Ministri Faton Peci e vlerëson të suksesshëm 2023-tën për bujqësinë në Kosovë

Ekonomi

Ministri Faton Peci e vlerëson të suksesshëm 2023-tën për bujqësinë në Kosovë

Më: 27 dhjetor 2023 Në ora: 15:32
Foto nga vendi i ngjarjes

Ministri i Bujqësisë Faton Peci e ka quajtur të suksesshëm vitin që po lëmë pas në sektorin e bujqësisë, duke thënë se 2023-ta ishte rekord sa i përket të mbjellave, numrit të përfituesve dhe mbështetjes financiare.

Në një konferencë përmbyllëse për fundvit, ministri Peci tha se janë miratuar 491 projekte të granteve në vlerë 24.2 milionë euro, ndërsa 31.024 është numri i përfituesve të subvencioneve në vlerë 61.478.890 euro.

“Viti që po lëmë pas, ka qenë viti më i suksesshëm për sektorin e bujqësisë, një vit i mbarë dhe i begatisë. Ky vit është sinonimi i rekordeve në disa sfera si në të mbjella, në mbështetje ndaj fermerëve, si dhe në rritje të numrit të përfituesve në programet mbështetëse të ministrisë,” tha ai.

Ministri Peci ka theksuar se sipërfaqet e mbjella janë rritur për 63%, ndërsa është shënuar rritje e eksportit të produkteve bujqësore 29% krahasuar me vitin e kaluar, teksa gjatë këtij viti janë mbi 100 mijë hektarë me drithëra, ku 66 mijë hektarë janë mbjellë me grurë dhe 42 mijë me misër.

“Nga ana tjetër, 35.5 hektarë janë sipërfaqet e ngritura për prodhimin e perimeve në sera, ndërsa 142.22 hektarë është sipërfaqja totale e ngritur për frutat manore, arrore dhe drufrutore”, ka thënë ai.

Për më tepër, ministri Peci ka përmendur se ka rënë numri i prerjeve ilegale të pyjeve 51%, teksa Agjencia Pyjore e Kosovës këtë vit ka realizuar hapjen e brezave kundër zjarreve pyjore në sipërfaqe prej 239 hektarësh, projekt ky i cili ka munguar që nga 2019.

Duke folur për punën e ministrisë që ai drejton, ministri Peci ka përmendur ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë gjermane në vlerë prej 20.2 milionë euro për grante në agroturizëm, ekoturizëm dhe zhvillim rural nga të cilat 10.2 milionë janë financim i Qeverisë Gjermane.

Ai ka thënë se 9.2 milionë euro është vlera e grantit nga Komisioni Evropian për investime e ngritje të kapaciteteve në sistemin e ujitjes për vitet e ardhshme, ndërsa, 7 milionë është vlera me të cilën do të përkrahet Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, për procesin e akreditimit që do të fillojë gjatë janarit-shkurtit 2024, e cila do t'i mundësojë fermerëve që nga viti 2026 të kenë qasje në fonde nga 50-100 milionë euro krahas buxhetit vendor.

Ministri Peci ka bërë të ditur se sa i përket sigurisë ushqimore janë realizuar 70.555 inspektime, ku janë asgjësuar 1 milion e 173 mijë e 970 kilogramë produkte ushqimore me origjinë të dyshimtë dhe të dëmshme, teksa sa i përket buxhetit, ai tha se është realizuar në masën 96 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat