Sulmi me dron në Kremlin e bën Putinin me paranoja, në paradën e 9 majit në Sheshin e Kuq ishte sozia e tij

Evropë

Sulmi me dron në Kremlin e bën Putinin me paranoja, në paradën e 9 majit në Sheshin e Kuq ishte sozia e tij

Më: 10 maj 2023 Në ora: 20:20
Vladimir Putin

Moska u blindua ditën e djeshme për të festuar fitoren sovjetike ndaj Gjermanisë naziste, por paradës në “Sheshin e kuq” i mungoi madhështia që e karakterizon çdo vit. Një tank përkujtimor i Luftës së Dytë Botërore i llojit T-34 ishte i vetmi tank në paradë ndërkohë që festimet në disa qytete të tjera u anuluan. Megjithatë, kjo nuk ishte e vetmja gjë që tërhoqi vëmendje. Si në thuajse çdo dalje publike të presidentit rus Vladimir Putin, sërish qarkulluan thashetheme se ishte sozia e tij që po ndiqte ngjarjet nga afër, ndonëse ekspertët kanë mendime tërësisht të ndryshme lidhur me këtë.

Dita e Fitores

Një ditë para festës, një këshilltar i lartë ukrainas pohoi se Vladimir Putin do të dërgonte sozinë, për shkak të një "frike paranojake për jetën e tij". Pretendimi i jashtëzakonshëm erdhi nga zyrtari i qeverisë së Kievit, Anton Gerashchenko, i cili tha se tirani nuk do të guxonte të rrezikonte jetën e tij më shumë se një vit pasi dërgoi me forcë trupat për të pushtuar Ukrainën.

“Putini nuk do të guxojë të dalë në paradën e 9 majit, por do të dërgojë një sozi”, tha ai. “Një sulm me dron mbi Kremlinin më 3 maj rriti më tej frikën e Putinit”, tha Gerashchenko, një këshilltar i ministrisë së brendshme të Ukrainës dhe ish-zëvendësministër. “Tani shanset që ai të marrë pjesë në paradën e 9 majit, janë të barabarta me zero”, shtoi ai.

Megjithatë, Putin u shfaq në paradë, madje mbajti edhe një fjalim rreth 10 minuta. “Unë pashë pamjet, dhe ai duket më i vjetër dhe më i lodhur… nëse është një sozi, është jashtëzakonisht e mirë”, shkroi Paul Baldwin për Express UK.  Megjithatë, sipas tij vetëm Putini mund t’i thotë me aq qetësi aq shumë gënjeshtra. “Kush tjetër do të ishte në gjendje të thoshte gënjeshtër pas gënjeshtre”, argumenton ai.

Tre sozitë e Putinit

Gjeneralmajor Kyrylo Budanov, kreu i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, ka thënë shpesh se udhëheqësi rus përdor sozi, që fillimisht shfaqeshin vetëm në "raste të veçanta", por që nga pushtimi i Ukrainës janë bërë një "praktikë e zakonshme". "Ne dimë se janë tre persona", tha Budanov në tetor. “Të gjithë kanë bërë operacione plastike për t'u dukur njësoj”, shtoi ai. Sipas tij, e vetmja gjë që i tradhton është gjatësia. Sozitë, një element i përsëritur në historinë dhe kulturën ruse, nga Dimitri i rremë te Dostojevski, janë përdorur edhe nga ish-udhëheqësit sovjetikë Stalin dhe Leonid Brezhnev. Edhe vetë ka thënë para disa vitesh se zyrtarët e Kremlinit kishin menduar të përdornin sozi për të, por tha se nuk kishte pranuar.

Frikë për jetën

Sakaq, shpesh kanë qarkulluar thashetheme se Putin fshihet në një bunker, ndaj edhe shmang daljet publike. Së fundmi, Kremlini i hodhi “benzinë zjarrit”, kur sekretari i shtypit i Dmitry Peskov tha për agjencinë e lajmeve RIA Novosti se presidenti rus Vladimir Putin po punon nga bunkeri i rezidencës së tij në Novo-Ogaryovo afër Moskës.

Pretendimet erdhën pikërisht pasi presidenti rus i mbijetoi një sulmi me dron në pallatin e Kremlinit. Kremlini e cilësoi sulmin ndaj Kremlinit si një "akt terrorist" dhe shtoi se forcat ushtarake dhe të sigurisë ruse i çaktivizuan dronët para se të mund të sulmonin. Po ashtu shtoi se presidenti Vladimir Putin nuk kishte marrë asnjë dëmtim.

Problemet me shëndetin

Sakaq, inteligjenca britanike beson se Putini është shumë i sëmurë. Media të ndryshme shkruajnë mund të ketë kancer, ndërsa disa ekspertë pretendojnë se ai ka një sërë sëmundjesh. Disa thonë se ai po vuan nga tiroidet ose nga stomaku, ndërsa të tjerë janë të bindur se presidenti rus ka sëmundjen e Parkinsonit në fazën e hershme. Shpesh, thashethemet në lidhje me shëndetin e Putinit, janë nxitur nga zakoni i tij për t’u kapur fort pas tavolinave dhe për të bërë lëvizje të çuditshme me këmbët. Megjithatë, Kremlini dhe ministrat këmbëngulin se ai gëzon shëndet të përsosur, duke hedhur poshtë çdo spekulim se ai mund të lërë luftën përgjysmë apo të largohet nga posti. Megjithatë, edhe kur të vdesë, nuk do të merret vesh menjëherë. Vdekja e diktatorit do të mbahej e fshehtë për disa javë, mbase dhemuaj, siç shkruajnë mediat britanike, për shkak të frikës nga një grusht shteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat