Mërgimtarët e Quinto di Treviso prijnë në projektin e binjakëzimit me Komunën e Klinës

Diaspora

Mërgimtarët e Quinto di Treviso prijnë në projektin e binjakëzimit me Komunën e Klinës

Nga: Gëzim Mucolli Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 18:54
Foto nga vendi i ngjarjes

Ka vite që jeta kulturore dhe proceset integruese në Itali, janë duke u rritur falë organizimit vullnetar të mërgimtarëve tonë nëpër shoqata kulturore.

Ardhja e mërgatës shqiptare në shtetin italian në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, e nxitur nga rrethanat e ndryshimeve të mëdha politike në Shqipëri dhe luftës për çlirim kombëtar në Kosovë, si dhe vazhdimi i fluksit migrues edhe në çerekun e parë të këtij shekulli, shtoi edhe interesimin e detyrueshëm të veprimtarëve dhe intelektualëve që të gjejnë mënyra për të ndihmuar mërgatën e re të mos ndihet e braktisur dhe e vetmuar, por të nxitet integrimi i tyre në vendin e ri ku punojnë dhe jetojnë.

Shoqatat shqiptare që tashmë ndër vite kanë krijuar përvojën dhe historikun e veprimtarisë së tyre, kanë vazhduar të ecin krahas proceseve integruese edhe në fushën e ruajtjes së identitetit kulturor dhe kombëtar në mesin e mërgimtarëve. Duke njohur vështirësitë fillestare të integrimit ku shqiptarët jo rrallë janë pritur me një lloj refuzimi duke qenë mjaft të paragjykuar, vëmendje më e madhe u kushtua në krijimin dhe realizimin e projekteve që duke ofruar komunitetin shqiptar më afër realitetit lokal, të bien paragjykimet dhe shqiptarët të zënë vend meritor dhe të jenë të respektuar në panoramën shumëngjyrëshe të realitetit të ri multietnik dhe multikulturor.

Veneto është një regjion verilindor i njohur dhe i rëndësishëm jo vetëm për Italinë por edhe në nivel të Bashkimit Europjan, i cili me nivelin e lartë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror u bë tërheqës për mërgimtarët tanë të cilët gjetën mundësi të mëdha për punësim dhe vendosje me familjet e tyre. Përveç tjerave, ata u dalluan me punë dhe me kalimin e viteve filluan të dallohen me suksese afariste edhe në lëmin e ndërmarrsisë.

Nuk munguan as mirënjohjet zyrtare nga Odat e industrisë dhe tregtisë në provincat italiane ku ata veprojnë, e këtu dallohet për të mirë Provinca e Trevizos me klasën e saj politike dhe ekonomike që ditën të vlerësojnë përherë aktivitetin industrial e ndërtimor sidomos të firmave kosovare.

Pikërisht avancimi i rolit imprenditorial në mesin e mërgimtarëve solli edhe elemente të reja të fuqishme në komunitetin shqiptar që tashmë njihet dhe respektohet kudo si pjesë përbërëse e identitetit të ri territorial e kulturor italian.

Jo rralllë këta mërgimtarë tanë të dalluar iu bashkangjitën iniciativave të drejtpërdrejta të shoqatave që mbledhin në gjirin e tyre mërgatën shqiptare. Sidomos në Treviso, ku tashmë një shoqatë e mirëfilltë ka kaluar kufinjtë e njohjes brenda provincës duke u bërë sinonim i ruajtjes së trashëgimisë së pasur kulturore si dhe i krijimit të projekteve integruese me plot hapësirë për informacion, diskutim dhe ndërlidhje me vendin e prejardhjes.

Shoqata kulturore-humanitare “Shën Nënë Tereza” e Trevizos, me seli në Quinto di Treviso, njihet me vargun e gjatë të aktiviteteve pozitive plot dëshmi për përvojat e drejtpërdrejta të ndërlidhjes në afrimin cilësor të mundësive për bashkëpunim edhe ndërshtetror midis Italisë dhe Kosovës.

Veprimtarët e kësaj shoqate të prirë nga kryetari Bajram Desku, kanë krijuar me punën e tyre kapacitetin njerëzor për të vazhduar historikun e një procesi pozitiv për imigracionin shqiptar në Itali, duke merituar vlerësimin jo vetëm nga autoritetet komunale e provinciale por edhe nga Presidenti i Regjionit Veneto, z. Luca Zaia.

Ata jo vetëm që krijuan një platformë pune ku vazhdimisht prezentojnë trashëgiminë e pasur etno-kulturore shqiptare, si dhe themeluan shkollën shqipe të mësimit plotësues ku vijuuan rregullisht mësimin fëmijët e vegjël të bashkatdhetarëve, por edhe u angazhuan në ndihmë humanitare qytetarëve në Kosovë e Shqipëri në raste të ndryshme.

Bashkëpunimi i ngushtë me organet drejtuese në komunën e Quintos dhe me autoritetet kishtare që gjithmonë ndihmuan shoqatën “Shën Nëna Terezë” në sigurimin gratis të lokaleve për aktivitete shkollore, kulturore e shoqërore, ishte pikënisje për fillimin e një bashkëpunimi ndërregjional e ndërshtetror me Kosovën.

Pas shumë vitesh bashkëpunimi dhe afrimi kulturor e institucional, me vizita të zyrtarëve të lartë nga Kosova si dhe pjesëmarrjes së rregullt të përfaqësuesve diplomatikë kosovarë nga Roma e Milano në aktivitete publike të komunitetit shqiptar, në qershor të këtij viti një delegacion nga Italia i prirë nga kryetarja e komunës së Quinto di Treviso zonja Stefania Sartori, e shoqëruar nga përfaqësuesi i industrialistëve z. Mario Catterin si dhe z.Bajram Desku, kryetar i shoqatës shqiptare, shkuan në Republikën e Kosovës në një vizitë njohëse disaditore. Atje u pritën me nderime nga kryetari i komunës së Klinës, Prof.dr.Zenun Elezaj me bashkëpuntorë ku biseduan për hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim midis dy komunave dhe shteteve.

Pastaj në ditët tjera të qëndrimit të tyre në Kosovë vizituan një shkollë fillore, galerinë e arteve të piktorit Idriz Berisha ku u njohtën edhe me artistë tjerë figurativ, pastaj një shkollë të mesme dhe një firmë bujqësore të një mërgimtari të kthyer nga Italia për të investuar në zhvillimin e vendit të vet. Morën pjesë edhe në natën e fundit të Festivalit “I këndojmë lirisë”.Mes tjerash ata kishin vizituar edhe fakultetin teknik në Universitetin e Prishtinës dhe Kompleksin memorial në Prekaz. Me përshtypje të veçanta kaluan vizitën në qytetin e Pejës ku i nderoi me mikpritje kryetari i komunës z. Gazmend Muhaxheri me bashkëpuntorë si dhe vizituan Muzeun arkeologjik të Pejës, kurse në Shkollën e mesme të muzikës në Pejë drejtoresha zonja Rreze Kastrati me nxënësit e saj me interpretim artistik me piano i kishte dëshmuar mikpritjen dhe lidhjen kulturore mes dy vendeve.

Delegacioni i Quintos u kthye me përshtypje të shkëlqyeshme dhe kryetarja Stefania Sartori në dokumentet e Komunës së saj kishte shkruar: “Një udhëtim plot eksperienca dhe emocione dhe që na lejoi të bënim njohje të reja; të gjitha për të konsoliduar marrëdhënien e ngushtë që ekziston prej disa vitesh mes Quinto di Treviso dhe komunitetit kosovar të pranishëm në zonë”.

Shoqata kulturore “Shën Nënë Tereza” para pak kohësh mori njohtimin se Komuna e Quinto di Treviso kishte ftuar ta vizitojnë udhëheqjen komunale të qytetit të Klinës, dhe veprimtarët e saj u organizuan që sa më mirë ta presin delegacionin kosovar.

Fillimisht delegacioni nga Klina u prit në takim zyrtar nga kryetarja e Quintos, zonja Stefania Sartori, pastaj këshilltarja për arsim znj. Cristina Veneziano me bashkëpuntorë. Për ti nderuar mysafirët e nderuar kryetarja kishte ftuar në sallën solemne edhe z.Bajram Deskun, z.Hetem Zogaj, e përfaqësues tjerë të komunitetit shqiptar si dhe konsullin e nderuar të Kosovës në Milano, z.Diamant Kastrati i cili ka përkrahur përherë çdo veprimtari të komunitetit të bashkatdhetarëve tonë.

Kryetarja Sartori duke falenderuar delegacionin për mikëpritjen e tyre në Kosovë, dëshmoi për bashkëpunimin më komunitetin shqiptarë dhe mundësitë qe komuna ka ofruar për realizimin e projekteve, dhe aktiviteteve kulturore e integrimin e vazhdueshëm që janë organizuar nga komuniteti shqiptar.

Ajo me theks të veçantë diskutoi edhe për thellimin bashkëpunimit në nivelin kulturor, arsimor, si dhe krijimin e mundësive për fillimin e procesit zyrtarë të binjakëzimit në mes të dy komunave, iniciativë kjo e nisur me kohë nga z.Bajram Desku me bashkëpuntorët e tij.

Kryetari i komunës së Klinës z.Elezaj, e falenderoj atë për mikëpritjen si dhe për bashkëpunimin e autoriteteve italiane me komunitetin shqiptar. Ai shprehu mirënjohje për iniciativat kulturore si dhe për këndin e librave shqip në Bibliotekën komunale dhuroi dy libra të tij.

Kryetari Elezaj i shoqëruar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të Klinës z.Fadil Gashi dhe nga z. Enver Berisha, drejtor për financa, ekonomi dhe zhvillim, duke qenë të njohur me veprimtarinë e dalluar të bizneseve kosovare në provincën e Trevizos, patën rastin ti vizitojnë disa prej tyre, siq janë:

" Market Kosova ", më pronar Bedri Suka , i njohur për eksportin me produkte ushqimore të Kosovës; firmën "AZ Construzioni" , më pronar Hetem Zogaj më djemtë e tij Admirin dhe Armondin; " Impresa Edile Bashota" të vëllezërve Albert, Sabit dhe Rexhep Bashota; pastaj edhe firmën" Construzioni A.G. srl " , më drejtor Smajl Gashi më vëllezërit e tij Esatin dhe Reshatin; si edhe në bisnesin tjetër të z. Ekrem Gashit.

Me ftesë të pronarit z.Imer Berisha, mysafirët e nderuar vizituan dhe shijuan mikpritjen e restorant-picerisë "Al Volo", pastaj ata nderuan me vizitë edhe z. Mario Catterin, pronarin e Fabriken e pompave më piston " Luigji Catterin " në Quinto di Treviso i cili pat vizituar Klinën.

Vizita e fundit ishte paraparë në pikën grumbulluëse të mbeturinave ku u njohën për së afërmi me projektet ekologjike dhe punën serioze të italianëve në grunbullimin e diferencuar të mbeturinave dhe ruajtjen e ambientit jetësor.

Ditën e fundit të vizitës, për ti nderuar mysafirët nga Kosova, vëllezërit Albert, Sabit dhe Rexhep Bashota organizuan darkë solemne në Restaurantin “Al Portico” ku ishin ftuar në një ambient familjar edhe biznismenë tjerë dhe veprimtarët e dalluar si dhe përkrahësit e aktiviteteve të shoqatës kulturore “Shën Nënë Tereza” të Trevizos. Me këtë rast kryetari z.Bajram Desku duke shprehur falenderimin për vizitën e suksesshme të kryetarit Zenun Elezaj me bashkëpuntorë, falenderoi me fjalë mirënjohëse e nderimi për bashkëpunim të frytshëm veprimtarët: vëllezërit Albert, Sabit dhe Rexhep Bashota, Bedri Suka, Hetem Zogaj, Smajl Gashi, Esat Gashi, Reshat Gashi, Imer Berisha, Xhevat Zemaj, Musa Ahmetaj, Ramiz Gashi, Bekim Spahiu, Nazim Morina, Murat Bytyçi, Sylejman Gashi, Gëzim Muçolli, Bajram Zogaj, Hamit Kurti, Ramadan Rukolli, Din Bashota, Xhemajli Deliu, Ardian Dodaj, Qenan Hajdini, Ndue Kola, Muamer Murtezani, që ndihmuan në pritjën e delegacionit të Komunës se Klinës.

Në fund duhet shtuar edhe faktin se rezultatet pozitive të Shoqatës Kulturore “Shën Nënë Tereza” e cila ka krijuar ura lidhjeje e bashkëpunimi, mund të shërbejnë si model i vlefshëm i përvojës, ku nga vullnetarizmi pa dëshirë protagonizmi por me synimin e krijimit të imazhit pozitiv të komunitetit dhe ruajtjen e identitetit kulturor, u realizuan projekte madhore integruese dhe praktika e re e bashkëpunimit ndërshtetror, që nderon çdo mërgimtar tonin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat