Vrau kunatin se i përdhunoi të bijën, 24 orët që çuan 50-vjeçarin shqiptar drejt krimit

Diaspora

Vrau kunatin se i përdhunoi të bijën, 24 orët që çuan 50-vjeçarin shqiptar drejt krimit

Më: 11 janar 2024 Në ora: 13:23
Erjon Pelivani

Avokati i Fatmir Talellarit, 50-vjeçarit shqiptar që vrau të mërkurën kunatin Erjon Pelivani ka treguar detaje të tjera se si ndodhi ngjarja e rëndë. Siç është bërë me dije ka qenë vajza 18-vjeçare e Talellarit që ka treguar se prej disa vitesh Pelivani e përdhunonte. Ajo ka rrëfyer se abuzimet ndodhnin në shtëpinë e Talellarit pasi Pelivani lëvizte lirshëm aty.

“33-vjeçari kishte akses të lirë në shtëpi. Përdhunimet ndodhën brenda në banesë. Dhe në fakt këto incidente ndodhnin kur në shtëpi ndodhej edhe vëllai më i vogël i vajzës, i cili asokohe ishte 4 vjeç. Ai kishte akses të lirë në shtëpi dhe prindërit ishin në punë. Siç duket ai e shikonte kur ata largoheshin nga shtëpia”, tha avokati Michalis Vasilikos për televizionin grek SKAI.

18-vjeçarja ka thënë se është ngacmuar seksualisht kur ishte 9 vjeçe ndërsa përdhunimet ndodhën mes moshës 12 dhe 14 vjeçare.

“Në moshën 14 vjeçare, duke u rritur, fëmija i ka thënë se nëse do të vazhdonte do të tregonte gjithçka. Por kur ai kishte nevojë për para kthehej sërish me video për ta shantazhuar”, tha ai.

18-vjeçarja ka folur me motrat e saj në përgjithësi për ngacmimet seksuale, por kurrë për përdhunimet. Madje ajo nuk ka përmendur emrin e asnjë personi, tha avokati.

Avokati ka treguar ndër të tjera dinamikën e ngjarjes.

“Ai (babai) u informua në orët e para të mëngjesit të së hënës pasi kërkonte të sqaronte se çfarë bëhej me paratë e qirasë. Pas një bisede me të bijën ai u informua rreth përdhunimeve dhe shantazheve, por vajza nuk e zbuloi emrin. Ata erdhën të hënën në zyrën time për të diskutuar se si të përballen me këtë problem. Dua të them që ishim gati për të ngritur një padi sapo vajza të na tregonte kush ishte personi. Se cili ishte ai, babai e mori vesh në orët e para të së martës pas një presioni të vazhdueshëm ndaj të bijës”, tregoi avokati.

Sipas Vasilikos, vajza kishte videot që 33-vjeçari e shantazhonte, por nuk ia tregoi ato. Ajo i tregoi të atit disa mesazhe që provonin atë që po thonin.

“Nga e marta në mëngjes kur babai e zbuloi deri të martën pasdite nuk kemi kontaktuar bashkë. Pas incidentit ai ishte në gjendje tragjike. Më tregoi çfarë ndodhi dhe e këshillova që të informonte autoritetet dhe të dorëzohej”, tha avokati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat