​Ministri Faton Peci takoi Lupço Nikolovskin, flasin për bashkëpunimin Kosovë-Maqedoni e Veriut

Ekonomi

​Ministri Faton Peci takoi Lupço Nikolovskin, flasin për bashkëpunimin Kosovë-Maqedoni e Veriut

Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 15:46
Foto ilustrim

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci sot priti në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Lupço Nikolovski, me të cilin diskutuan rreth mundësive të bashkëpunimit, me qëllim të avancimit të sektorëve të cilat mbulojnë institucionet gjegjëse të cilat drejtohen nga dy ministrat.

Pas takimit, ministri Peci tha se janë dakorduar për thellimin e bashkëpunimit ndër-institucional e ndër-shtetëror duke hartuar projekte të përbashkëta ndër-kufitare me qëllim të fuqizimit ekonomik të bujqve që jetojnë rreth zonës kufitare Kosovë - Maqedoni e Veriut.

“Njëherësh, ramë dakord për shkëmbim eksperiencash në hartimin e politikave, përafrimin e tyre me ato të BE-së, heqjen e barrierave jo-tarifore, rritjen e kontrollit kufitar me qëllim ruajtjen e sigurisë ushqimore, hartimin e përbashkët të politikave pyjore, si dhe krijimin e një grupi teknik-administrativ i cili do t'i bartë më tutje frerët e hartimit dhe implementimit të marrëveshjeve që do vijojnë mes institucioneve tona”, tha ministri Faton Peci.

Të dy ministrat u zotuan të kultivojnë marrëdhëniet miqësore që popujt e tyre kanë mes vete, si dhe të hapin rrugë drejt forcimit të pozitës së bujqve të të dyja vendeve përmes shkëmbimit të praktikave më të mira që do t’ua lehtësojnë veprimtarinë e tyre bujqësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat