Deklaratë e papërgjegjshme dhe antishqiptare!

Diaspora

Deklaratë e papërgjegjshme dhe antishqiptare!

Më: 1 mars 2021 Në ora: 13:36
Foto ilustrim

Duke marrë shkas nga deklarata e të ashtuquajturit Ministër i Diasporës në Qeverinë e Republikës së Shqiperisë, Pandeli Majko, i cili deklaroi se çështja e Bashkimit Kombëtar duhet të mbyllet përfundimisht.
Mërgata Shqiptare në Botë e dënon ashpër këtë deklaratë të papërgjegjshme dhe antishqiptare!

Shqiptarizmi është përballur me idenë e varrosjes përgjithmonë të idesë së Bashkimit Kombëtare nga armiqt e betuar të Kombit tonë, por asnjëherë nuk pritej që një ministër i Qeverisë Shqiptare, madje edhe ish-Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, të bëjë një deklaratë të tillë.

Do të donim që kjo deklaratë të ishte deklaratë e një individi të papërgjegjshëm, por fatkeqësisht, Pandeli Majko e ka bërë këtë deklaratë si përfaqësues i Qeverisë Shqiptare, gjë që tregon qart se kjo është një përpjekje e Qeverisë të cilën ai përfaqëson dhe jo thjesht një lajthitje e momentit. Deklarata e tij është përsëritje e një seri deklaratash që padroni i tij në rolin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë disa herë nëpër forume ndërkombëtare, kryesisht kur ka qenë nën shoqërinë e presidentit serb Aleksandar Vuciq, i cili dihet botërisht se është armiku kryesor i Bashkimit tonë Kombëtar.

Mërgata Shqiptare në Botë e sheh të domosdoshme që të reagojë publikisht në lidhje me atë deklaratë antikombëtare, por duhet edhe të theksojmë se Pandeli Majko nuk ka aprovimin, pëlqimin dhe as përkrahjen e Mërgatës që ai të drejtojë një ministri, e cila që në krijimin e saj e deri më sot, nuk ka realizuar as një projekt të vetëm në lidhje me diasporën por vetëm ka shpenzuar taksat e taksapaguesëve shqiptarë për të pasuruar punonjësit e asaj ministrie dhe për të lëvruar tendera korruptive, duke u maskuar pas një shërbimi ndaj Diasporës, i cili rezulton të jetë joekzistues. Me të drejtë shqiptarët taksapagues në Shqipëri janë të revoltuar me Diasporën, duke e bërë fajtore për një pjesë të mirë të taksave të tyre po shkojnë për funksionimin e Ministrisë së Diasporës në një kohë që në Shqipëri populli sflilitet për bukën e gojës. Ata shohin raportet e deklarimit të pasurisë të Ministrit Majko dhe shpurës së tij në atë ministri fallso, dhe, për shtimin marramendës të pasurisë të këtyre gjakpirësve fajtorë bëjnë Diasporën, në një kohë që Diaspora nuk ka asnjë përfitim nga shpenzimet e kësaj ministrie dhe të asnjë institucioni shtetëror të Republikës së Shqipërisë.

Qëllimi i ministrisë së Diasporës, me në krye Pandeli Majkon, është që të jetë në funksion të Qeverisë që e krijoi atë Ministri, për të futur përçarje mes popullsisë që jeton në Shqipëri dhe Diasporë.

Historikisht dhe e vërtetuar me dokumentacionin e kohës, dihet që edhe paraardhësit e tyre në sistemin komunist të Enver Hoxhës në mënyrë të fshehtë e kishin sigurimin e shtetit që e bënte këtë, që sot e bën Ministria e Diaspores. Ata i dërgonin agjentët e sigurimit të maskuar si të arratisur, të cilët arrinin të hynin deri në radhët e drejtuesve të shoqatave, që Diaspora e krijonte për të luftuar regjimin diktatorial të tyre. Informacionet që ata punonjës të sigurimit të shtetit mblidhnin, i shërbenin Qeverisë Komuniste të Enver Hoxhës për të nxitur urrejtje të Shqiptarëve në Shqipëri ndaj Diasporës, gjë që e realizoi me përpikmëri për rreth 50 vjet. I vetmi ndryshim mes atyre ish punonjësve të sigurimit dhe Pandeli Majkos me ministrinë e tij është fakti që këta sot nuk fshihen në veprimtarinë e tyre, madje dalin hapur me deklaratat e tyre antishqipetare, siç bëri Pandeli Majko para disa ditësh.

Mërgata Shqiptare në Botë thekson domosdoshmerinë e dënimit në mënyrë masive dhe të gjithanshme të këtyre përpjekjeve antishqiptare nga Qeveria Shqiptare, e cila me deklarata dhe me veprime po e dëmton deri në mënyrë të pariparueshme çështjen tonë Kombëtare.

I bëjmë thirrje opinionit të gjërë Shqipëtarë që Pandeli Majko të mos pranohet nga askush si ministër i Diasporës por të kërkohet menjëherë largimi i tij nga çdo pozicion ku ai me deklaratat e tij mund të dëmtojë çështjen tonë Kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat