Detaje nga telefonata Trump-Putin që zgjati 50 minuta, ja çfarë u bisedua

Bota

Detaje nga telefonata Trump-Putin që zgjati 50 minuta, ja çfarë u bisedua

Më: 28 janar 2017 Në ora: 17:21
Presidenti amerikan Donald Trump, duke biseduar në telefon me homologun e tij rus Vladimir Putin

(E plotësuar) - Telefonata e shumëpritur u krye. Donald Trump dhe Vladimir Putin folën me njëri-tjetrin për 50 minuta pasditen e së shtunës.

Komunikimi i parë mes dy Presidentëve, që nuk i kanë kursyer lavdet për njëri-tjetrin është interpretuar si “embrioni i ndërtimit të marrëdhënieve të reja mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”.

Lajmin për kryerjen e telefonatës e ka shpërndarë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, jo nga foltorja e zakonshme, por përmes platformës së preferuar të shefit të tij, Twitter-it.

“Pas bisedës prej 45 minuta me Angela Merkel, Presidenti i Shteteve të Bashkuara është duke realizuar telefonatën e tretë nga pesë të tilla me krerët botërorë, me Presidentin rus, Putin”, shkruan ai, duke e shoqëruar këtë me një foto ku me telefon në vesh është Donald Trump në prani të zëvendësit të tij, Mike Pence dhe anëtarë të tjerë të stafit.

Telefonata është mirëpritur në Rusi, ndërsa në SHBA dhe Europë kritikët e politikave të Putinit janë në ankth. Ata i tremben mundësisë që Trump të braktisë zotimet e Shteteve të Bashkuara në kuadër të NATO-s dhe jo pa shkak.

Image

Trump dhe Putin - bisedojnë me telefon

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, pritet që më vonë gjatë ditës së sotme të bisedojnë me telefon.

Kjo do të ishte biseda e parë prej inaugurimit të zotit Trump dhe hapi i parë në ndryshimin e madh potencial në raportet ndërmjet ish-dy armiqve të Luftës së Ftohtë.

Biseda e planifikuar telefonike, e konfirmuar në Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini, bëhet në periudhën e raporteve në Uashington se Trump po e shqyrton mundësinë e tërheqjes së sanksioneve të imponuara kundër Rusisë, nga paraardhësi i tij, Barack Obama, për shkak të rolit të Rusisë në Ukrainë dhe për shkak të ndërhyrjes së Moskës gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane, nëpërmjet sulmeve kibernetike.

“Sa u përketë sanksioneve, është shumë herët të flitet për këtë”, u tha dje Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Por më vonë gjatë ditës, zoti Trump është shprehur më ndryshe, pasi u tha gazetarëve në Uashington se “ne do të shohim se çka do të ndodhë”.

Gjatë fushatës së tij, Donald Trump e ka lavdëruar presidentin Putin dhe ka shfaqur shpresë për marrëdhënie të përmirësuara me Rusinë, të cilat ishin përkeqësuar rëndë për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Moskës, për shkak të mbështetjes së separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës dhe intervenimit ushtarak në Siri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat