Aeroporti i ndërtuar nga Kina në Nepal nxit shqetësime mbi kurthin e borxhit

Bota

Aeroporti i ndërtuar nga Kina në Nepal nxit shqetësime mbi kurthin e borxhit

Më: 21 prill 2024 Në ora: 20:49
Nepal

Një aeroport ndërkombëtar i financuar nga Kina në Nepal u hap më shumë se një vit më parë, por ai ende nuk ka pranuar asnjë fluturim ndërkombëtar. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Wilkins, me shlyerjet e kredisë për aeroportin, që do të nisin së shpejti, analistët shqetësohen se Nepali mund të ketë rënë në një kurth borxhi.

Pokhara në Nepal është një pikë e madhe tërheqëse për turistët që pëlqejnë natyrën. Kërcimet me litarë nga lartësi të larta dhe alpinizmi në Himalaje tërheqë shumë njërëz nga India dhe më largë.

Mënyra e vetme për të arritur në Pokhara më parë ka qenë përmes një fluturimi të planifikuar brenda vendit nga diku tjetër në Nepal. Kështu që, kur një aeroport i ri ndërkombëtar u hap në janar të vitit 2023, nepalezët menduan se biznesi do të merrte një nxitje. Samar Nepali organizon shëtitje me varkë për turistët.

“Që kur u hap aeroporti ynë i ri në Pokhara, nuk ka patur asnjë fluturim ndërkombëtar. Mendoj se fillimi i fluturimeve ndërkombëtare do të rriste biznesin tonë. Qeveria jonë duhet të marrë masa për këtë", thotë ai.

Aeroporti i ri në Pokhara u ndërtua dhe u financua pjesërisht nga Kina. Kredia ishte në plan të paguhej me fitimet e aeroportit. Deri më sot, asnjë fluturim i rregullt ndërkombëtar nuk është realizuar në aeroport dhe numri i pasagjerëve nga fluturimet vendase është më i ulët se sa pritej.

Këshilli i Turizmit në Pokhara thotë se industria kishte lobuar për ndërtimin e aeroportit për dekada.

“Ne shpresojmë që aeroporti ndërkombëtar do të jetë një linjë shpëtimi, jo vetëm për Pokharën dhe rajonin perëndimor, por për të gjithë industrinë e turizmit në Nepal. Ata mendojnë se investimi i tyre do të humbasë”, thotë ai.

Me shlyerjen e kredisë që do të fillojë në vitin 2026, shumë njerëz këtu shqetësohen se Nepali mund të ketë rënë viktimë e të ashtuquajturës "diplomaci e kurthit të borxhit" të Kinës.

Projekte të tjera infrastrukturore kineze në vendet në zhvillim janë vënë nën vëzhgim vitet e fundit për ndërtime me kosto të lartë, cilësi të ulët dhe për largim nga vendet që supozohet se do të përfitonin nga nivele të larta borxhi.

Por ambasada kineze e quajti akuzën e kurthit të borxhit një përpjekje për të rrezikuar bashkëpunimin e Kinës me vendet e tjera në zhvillim.

Ajo tha se aeroporti pati më shumë mbërritje të pasagjerëve vitin e kaluar sesa para pandemisë.

Një ekspert i çështjeve të jashtme thotë se Nepali po bëhet gjithnjë e më i kujdesshëm ndaj projekteve të infrastrukturës të financuara nga Kina dhe po përpiqet të tërheqë investime nga vende të tjera.

“Banka Botërore është e gatshme të financojë projektet tona të infrastrukturës. Bankat evropiane janë gati të financojnë. Japonia, ndonjëherë heq dorë nga kredia pas pesë apo dhjetë vjetësh”, thotë Vijay Kant Karna nga Qendra për Novacion Social dhe Politikën e Jashtme.

Pronarët e bizneseve në Pokhara shpresojnë se Kina dhe India të fillojnë fluturimet me më shumë turistë drejt qytetit të tyre së shpejti. Ndërkohë, politikanët në Nepal, thuhet se po negociojnë me Kinën për të parë nëse ajo do të heqë dorë nga kredia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat