Mospërputhje të mëdha të financave në kompaninë e mbeturinave ‘Uniteti’ - Bota Sot
Mospërputhje të mëdha të financave në kompaninë e mbeturinave ‘Uniteti’

Ekonomi

E enjte, 15 nëntor 2018

Mospërputhje të mëdha të financave në kompaninë e mbeturinave ‘Uniteti’

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 23:11
Foto ilustrim

Zyra Kombëtare e Auditimit ka hasur në probleme të shumta në Kompaninë Regjionale të Mbeturinave “Uniteti sh.a” të Mitrovicës.

Auditori ka gjetur mospërputhje të mëdha në mes të dokumentacioneve të ofruara dhe gjendjes reale të financave të kompanisë.

Në raportin e saj, ZKA thotë se për shkak të mungesës së informacioneve të nevojshme, nuk kanë qenë në gjendje të japin një opinion për pasqyrat financiare të vitit 2017.

Auditori ka gjetur se obligimet e papaguara në tatim për të ardhura personale, kontribute personale dhe TVSH janë prezantuar për afër 800 mijë euro më pak se sa vlera reale.

“Gjendja e obligimeve të papaguara për tatim në të ardhura personale, kontribute pensionale dhe tatimi në vlerën e shtuar në bilancin e gjendjes ishin prezantuar në shumë prej 1,772,732€ ndërsa sipas ATK-së gjendja e obligimeve të papaguara për këto tatime dhe kontribute përfshirë edhe ndëshkimet për vonesa, me 31.12.2017 ishte 2,566,534€ apo 793,802€ më shumë”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas Auditorit, kompania gjithashtu nuk ka arritur të dëshmojë se ka dokumente të pronësisë për tokat dhe ndërtesat që ishin në zotërim të sajë.

Kompania kishte prezantuar kapitalin rezervë me vlerë prej 2 milionë e 394 mijë e 47 euro. Mirëpo sipas Auditorit ky kapital është trashëguar nga vitet e më hershme dhe se asnjëherë s’ka pasur rivlerësim të kapitalit.

Auditori ka gjetur se kompania “Uniteti sh.a” ka mospërputhje edhe në deklarimet për të hyrat nga shërbimet.

“Të hyrat nga shërbimet sipas librit të shitjes ishin 1,010,054€ ndërsa sipas PFV-ve ishin 1,139,486€. Kjo ka rezultuar me mos harmonizim e të hyrave në vlerë prej 129,432€”, thuhet tutje në këtë raport të auditorit.

“Provizionimet për borxhet e këqija sipas bilancit provues ishin 254,658€ ndërsa në PVF ishin në vlerë 148,573€ që kanë rezultuar me nënvlerësim të shpenzimeve në PFV për 106,085€”, është një nga gjetjet e tjera të auditorit.

Kompania kishte pasur mospërputhje edhe me deklarimet për obligimet ndaj punëtorëve. Në bilancin e gjendjes, kompania kishte prezantuar se obligimet kanë vlerë prej rreth 100 mijë euro, mirëpo në librin kryesor kanë figuruar 130 mijë euro. Pra, “Uniteti sh.a” kishte nënvlerësuar obligimet për 30 mijë euro.

Kompania “Uniteti sh.a” nuk i ka dhënë Auditorit listën e disa klientëve që kanë borxhe të mëdha.

“Ne kemi kërkuar nga Kompania që të siguroj konfirmimet nga disa klientë me borxhe më të mëdha. Mirëpo, ne nuk kemi pranuar ndonjë konfirmim nga ana e tyre për shkak se kompania nuk kishte dërguar letër konfirmimet tek klientët e saj”, thuhet në mes tjerash në raportin e Auditorit.

Shpenzimet për derivate të kompanisë për vitin 2017 kanë qenë 208 mijë e 934 euro, mirëpo kompania nuk kishte zhvilluar procedura të prokurimit për këto furnizime.

“Furnizimet me derivate për vitin aktual në vlerë 208,934€ ishin bërë pa kontratë. Edhe pse në planin e prokurimit ishin të planifikuara, kompania nuk kishte zhvilluar procedura të prokurimit për furnizim me derivate. Kjo për shkak të mos inicimit të kërkesës për blerje nga njësia kërkuese dhe për mungese të funksionimit të sistemit të kontrolleve të brendshme”, thuhet tutje në raport.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test