VOA: Socialdemokrati Olaf Scholz merr postin e kancelarit

Evropë

VOA: Socialdemokrati Olaf Scholz merr postin e kancelarit

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 15:56
Olaf Scholz u emërua nga presidenti dhe mori votat e parlamentit si kancelari i ri i Gjermanisë.

Ligjvënësit gjermanë zgjodhën të mërkurën socialdemokratin Olaf Scholz në postin e kancelarit, duke i dhënë fund qeverisjen16 vjeçare konservatore nën drejtimin e zonjës Angela Merkel. Koalicioni i ri qeveritar pro-evropian është zotuar të nxisë investimet për mbrojtjen e mjedisit. Zyrtarisht, zoti Scholz u emërua nga presidenti dhe mori votat e parlamentit si kancelari i ri i Gjermanisë.

63 vjeçari Olaf Scholz, i cili shërbeu si zëvendëskancelar dhe ministër i financave në qeverinë e zonjsë Merkel, mori një shumicë të qartë prej 395 votash, tha kryetarja e parlamentit gjerman Baerbel Bas.

“Votat pro, 395 ligjvënës”.

Në bazë të procedurave të parashikuara në kushtetutën e Gjermanisë, zoti Scholz u emërua zyrtarisht nga presidenti Frank-Walter Steinmeier në Pallatin Bellevue, përpara se të kthehej në parlament për të marrë votëbesimin dhe bërë betimin para ligjvënësve.

Kancelari dhe koalicioni i ri qeveritar përballen me sfida të mëdha ndërsa vendi po kalon një valë të katërt infeksionesh me koronavirus.

Përmes kulturës së tij të punës dhe qëndrimeve parimore, zoti Scholz e ka pozicionuar veten si pasardhësi i natyrshëm i zonjës Merkel dhe udhëheqësi i duhur për të drejtuar Gjermaninë përmes sfidave që variojnë që nga kriza klimatike e deri tek përballja me Rusinë dhe Kinën.

Qeveria e zotit Scholz merr detyrën me shpresa të mëdha për të modernizuar Gjermaninë dhe luftuar pandeminë që ka goditur rëndë vendin./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat