Mjeku Shoip Shoipi garon për deputetë në zgjedhjet parlamentare në Kroaci

Diaspora

Mjeku Shoip Shoipi garon për deputetë në zgjedhjet parlamentare në Kroaci

Më: 21 mars 2024 Në ora: 20:56
Shoip Shoipi

Doktori i shkencave biomedicinale dhe subspecialisti në onkologjinë urologjike në Klinikën Universitare Urologjike në Zagreb, dr.Shoip Shoipi ka shpallur kandidaturën për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Kroaci.

Doktori me origjinë nga Gostivari përmes një porosi në rrjetet sociale ka bërë të ditur qëllimin dhe misionin se përse ka marrë një vendim të tillë, raporton INA.

“Me krenari dhe gëzim shpall kandidaturën time për përfaqësues në Parlamentin Kroat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me qëllim që të përfaqësoj në mënyrë të barabartë interesat e pakicave kombëtare shqiptare, boshnjake, malazeze, sllovene dhe maqedonase në vendin tonë të bukur dhe të përbashkët. Zemra ime është e mbushur me shpresë dhe optimizëm sepse besoj në fuqinë e unitetit dhe diversitetit. Besoj se diversiteti ynë kombëtar është një pasuri që na bën më të fortë dhe forcon të ardhmen tonë të përbashkët. Si një mjek që përballet çdo ditë me shqetësimet dhe sfidat e bashkëqytetarëve tanë dhe si anëtar krenar i një komuniteti pakicë, i njoh problemet e të gjitha grupeve tona kombëtare”, ka shkruar ai.

Dr.Shoip Shoipi është me prejardhje nga rrethina e Gostivarit, shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe të mesmën në Tetovë, studimet i kreu në Universitetin e Zagrebit, Fakulteti i Mjeksisë, është specialist-urolog, subspecialist në onkologji urologjike, ku dhe ka doktoruar në shkencat biomedicinale. Ai me vite të tëra është një nga specialistët e dalluar në Klinikën Universitare Urologjike në Zagreb, ku me shumë dashamirësi dhe fisnikëri kryen misionin e tij të doktorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat