Diaspora s’do ndarje të Kosovës, Ymeri thotë se nëse ndodh mund të ketë eskalime

Diaspora

Diaspora s’do ndarje të Kosovës, Ymeri thotë se nëse ndodh mund të ketë eskalime

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 20:45
Shukri Ymeri, Kryetari i Lobit Euro Atlantik Shqiptar

Shukri Ymeri, Kryetari i Lobit Euro Atlantik Shqiptar, ka folur për roli e lobeve shqiptare në politikën e jashtme të Kosovës.

Në Express Intervistën, ai tha se Lobi Euro Atlantik Shqiptar, është formuar më 17 nëntor 2016 dhe ka themeluar disa degë në Evropë. Ai tha se në Evropë janë 2 degë shumë të rëndësishme. Njëra është Kalabria, që ka 36 shoqata.

Ymeri ndër të tjera tha se për çështje të interesit kombëtar, bashkimi i forcave të tyre, bën që të paktën të përmirësohet fusha e ekonomisë në Kosovë.

Ai, gjithashtu foli edhe për idenë e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë, e për këtë, ai tha se janë kundër.

“Kjo është e pakapshme. Jemi kundër asaj kur preken kufijtë shqiptarë. Kjo është pak alarmante sepse një numër i madh i të rinjve po ikin nga vendi”, tha ai.

Ai përmendi faktin se në Zvicër e në Gjermani, kanë nxënës, studentë e biznesmenë të shumtë që po kontribuojnë, në një mënyrë apo tjetrën, për vendin e tyre.

“Ne kemi shumë intelektualë. Këshilltarja e parë e zonjës Angela Merkel, ka qenë shqiptare. Lobi Atlantik Shqiptar, ka kontakte me zyrtarë të shumtë, psh, me Kukhan kemi bërë shkresa dhe ai na është përgjigjur pozitivisht për shumë gjëra. Ne duam ta kemi ndikimin tonë pozitivë për gjithë shqiptarët”, tha ai.

Sipas tij, ministritë në Kosovë e në diasporë, nuk kanë reflektuar me bashkëpunim të mirë. Ai pret të ketë më shumë bashkëpunim të mirëfilltë.

“Politizimi i mërgatës tani është bërë një problem”, tha ai.

Deri tani, thotë ai, nuk ka ndodhur ndonjë depolitizim, çka ai e sheh shumë të rëndësishme.

Ymeri foli edhe për protestat që u bënë në diasporë, kundër ndarjes apo shkëmbimit të territoreve.

“Duke marrë parasysh të kaluarën tonë, mërgimtarët janë të shqetësuar në pikën kulminante. Nëse ndodh ndarja, mund të ketë edhe eskalim total”, tha ai.

Ai tha se të rinjtë në Kosovë, duhet të mësohen me realitetin, sepse thotë s’është fare lehtë t’ia dalësh mbanë në diasporë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat