Komuniteti i Transportit të BE-së dhe MMPHI mbajnë samit të Ekselencës

Ekonomi

Komuniteti i Transportit të BE-së dhe MMPHI mbajnë samit të Ekselencës

Më: 22 shkurt 2023 Në ora: 00:03
Foto nga vendngjarja- Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë të ditur se në Samitin e Ekselencës së Hekurudhave të Ballkanit Perëndimor kanë diskutuar rreth një programi pragmatik të reformës për të përmbushur sfidat kryesore të kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë në vitet në vazhdim.

Përmes një postimi në Facebook, Aliu ka thënë se pas miratimit në Qeveri të “Strategjisë Multimodale të Transportit”, është vendosur që rrjeti hekurudhor të jetë nyje thelbësore dhe e rëndësishme strategjike e qarkullimit tregtar me Evropën, me vlera ekonomike dhe kombëtare.

Sipas tij, ky Samit është rrugëtim i marrëdhënieve të dyanshme të industrisë dhe akademisë në fushën e hekurudhave, si dhe promovimit të efikasitetit, trajtimit të qëndrueshëm të udhëtimit të njerëzve dhe flukseve të ngarkesave, që synim ka kontribuimin në një mjedis të shëndetshëm, ekonomi konkurruese dhe zhvillim ekonomik të vendeve tona.

“Si nevojë urgjente është përmirësimi dhe sigurimi i burimeve njerëzore, në veçanti ofrimi i bursave për studentë, në mënyrë që të promovojmë industrinë hekurudhore si një vend për të ndërtuar një karrierë. Samiti i sotshëm do të shërbejë si një platformë e mirëfilltë për të lehtësuar dhe krijuar një qendër rajonale të Ekselencës/Përsosmërisë që do të kujdeset për edukimin e ekspertëve të ardhshëm për hekurudha dhe do të ofrojë më shumë shërbime profesionale për transportin hekurudhor”, shkruan ministri Aliu.

Ndryshe, Samiti i Ekselencës së Hekurudhave të Ballkanit Perëndimor është organizuar nga Komuniteti i Transportit të BE-së, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, rreth krijimit të urave bashkëpunuese dhe riformësimit të Rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes Projekteve Hekurudhore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat