Përputhshmëria e arsimimit profesional me nevojat e tregut të punës

Ekonomi

Përputhshmëria e arsimimit profesional me nevojat e tregut të punës

Dr. Artan Haziri Nga Dr. Artan Haziri Më 2 shtator 2018 Në ora: 22:20
Foto ilustrim

Duke pasur parasysh nivelin e lartë të papunësisë, si dhe fluksin e madh të të rinjve që futën në tregun e punës çdo vit, atëherë, doemos, duhet të kemi një qasje shumë gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të mund, së paku, ta zbusim këtë dukuri.

Për këtë, lidhur me përputhshmërinë e arsimimit profesional me nevojat e tregut, do të përpiqemi të sjellim disa rekomandime:

1. Në mënyrë që t’u përgjigjemi kërkesave dhe sistemit në tregun e punës, është e nevojshme që konkurrenca të jetë sa më cilësore dhe koherente në harmoni me tregun e punës. Atëherë, fokusimi duhet të jetë në arsimimin profesional dhe përgatitjen e kuadrove. Kjo do të mund të arrihet vetëm në saje të një përkushtimi të të gjithë faktorëve relevantë, të cilët duhet implikuar në këtë çështje, duke filluar nga Ministria e Arsimit (MASHT), DKA, si dhe duke i shtrirë përgjegjësitë dhe dhënë kompetenca më të mëdha shkollave profesionale. Sidomos, ndarja e përgjegjësive te shkollat profesionale dhe krijimi i lidhjeve ndërmjet shkollës dhe punës, mendoj se do të ishte një qasje më se optimale për t’i arritur efektet e kërkuara, sa i përket përshtashmërisë ndërmjet përgatitjes profesionale dhe tregut të punës.

E para ka të bëjë me ndarjen e përgjegjësive të shkollave profesionale, e cila do u jepte kompetenca të mjaftueshme shkollave që të hartojnë strategji adekuate, sa i përket përgatitjes profesionale specifike dhe të përgjithshme, duke pasur në punë personel të përgatitur dhe profesional të mësimdhënies dhe mësimnxënies, të cilët do të jenë të aftë në zbatimin e kurrikulave dhe planeve mësimore, si dhe menaxhimin e mirë të këtyre shkollave.

E dyta ka të bëjë me një lidhshmëri të fortë ndërmjet shkollave dhe vendeve të punës, e cila do të nënkuptonte një rritje të përvojës dhe njohje më të mirë ndërmjet punës dhe kuadrit për nivelin e arritshmërisë dhe përputhshmërisë së shkathtësive të nxënësve për profilin përkatës, që si pasojë do të kishte vendosjen e kontaktit të drejtpërdrejtë ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit, duke racionalizuar kohën dhe energjitë.

Po ashtu, edhe trajnimet e kuadrit, të cilat bëhen qoftë në vendin e punës apo nëpërmjet seminareve dhe programeve të ndryshme, janë një formë e përshtatshme për një përputhshmëri me tregun e punës. Kjo formë e ngritjes së aftësive profesionale është treguar mjaft e suksesshme, nga e cila të interesuarit i kanë ngritur aftësitë e tyre, si produktive dhe organizative, në mënyrë që të punojnë qoftë si individ apo edhe në grupe.

Të gjitha këto që i përmendëm më lart, kërkojnë një monitorim permanent, që të mund të realizohet nëpërmjet një sistemi informativ të rregullt, i cili domosdo do të përcillet edhe me implikime financiare për të cilat organet kompetente do të duhej të hartonin plane financiare konform kërkesave të paraqitura.

2. Sistemimi i të gjithë sektorëve për të arritur rezultate të dëshiruara është më se i nevojshëm. Kjo do të mund të arrihet nëpërmjet një bashkëpunimi ndërmjet sektorit privat, sektorit jo profitabil dhe sektorit publik, të cilët, së bashku, do të hartonin programe si në sasi ashtu edhe në cilësi, ku do të vendosnin kritere kualitative dhe të vazhdueshme. Pra, koordinimi i këtyre sektorëve do të jepte rezultatet e dëshiruara sa i përket rritjes së aftësimit profesional, si në regjione të veçanta ashtu edhe në nivel vendi, kur kemi parasysh edhe specifikat regjionale dhe nacionale. Këtë e themi, sepse përvojat kanë treguar se ndërlidhja e shkollave profesionale me vendin e punës, kanë bërë që të njihen më mirë bizneset me kuadrin e ardhshëm. E, po ashtu, edhe njohja e kuadrit të ri me punën e ardhshme, nëpërmjet së cilës do të rritet cilësia dhe produktiviteti në punë.

3. Bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit do të ishte një mundësi e mirë për të rritur kërkesën dhe ofertën për punë, në mënyrë që të shkëmbehen përvojat dhe të njihen me përparësitë e njëri-tjetrit. Kjo është e domosdoshme në kohën tonë, sepse tregu i punës tash nuk mund të funksionojë si i izoluar, por kemi të bëjmë me një globalizim të tërë të sistemit ekonomik dhe jo vetëm. Prandaj, shkollat profesionale, të nxitura si nga MASHT-i ashtu edhe nga DKA-ja, do të ishte mirë që të mundësonin takime të rregullta, si të personelit mësimor ashtu edhe të nxënësve me shkollat e rajonit dhe më gjerë. Mirëpo, kjo do të mund të ndodhte nëpërmjet një interesi reciprok të vendeve për fushat me interes të veçantë, ku do të shkëmbenin informacione dhe përvoja.

Ne këtë aspekte një bashkëpunim i veqante duhet të jet mes shtetit të Shqiperis dhe shtetit tonë. Ky bashkëpunim duhet të filloje në prodhim,në unifikim të politikave fiskale dhe doganore dhe në eksportin e energjis elektrike.

4. Informatizimi i sistemit të integruar i arsimimit profesional, duke themeluar një databazë, ku do të mundësohej një qasje më e shpejtë dhe më e plotë. Kjo është e rëndësishme për faktin se do të regjistroheshin të gjitha të dhënat për çdo nxënës, duke krijuar një pasqyrë reale për secilin nxënës, i cili nesër do të jetë kuadër i mundshëm që do të futet në tregun e punës dhe për të cilin do të posedojmë informacione të plota për cilësinë dhe personalitetin e tij. Kjo do të ndikojë, sigurisht, edhe në përkushtimin e nxënësve për të rritur aktivitetin e tyre në nxënien e mësimit teorik e praktik, si dhe në aktivitete të tjera, duke e ditur se janë në monitorim të vazhdueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat