“Do vij të pjek mishin në…”/ Shkatërrohet banda shqiptaro-tuniziane, shiste super-heroinën vdekjeprurëse

Diaspora

“Do vij të pjek mishin në…”/ Shkatërrohet banda shqiptaro-tuniziane, shiste super-heroinën vdekjeprurëse

Më: 21 korrik 2022 Në ora: 06:55
Foto ilustrim

Policia italiane ka shkatërruar një bandë shqiptaro-tuniziane e trafikut të heroinës. Ata merreshin me shitjen e heroinës më vdekjeprurëse, të përpunuar me 6-Mam, një opioid që përmban sasi të lartë të monoacetilmorfinës.

Në operacionin e quajtur ‘Bavaria’ policia italiane zbuloi një grup të gjerë që vepronin në mbarë Evropën ku së bashku me bandën shqiptaro-tuniziane kishin krijuar një fabrikë të vërtetë të paketimit dhe trafikimit të heroinës.

Droga përmbante 6-Mam (6-monoacetilmorfinë) , që është ‘një substancë që rrjedh nga morfina dhe shumë e ngjashme me heroinën, por me efekte më të shpejta dhe më të rënda pasi përftohet duke shtuar një sasi të tepërt të acidit klorhidrik, pra edhe më shumë të rrezikshme për shëndetin”.

Të arrestuarit e bandës shqiptaro-tuniziane janë lënë në burg ku katër prej tyre janë shtetas shqiptarë nga mosha 31 deri në 41 vjeç dhe një 50-vjeçar tunizian, të cilët jetonin në Verona dhe akuzohen për shitjen e heroinës dhe marijuanës te trafikantët e tjerë të drogës, shkruajnë mediat italiane. 

Hetimet ndaj kësaj bande kishin nisur që në vitin 2021. Policia dhe hetuesit kishin vendosur përgjues ndaj trafikantëve të drogës, pasi ishte e vështirë për t’i kapur pasi ata përdornin telefona ‘intercom’ për të shkëmbyer mesazhe midis tyre dhe trafikantëve të tjerë.

Ata përdornin gjuhë të koduar për të trafikuar drogën si:  “Nesër nuk kam angazhime do të vij të pjek mishin në skarë”; ose kur diskutonin për sasinë: A kushton më shumë apo si zakonisht? Goditja ndaj kësaj bande është rezultat i hetimeve të kryera në periudhën shkurt-shtator 2021, gjatë të cilave u sekuestruan ndër të tjera mbi tre kilogramë heroinë, rreth një kilogram marihuanë, mbi 35 kilogramë lëndë prerëse, si dhe presa, kallëpe, sita, blender dhe peshore, i gjithë materiali i përdorur për përgatitjen dhe paketimin e drogës.

Gjykata e Veronës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg ndaj 4 shqiptarëve dhe tunizianit. Të pesë personat janë dërguar në burgun Montorio Veronese. Njëri prej shqiptarëve u kap pasi kishte zbritur nga Shqipëria drejt e në aeroportin e Veronës. Në hetimet e nisura që nga viti i kaluar për goditjen e këtyre bandave në Verona dhe lidhjet e tyre me grupet e tjera, policia italiane ka kryer 13 arrestime për trafik droge që nga fillimi i këtij viti dhe kanë sekuestruar mbi 42 kilogramë drogë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat