Kufizimi i importit të veturave ndikon në të hyrat buxhetore

Ekonomi

Kufizimi i importit të veturave ndikon në të hyrat buxhetore

Më: 5 janar 2018 Në ora: 14:03
Foto ilustrim

Nga data 1 janar i këtij viti të gjitha veturat e kategorisë më të vjetra se 10 vite dhe ato që nuk kanë motor të standardit “Euro 4” nuk mund të zhdoganohen brenda territorit të Kosovës, pra fillohet me zbatimin praktik të Ligjit për Automjete.

Sipas një njoftimi të Doganës së Kosovës, përcaktimi i vjetërsisë merret për bazë viti i parë i regjistrimit i cili duhet të jetë brenda periudhës 01 janar-31 dhjetor të vitit 2008.

“Me rastin e përcaktimit të vjetërsisë të merret për bazë viti i parë i regjistrimit i cili duhet të jetë brenda periudhës 01 janar-31 dhjetor të vitit 2008. Kjo nënkupton se të gjitha automjetet të cilat janë regjistruar për herë të parë në këtë periudhë të vitit 2008 dhe i plotësojnë kushtet për lirimin e gazrave sipas standardi të përcaktuar me “Euro 4” mund të importohen në Kosovë”, thuhej në njoftimin për media të Doganës.

Mirëpo, Dogana thotë se kjo ndalesë nuk zbatohet në importin e mjeteve motorike për transport të mallrave, automjeteve të importuara në procedurë Importit të Përkohshëm (IM5), automjeteve për shfrytëzim nga misionet diplomatike dhe automjetet me vlerë muzeore (Old Timer).

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se sa herë ka pasur aplikim të ndalesave për vetura të vjetra ka pasur rritje të importit të automjeteve.

“Gjithmonë kur ka pasur aplikim të ndalesave si ajo 8 vjeçare apo ajo 13 vjeçare ka pasur rritje të importit të automjeteve derisa në vitin në vijim gjithashtu ka pasur ndikim pasi kemi vërejtur një ulej të importit të veturave”, ka thënë ai.

Nga të dhënat e Doganës, me mesatarja e importit të veturave gjatë pesë viteve të fundit ishte rreth 24 mijë vetura brenda një viti derisa gjatë vitit 2017 ka pasur një rritje të importit prej 35 për qind apo me një total prej 38 mijë automjetesh.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ka thënë se kufizimi i vjetërsisë së importit të veturave do të ketë reflektime edhe në të hyra buxhetore.

“Pritjet e Ministrisë së Financave janë se do të ketë numër më të vogël të importit të veturave këtë vit, sidomos kur merret për bazë numri shumë i madh i veturave të importuara tremujorin e fund vitit 2017. Dhe kjo pa dyshim se do të ketë edhe reflektim edhe në të hyra”, ka thënë Shahini.

Më 24 mars 2015, Qeveria e Kosovës largoi në tërësi kufizimet rreth vjetërsisë së veturave të importuara që mund të regjistrohen në Kosovë gjë që ka ndikuar në rritjen e importit të veturave të vjetra.

Sipas një analize të Institutit GAP, numri i veturave të importuara në vitin 2014 ishte 16,675, një vit më vonë u rrit në 17,988, ndërsa në fund të vitit 2016 në Kosovë u importuan 24,322 vetura.

Brenda dy viteve nga hyrja e vendimit në fuqi, Qeveria e Kosovës ka mbledhur rreth 21.8 milionë euro më shumë të hyra doganore nga veturat e përdorura, ndërsa rreth 3.2 milionë euro më shumë në vit nga veturat e reja.

Në vitin 2016, sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në Kosovë janë të regjistruara 319,615 mjete motorike dhe jomotorike apo më pas se 10 për qind se në vitin paraprak. Më e vjetra ishte prodhim i vitit 1942. Në përgjithësi mesatarja e vjetërsisë se veturave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet, apo 10 vjet më shumë sesa mesatarja e veturave që qarkullojnë brenda BE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat