Papa kërkon shpërndarje të vaksinave për vendet e varfra

Evropë

Papa kërkon shpërndarje të vaksinave për vendet e varfra

Më: 4 prill 2021 Në ora: 15:00
Papa Françesku.

Miliona besimtarë katolikë në botë po festojnë të dielën (4 prill) festën e Pashkëve. Kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku, në mesazhin e tij u bëri thirrje vendeve të shpejtojnë shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19, veçanërisht për njerëzit e varfër në botë.

Ai i quajti “skandaloze” konfliktet e armatosura dhe shpenzimet ushtarake gjatë pandemisë. Ky është viti i dytë që Mesha e Pashkëve është mbajtur nën masa të kufizimeve për shkak të pandemisë së koronavirusit, me prezencë kryesisht të kufizuar të besimtarëve.

Pasi udhëhoqi Meshën, Papa Françesku lexoi mesazhin vjetor, “Urbi et Orbi” (për qytetin dhe botën), në të cilin tradicionalisht adresohen problemet e botës dhe bëhet thirrje për paqe.

"Pandemia po vazhdon, ndërsa kriza sociale dhe ekonomike mbetet e rëndë, veçanërisht për të varfërit. Sidoqoftë është skandaloze sesi konfliktet e armatosura nuk kanë marrë fund dhe arsenalet ushtarake janë duke u shtuar", tha ai.

Papa Françesku, i cili në kushte normale do të kishte bërë adresimin para një publiku me deri në 100.000 njerëz në Sheshin e Shën Pjetrit, foli para më pak se 200 besimtarëve në kishë, ndërsa mesazhi u transmetua online për miliona të tjerë nëpër botë.

Papa i kërkoi Zotit të ngushëllonte të sëmurët, ata që kanë humbur një të dashur dhe të papunët, duke i nxitur autoritetet që t'u sigurojnë “ushqim të mirë” familjeve në nevojë.

Ai lavdëroi punonjësit shëndetësorë për luftën ndaj pandemisë dhe tha se të gjithë njerëzit duhet të angazhohen në këtë drejtim.

"Unë i nxis të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare, që përmes një fryme të përgjegjësisë globale, të angazhohen për të kapërcyer vonesat në shpërndarjen e vaksinave dhe për të lehtësuar shpërndarjen e tyre, veçanërisht në vendet më të varfra", tha ai.

Papa bëri thirrje për t'i dhënë fund luftës në Siri, "ku miliona njerëz aktualisht jetojnë në kushte çnjerëzore" dhe konfliktit në Jemen. Papa gjithashtu shprehu afërsinë e tij me rininë e Mianmarit, për të cilët tha se janë të "përkushtuar për të mbështetur demokracinë".

Ne mesazhin e tij, kreu i Kishës Katolike, bëri thirrje për dialog midis izraelitëve dhe palestinezëve dhe kërkoi fundin e dhunës në Afrikë.

"Ka ende shumë luftëra dhe shumë dhunë në botë. Zoti, i cili është paqja jonë, na ndihmoftë të kapërcejmë mendësinë e luftës", tha Papa.

Në Kosovë, Meshën e Pashkëve në Katedralën “Nëna Tereza” në Prishtinë e udhëhoqi Don Lush Gjergji, nga Ipeshkvia e Kosovës.

Në mesazhin e tij, ai tha se “në këtë kohë të zymtë të pandemisë duhet ta kemi sigurinë e fesë, ringjalljen e shpresës dhe ndezjen e dashurisë”.

Festa e Pashkëve është dita për të cilët të krishterët besojnë se Jezu Krishti është ringjallë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat