​OAK nënshkruan memorandum të bashkëpunimit me Luxembourg Development

Ekonomi

​OAK nënshkruan memorandum të bashkëpunimit me Luxembourg Development

Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 10:13
Pamje nga takimi

Me qëllim të aftësimi dhe zhvillimit të fuqisë punëtore cilësore të gatshme për punë, për t’i përmbushur nevojat e bizneseve, promovimit të të nxënit gjatë tërë jetës me qëllim të mbajtjes së hapit me ndryshimet në tregun global të punës, mbështetjes së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës drejt modernizimit të sistemit të arsimit formal nëpërmjet reformës së sektorit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP), Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Luxembourg Development Coorporation Agency – Projekti për Mbështetje të AAP-së në Kosovë.

Oda e Afarizmit të Kosovës dhe Luxembourg Development përmes këtij memorandumi të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, pajtohen që të krijojnë partneritet me qëllim të ofrimit të një kornize brenda së cilës palët do t’i diskutojnë termat dhe kushtet e bashkëpunimit dhe do ta përcaktojnë përmbajtjen e programeve të mundshme të përbashkëta në arsim, aftësim dhe mbështetje për punësimin e nxënësve të AAP-së në kompanitë prodhuese, anëtare në OAK.

Kryetari i bordit të OAK-së Skënder Krasniqi me rastin e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit theksoi se është shumë e rëndësishme që së bashku të punojmë për nxjerrjen e rezultateve konkrete. Sidomos bazuar në faktin që aktualisht kemi shpërputhje mes nevojave të tregut dhe fuqisë punësore e cila kualifikohet.

E nga ana tjetër, Daniele Cristian Passalacqua, Këshilltari kryesor teknik i projektit theksoi se janë shumë të hapur për bashkëpunim dhe e mirëpresin çdo iniciativë të ndërmarrë nga OAK me qëllim të jetësimit të këtij bashkëpunimi. Ky i fundit falënderoi OAK-në për shprehjen e gatishmërisë për bashkëpunim reciprok.

Image
Pamje nga takimi
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat