Kuvendi miraton rezolutën për shtesat e fëmijëve

Ekonomi

Kuvendi miraton rezolutën për shtesat e fëmijëve

Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 12:45
Pamje nga Kuvendi i Kosoves

Me 61 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenim, është miratuar në Kuvendin e Kosovës rezoluta e harmonizuar nga grupet parlamentare në lidhje me shtesat e fëmijëve.

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e cila njëherësh kishte iniciuar këtë rezolutë, para votimit, kërkoi nga të gjithë deputetët që të përkrahin këtë rezolutë  dhe që ndarja e shtesave për fëmijë të fillojë vitin e ardhshëm.

Kadaj-Bujupi: Vitin e ardhshëm të fillojë ndarja e shtesave për fëmijë

“Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës të hartoj dhe të zbatoj sa më parë legjislacionin për ndarje për shtesat për fëmijë në Republikën e Kosovës. Ndarja e shtesave për fëmijë të filloj gjatë vitit 2019.   Shuma mujore e shtesave për fëmijë të kategorizohet duke marrë parasysh kriteret përkatëse. Duke përfshirë të hyrat familjare, punësimin e prindërve dhe moshën e fëmijëve. Edhe një herë i ftoj deputetët vec e vec, meqë në  grupet parlamentare jemi harmonizuar që t’i japim përkrahje kësaj rezolute”, ka thënë Kadaj Bujupi

Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj tha se edhe pse nuk kanë qenë prezent në seancën kur është diskutuar rezoluta, janë pro kësaj.

Mirëpo, ai ka pasur një lutje për Kadaj- Bujupin.

Zemaj: Të ketë harmonizim për rezolutën

“E kisha lut propozuesen që bashkërisht edhe me deputetët që janë më kompetent në këtë fushë, sidomos tash që ndërlidhen edhe me pjesën buxhetore që t’i harmonizojnë këto qëndrime, është mirë që është kërkuar harmonizimi, është diçka që është debatuar edhe si pjesë e punës tonë dhe kërkesave që në këto të hyra familjare të ketë kategorizim, mbi të gjitha t’i japet mundësi, prindërve dhe  fëmijëve të tyre në çështjet e ndihmës financiare. Andaj kërkojmë mirëkuptimin e grupeve politike që kjo rezolutë të harmonizohet të merren qëndrimet nga të gjithë përfaqësuesit, mbi të gjitha edhe komisionet që janë funksionale, që ndërlidhen me direkt me implementimin qoftë të komisionit për buxhet, qoftë të komisionit për punë dhe mirëqenie sociale dhe kjo të saktësohet që në implementim të mos kemi problem qysh nga viti 2019”, tha Zemaj.

Ai ka theksuar se në parim si parti, janë pro mirëpo kërkojnë harmonizim dhe saktësim , që sipas tij në procedura të mos ketë problematika që mund të paraqiten.  Me këto shtesa parashihet, që çdo fëmije deri në moshën 16 vjeçare , çdo muaj t’i ipen nga 10 euro. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat