Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, priti sot një delegacion të kompanisë Luma Investment – E&E Experts, e cila për momentin në Kosovë është duke kryer hulumtime për plumb dhe zink në 4 zona.
Kompania ka shprehur interesim që të zgjerojë aktivitetet në Kosovë në fushën e minierave, duke u kualifikuar si investitor strategjik në këtë fushë.
Në prezantimin e kësaj kompanie, Aleksandra Chloewa, drejtoreshë e Investimeve e kompanisë, informoi për operacionet të cilat momentalisht i kanë në Bosnjë, Kosovë, Afrikë e Poloni.
Zëvendëskryeministri Dardan Gashi, i informoi delegacionin nga Polonia për ndryshimet të cilat do t’i bëhen Ligjit për investime strategjike në sektorin e minierave ashtu që ai të jetë akoma më i mirë për kompanitë e mëdha që vijnë në Kosovë me projekte serioze.
“Po presim miratimin e ligjit të ndryshuar për minierat, i cili do të reflektojë mbi boshllëqet e lëna në ligjin për investime strategjike posaçërisht në fushën e minierave, për ta bërë procesin më të favorshëm për kompanitë serioze që shprehin interesim për investime”, tha Gashi.