Kosova dhe Gjermania nënshkruajn Marrëveshjen për Bashkëpunim Zhvillimor

Ekonomi

Kosova dhe Gjermania nënshkruajn Marrëveshjen për Bashkëpunim Zhvillimor

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 18:28
Kosova dhe Gjermania nënshkruajn Marrëveshjen për Bashkëpunim Zhvillimor

Qeveria e Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministri i Financave z. Bedri Hamza dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë e përfaqësuar nga Ambasadori Gjerman në Kosovë z. Christian Heldt, sot nënshkruan marrëveshjen e parë për Bashkëpunim Zhvillimor. Kjo marrëveshje rregullon bazën e bashkëpunimit teknik dhe financiar mes të dyja vendeve.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Ministri Hamza theksoi se arritja e kësaj marrëveshje me shtetin gjerman është tejet e rëndësishme për Kosovën, marrë parasysh se që nga paslufta shteti Gjerman ka qenë i pranishëm në Kosovë përmes asistencës teknike dhe financiare me mbi 600 milion euro. Në kuadër të këtij bashkëpunimi janë realizuar projekte në sektorë tejet të rëndësishëm për shtetin e Kosovës, siç janë ai i ujërave, energjisë, mjedisit, si dhe nëpërmjet asistencës së ofruar për zhvillim të institucioneve të vendit.

“Kualiteti i jetës së qytetarëve nuk do të ishte i tillë pa vlerën që i ka shtuar bashkëpunimi me Qeverinë Gjermane”, tha Ministri Hamza.

Ndërsa Ambasadori Heldt në fjalimin e tij, ndër të tjera theksoi rëndësinë e marrëveshjes si bazë për një bashkëpunim edhe më efikas në mes të të dyja vendeve gjatë caktimit të projekteve zhvillimore.

Qëllim i bashkëpunimit zhvillimor gjerman në Kosovë është për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Në këtë kuadër luftimi i varfërisë dhe nxitja e perspektivave ekonomike dhe sociale, si dhe mbrojtja e mjedisit qëndrojnë në krye të prioriteteve. Marrëveshja Kornizë mundëson operimin më të lehtë të organizatave qeveritare të shtetit Gjerman dhe të punësuarve të tyre, të cilët japin një kontribut të gjerë në Kosovë përmes granteve, kredive dhe ofrimit të shërbimeve nga agjencionet tjera qeveritare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat