Izraelin kundër një ofensive tokësore në Rafah

Bota

Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë Izraelin kundër një ofensive tokësore në Rafah

Më: 27 mars 2024 Në ora: 16:31
Foto nga takimi

Zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Joe Biden i bën thirrje ministrit izraelit të mbrojtjes Yoav Gallant që të heqë dorë nga planet për të pushtuar qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku mbi 1.4 milionë civilë palestinezë kanë gjetur strehim. Kërkesa amerikane vjen në një kohë tensionesh në marrëdhëniet SHBA-Izrael lidhur me veprimet e Izraelit në luftën tashmë gjashtë mujore kundër militantëve të Hamasit.

Të paktën 16 vetë u vranë në një sulm ajror izraelit në një ndërtesë banimi në Rafah të hënën, ndërsa Izraeli vazhdon fushatën e tij të sulmeve ajrore në qytetin jugor të Rripit të Gazës.

Udhëheqësit izraelitë duan të zgjerojnë operacionet në Rafah, duke përfshirë një ofensivë me trupa tokësore, por zyrtarët e lartë amerikanë janë kundër një veprimi të tillë.

“Siguria e mbi 1.5 milionë civilëve palestinezë në Rafah është gjithashtu një përparësi për Shtetet e Bashkuara. Ne vazhdojmë të mbështesim objektivin për mposhtjen e Hamasit. Kështu që ne do të diskutojmë mbi qasjet alternative për eliminimin e militantëve të Hamasit”, tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.

Në një takim me Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant dje në Pentagon, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin i bëri thirrje Izraelit që të lejojë hyrjen e më shumë ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, ku civilët po përballen me mungesa të mëdha ushqimore. Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant e mori mesazhin e Shteteve të Bashkuara mbi ndihmat humanitare dhe operacionet ushtarake në Rafah edhe nga zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Antony Blinken dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare Jake Sullivan.

Nuk është e qartë nëse Izraeli do të respektojë kërkesat amerikane. Zoti Gallant tha se ai kishte kërkuar një përshpejtim të dërgesave amerikane me armë për Izraelin.

“Ne gjithashtu do të diskutojmë për çështjet strategjike dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve tona për të siguruar ruajtjen e avantazhit ushtarak të ushtrisë së Izraelit”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara i japin Izraelit katër miliardë dollarë në vit në ndihma, nga të cilat Izraeli duhet të përdor 3.3 miliardë dollarë për blerje të armëve amerikane.

“Skenari më i mirë do të ishte që Shtetet e Bashkuara të përdornin ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë, por edhe përmes organizatave shumë-palëshe, për të detyruar një armëpushim”, thotë analisti Brian Finucane nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Shtetet e Bashkuara të hënën përdorën fuqinë e tyre diplomatike përmes abstenimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që i hapi rrugën miratimit të një rezolute, e cila kërkon vendosjen e një armëpushimi të menjëhershëm në Rripin e Gazës dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi.

Por, deri më tani Presidenti Biden nuk ka dhënë sinjale për një gatishmëri të kushtëzimit të ndihmës ushtarake, pavarësisht protestave në të cilat po bëhet thirrje për ndërprerjen e mbështetjes amerikane për Izraelin./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat