U tha se Florencit iu hoqën aparaturat që e mbajnë në jetë, flet i ati: Djali është gjallë, këta duan ta mbysin!

Diaspora

U tha se Florencit iu hoqën aparaturat që e mbajnë në jetë, flet i ati: Djali është gjallë, këta duan ta mbysin!

Më: 22 dhjetor 2017 Në ora: 14:55
Florenc Beqiraj

(E plotësuar) - I ati i Florencit, të riut nga Shkodra që po lufton me vdekjen në spital në Marsejë, Gëzim Beqiraj ende shpreson se i biri mund të rikthehet në jetë.

Ai ka thënë për mediat se ende nuk ja kanë shkëputur aparaturat që po e mbajnë në jetë duke shpresuar se i biri të hapë sytë.

Në një lidhje telefonike për Report Tv ai tha se mjekët e spitalit duan t'i heqin tubat, ndërsa shton se nuk do të firmosë kurrë për të autorizuar mjekët për një veprim të tillë. 

"Gjendja e djalit është njësoj, në aparatura. Mjekët thonë se nuk i funksionon truri. Sot thanë që i ka ndaluar edhe zemra, po e mbajmë në jetë me aparatura. Edhe pse është gjallë djali, këta duan ta mbysin. Unë e dua djalin gjallë, dua ta lë ashtu, unë për vete nuk hedh firmë. Unë jetoj në Mal të Zi familjarisht, bashkë me vëllezërit. Kemi ikur për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Djali ka qenë në Francë ku ka kaluar azil ekonomik. E morëm vesh përmes një kushërire të kunatit tim se djalin e kemi brenda në rajon të policisë. Kam folur në telefon dhe më ka thënë se do kthehem për 2-3 ditë. Vonuan 5-6 dhe e morëm në telefon oficerin e policisë dhe na thanë se Florenci është i vdekur dhe e kemi dërguar në spital", thote ai.

Gëzim Beqiraj thotë gjithashtu se nuk ka marrë asnjë ndihmë nga autoritetet shqiptare, por i janë gjendur pranë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Francë.

 "As ambasadori dhe asnjë zyrtar tjetër nuk ka ardhur të pyesë. Kur jam ulur prej aeroportit në Marsejë kam folur në telefon me ambasadorin, më ka folur si njeri rrugësh. Ai paguhet me taksat e qytetarëve shqiptarë dhe është atje për t'u kujdesur për ne atje. Sot i ka ndodhur djalit tim, por nesër do t'i ndodhë dikujt tjetër".

 I pyetur për hetimet e shkaqeve që çuan në këtë gjendje të të riut, Gëzim Beqiraj tha se është dhunuar në burg. "Kishte shenja në duar dhe në fyt. Eshtë përpjekur të vetëmbrohet". 

Marsejë, ndërron jetë 23-vjeçari shkodran që u masakrua në burg?

Florenc Beqiraj, i riu shkodran i masakruar në një burg të Marsejës, është ndarë nga jeta pasi luftoi për disa ditë me vdekjen në shtratin e spitalit.

23-vjeçari mbahej gjallë vetëm përmes aparaturave. Beqiraj ishte në Francë prej dy vitesh e po përpiqej të përfitonte azilin. Ai është ndaluar nga policia dhe për mungesë dokumentacioni përfundoi në burg. Pikërisht gjatë qëndrimit prapa hekurave ka ndodhur dhe incidenti që e çoi 23-vjeçarin në fund të jetës.

Ai u gjet i masakruar, me njolla në trup dhe një shenjë teli në fyt, duke përfunduar në gjendje të rëndë. Zërat që thonë se i riu ka tentuar vetëvrasjen nuk pranohen nga familja. Të tjerë mendojnë se Florenci është masakruar në burg, ose nga policia, ose nga të dënuarit e tjerë. E motra e tij që jeton prej disa vitesh në Mal të Zi, tha se i vëllai e ka marrë në telefon për t’i thënë se është ndaluar për shkak të mungesës së dokumentave dhe se në burg rrethohej nga njerëz të rrezikshëm.

Sipas të motrës, askush nuk i ka dhënë sqarime për ngjarjen, ndërsa zyrtarisht nga ambasada shqiptare i është thënë se i riu është vetëvarur me litar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat