Kreu i kulturës hungareze tërheq artikullin që krahasoi George Sorosin me Hitlerin

Evropë

Kreu i kulturës hungareze tërheq artikullin që krahasoi George Sorosin me Hitlerin

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 12:09
Szilard Demeter, kreu i Muzeut Petofi.

Kreu i një prej institucioneve kryesore kulturore të Hungarisë, Muzeut Petofi në Budapest, e ka tërhequr një artikull, në të cilin ai krahasoi filantropin miliarder amerikan, George Soros, me regjimin gjenocidal nazist të Adolf Hitlerit.

Kreu i muzeut, Szilard Demeter, i cili është gjithashtu një komisioner hungarez i kulturës, tha në një deklaratë më 29 nëntor se ai e kishte tërhequr artikullin dhe kishte fshirë faqen e tij në Facebook.

"Kritikët e mi kanë të drejtë në atë që...paralelja me nazistët mund të ofendojë pa dashje kujtimet e viktimave", tha ai.

Artikulli i Demeterit, i publikuar në portalin Internet Origo.hu, një medium pro-qeveritar hungarez, u kritikua gjerësisht nga grupet e përkujtimit të hebrenjve dhe Holokaustit.

Kritikat vazhduan më 29 nëntor derisa politikanët kryesorë të opozitës, përfshirë ish-kryeministrin Gordon Bajnai dhe kryetarin e Budapestit, Gergely Karacsony, i bënë thirrje kryeministrit Viktor Orban që të shkarkonte menjëherë Demetrin.

"Njeriu i tij, politikani i tij për kulturë, donte të vendoste politikën e tij në Evropë, turpin e tij", tha Karacsony në rrjetin social Facebook.

"Szilard Demeter nuk mund të mbajë më ndonjë pozitë publike nga ora 8 e mëngjesit. Kryeministrit i mbeten edhe disa orë", tha ai.

Artikulli i Demeterit i referohej Sorosit si "Fyhrer liberal", duke thënë se ai po e kthen Evropën në një "dhomë gazi".

Komiteti amerikan-hebraik në Evropën Qendrore dënoi komentet në lidhje me Sorosin, i cili ka lindur në Hungari dhe është një i mbijetuar i Holokaustit, duke i përshkruar ato si "të tmerrshme".

"Një injorancë e tillë e historisë dhe minimizimi i Holokaustit duhet të hiqet", tha organizata në Twitter.

Në artikull, i cili bënte fjalë për një mosmarrëveshje të Hungarisë me Brukselin mbi buxhetin e Bashkimit Evropian, Demeter përshkroi Hungarinë dhe Poloninë si "hebrenjtë e rinj".

“Gazi helmues rrjedh nga kapsula e një shoqërie të hapur me shumë kultura, i cili është vdekjeprurës për mënyrën evropiane të jetesës, dhe ne, kombet e Evropës, përpiqemi që të luftojmë për frymëmarrjet e fundit duke u ngjitur mbi njëri-tjetrin”, ka shkruar ai.

Orban njihet si një kundërshtar i Sorosit dhe e ka kritikuar atë vazhdimisht për financimin që bën fondacioni i tij për kauza liberale.

Ai akuzon Sorosin se dëshiron të mbushë kontinentin me migrantë myslimanë dhe të dëmtojë identitetin kombëtar.

Hungaria dhe Polonia janë duke zhvilluar negociata rreth buxhetit të BE-së për shkak të një mekanizmi të ri për sundim të ligjit.

Të dyja shtetet janë duke u hetuar nga blloku evropian për dëmtim të pavarësisë së gjyqësorit, mediave dhe organizatave joqeveritare, andaj ato rrezikojnë që të humbin qasje në fondet e BE-së.

Deklarata e Demeterit u dënua gjithashtu nga Komiteti Ndërkombëtar i Aushvicit.

"Jo vetëm në Hungari , të mbijetuarit e Holokaustit janë të neveritur dhe të tmerruar nga ky fjalor", tha zëvendëspresidenti ekzekutiv, Christoph Heubner.

Ai e ndërlidhi këtë me një valë fushatash antisemitike dhe anti-evropiane në Hungari.

Ambasada e Izraelit në Hungari tha në një deklaratë se ajo kundërshton "përdorimin dhe abuzimin" e kujtesës së Holokaustit për çdo qëllim.

"Nuk ka vend për të lidhur krimin më të keq në historinë njerëzore ose autorët e tij, me ndonjë debat bashkëkohor, pa marrë parasysh sa thelbësor mund të jetë ai", tha ambasada./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat