​Presidenti i Gjermanisë kërkoi falje për masakrën në Lojërat Olimpike të Munihut

Evropë

​Presidenti i Gjermanisë kërkoi falje për masakrën në Lojërat Olimpike të Munihut

Më: 5 shtator 2022 Në ora: 18:56
Foto ilustrim

Gjermania kërkoi sot falje nga familjet e viktimave të sulmit në Lojërat Olimpike të Munihut 50 vjet më parë dhe pranoi përgjegjësinë për një sërë lëshimesh që çuan në vrasjen e 11 izraelitëve.

“Si kreu i këtij shteti dhe në emër të Republikës Federale të Gjermanisë, kërkoj faljen tuaj për mbrojtjen joadekuate të sportistëve izraelitë gjatë Lojërave Olimpike në Munih, sqarimin joadekuat të faktit se ajo që ndodhi mund të kishte ndodhur”, tha presidenti Frank-Walter Steinmeier në ceremoninë, me rastin e 50-vjetorit të sulmit, duke iu drejtuar familjarëve të viktimave.

Presidentët e Gjermanisë dhe Izraelit kryesuan sot një përkujtimore që shënon gjysmë shekullin që nga sulmi në Lojërat Olimpike me shpresën se një marrëveshje e shumëpritur për kompensimin e familjeve të viktimave do të ndihmojë më në fund për të filluar shërimin.

Më 5 shtator 1972, tetë anëtarë të armatosur të organizatës ekstremiste palestineze "Shtatori i Zi" sulmuan ndërtesën që strehonte ekipin olimpik izraelit në Fshatin Olimpik, duke vrarë dy dhe duke marrë nëntë pengje.

Operacioni i shpëtimit nga policia e atëhershme gjermano-perëndimore dështoi dhe të gjithë pengjet u vranë, si dhe pesë sulmues dhe një polic.

Familjarët e viktimave njoftuan se do të bojkotojnë përkujtimoren për shkak të mosmarrëveshjeve për kompensimin, por më në fund u arrit një marrëveshje të mërkurën e kaluar që Berlini të sigurojë një total prej 28 milionë eurosh si kompensim.

Gjermania gjithashtu për herë të parë pranoi përgjegjësinë për gabimet që çuan në vrasjen e izraelitit. Sot, Steinmeier kërkoi falje për dështimet e vendit të tij.

Përkujtimi u mbajt në aeroportin Firstenfelbrik (Fuerstenfelbruck) pranë Munihut, skena e përpjekjes së dështuar për të shpëtuar nëntë atletë izraelitë. Steinmeier dhe presidenti izraelit Isaac Herzog vendosën kurora me lule në vend.

“Po flasim për një tragjedi të madhe dhe një dështim të trefishtë. E para ka të bëjë me përgatitjet për lojërat dhe konceptin e sigurisë, e dyta ngjarjet e 5 dhe 6 shtatorit 1972. E treta fillon të nesërmen e sulmit: heshtja, mohimi dhe harrimi”, tha Steinmeier.

Drama njëditore filloi në agimin e 5 shtatorit 1972, kur tetë anëtarë të organizatës palestineze Shtatori i Zi u ngjitën në një gardh të pasigurt rreth Fshatit Olimpik dhe u futën në ndërtesën ku strehohej ekipi izraelit, duke vrarë trajnerin e mundjes Moshe Weinberg dhe peshëngritësin Yossi Roman.

Disa atletë izraelitë arritën të shpëtonin, por nëntë u kapën. Për lirimin e tyre, rrëmbyesit kërkuan lirimin e më shumë se 200 palestinezëve nga burgjet izraelite dhe dy ekstremistëve të majtë gjermanë nga burgjet në Gjermaninë Perëndimore.

Rrëmbyesit kërkuan një aeroplan dhe kalim të sigurt për në Kajro. Pas një dite të tërë negociatash të tensionuara, sulmuesit dhe pengjet u lejuan të shkonin në aeroport me dy helikopterë.

Snajperët në aeroport hapën zjarr dhe sulmuesit hodhën një granatë në helikopterin me pengjet, i cili shpërtheu dhe vrau pengjet në helikopterin e dytë.

Lojërat Olimpike u ndërprenë për 34 orë, por më pas rifilluan kur kreu i Komitetit Olimpik në atë kohë, Avery Brundage, këmbënguli se "lojërat duhet të vazhdojnë".

Sot, Steinmeier pranoi gjithashtu se politikanët atë ditë bënë gjithçka për t'u kthyer sa më shpejt në aktivitetet normale.

“Nuk mund të zëvendësojmë atë që ndodhi, as atë që keni përjetuar dhe vuajtur për shkak të rezistencës, injorancës dhe padrejtësisë. Më vjen turp për këtë”, tha presidenti i Gjermanisë në përkujtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat