“Shtëpia Ruse” në Berlin mbetet e hapur - përse?

Evropë

“Shtëpia Ruse” në Berlin mbetet e hapur - përse?

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 08:32
“Shtëpia Ruse” në Berlin është institucioni më i madh kulturor shtetëror i Rusisë në Evropë

“Shtëpia Ruse” në Berlin drejtohet nga një agjenci, së cilës BE i ka vënë sanksione. Por menaxhmenti i saj beson se sanksionet nuk kanë të bëjnë me objektin dhe ka mbështetës me influencë.

"Shtëpia Ruse" në Berlin është institucioni më i madh kulturor shtetëror i Rusisë në Evropë. Misioni i saj është të përhapë kulturën dhe gjuhën ruse. Qendra u hap në vitin 1984 në kryeqytetin e atëhershëm tëRDGJ-së si "Shtëpia e Shkencës dhe Kulturës Sovjetike". Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës "Shtëpitë ruse" në Rumani, Slloveni, Sllovaki, Kroacidhe Maqedoninë e Veriutjanë mbyllur. Edhe në Berlin aktivistët ukrainas kanë demonstruar disa herë kundër "Shtëpisë Ruse" duke kërkuar mbylljen e saj, por pa sukses.

Sanksione apo jo: "Shtëpia ruse” mbetet e hapur

Institucioni kulturor drejtohet nga Rossotrudnichestvo, një autoritet rus që është në listën e sanksioneve të BE. Në faqen e tijj thuhet se ai është i përfaqësuar në 80 vende të botës me 87 degë, të cilat quhen jozyrtarisht "Shtëpitë Ruse" që nga viti 2021.

Megjithatë drejtori i "Shtëpisë Ruse" në Berlin, Pavel Isvolsky, shpjegon se sanksionet e BE kundër Rossotrudnichestvo nuk vlejnë për "Shtëpinë Ruse". Sepse "Shtëpia Ruse" është një person juridik i pavarur dhe nuk përmendet fare në listat e sanksioneve të BE. "Fakti që "Shtëpia Ruse” financohet nga Rossotrudnichestvo nuk do të thotë se shtëpia i nënshtrohet sanksioneve të vendosura kundër Rossotrudnichestvo”, tha ai për DW. Ai bazohet në një letër të avokatit nga Berlini Bertrand Malmendier, i cili jo vetëm përfaqësoi kompaninë ruse të naftës Rosneft në gjykatat gjermane në vitin 2022, por mbrojti edhe Viktor Medvedchuk në Ukrainë, një politikan pro rus atje dhe i besuar i ngushtë i Vladimir Putin.

"Kjo është një çështje e pakëndshme, sepse të jep përshtypjen se Republika Federale e Gjermanisë nuk po zbaton realisht sanksionet e vendosura nga BE dhe të cilat duhet të zbatohen edhe në Gjermani si e drejtë menjëherë e zbatueshme”, thotë avokati Patrick Heinemann për DW. Ai përfaqëson ish-deputetin e Bundestagut nga partia e gjelbër Volker Beck. Në fillim të vitit 2023 Beck paraqiti një ankesë kundër "Shtëpisë Ruse" për shkelje të dyshuara të ligjit të tregtisë së jashtme. Megjithatë prokuroria e Berlinit e ka ndaluar hetimin. Arsyeja: "Përgjegjësit kanë status diplomatik”.

Por tani Bertrand Malmendier ka bërë një ankesë kundër Volker Beck për dyshime të rreme. Në fillim të vitit 2023 Beck shkruante: "Nuk duhet të ndodhë që ndërsa njerëzit në Ukrainë po vriten nga ushtria ruse dhe qytetet ukrainase po bëhen shkrumb e hi, ambasadat kulturore të Putinit të organizojnë simpati për Kremlinin. Kjo duhet të marrë fund. . (...) Shtëpia ndoshta mund të gjente një kuptim të ri si qendër e ekzilit rus dhe bjellorus."

Mbështejte e rëndësishme për "Shtëpinë Ruse"

"Shtëpia Ruse" ka në krah jo vetëm një avokat të njohur, por edhe Komitetin Lindor të Ekonomisë Gjermane, drejtori i të cilit i shkroi sektorit të sanksioneve financiare të Bankës Federale Gjermane, Bundesbank, në mes të tetorit (letra është në dispozicion të DW). Në këtë letër thuhej se mbështesim "pa rezerva" sanksionet kundër Rusisë për luftën kundër Ukrainës, por se sanksionet kundër qendrës së kulturës ruse janë të gabuara. Ata "çojnë ujë në mullirin e propagandës ruse", e cila pretendon se Perëndimi në tërësi e sheh Rusinë si armik. "Ne i konsiderojmë sanksionet kundër "Shtëpisë Ruse” dhe ngrirjen e llogarive si absolutisht të gabuara”, shkruan drejtori i Komitetit Lindor, Michael Harms.

A janë vërtet të bllokuara llogaritë e "Shtëpisë Ruse"? Zyra e shtypit e Bundesbank refuzon të japë informacion për këtë. I vetmi konfirmim indirekt i kësaj është deklarata e zëdhënëses së Ministres së Jashtme ruse, Maria Zakharova. Në fillim të vitit 2023 ajo kërcënoi se, nëse Gjermania nuk zhbllokonte llogaritë e "Shtëpisë Ruse", Rusia do të merrte kundërmasa ndaj Institutit Goethe. Dhe me të vërtetë: në pranverën e vitit 2023 Banka Qendrore Ruse bllokoi llogaritë e Institutit Goethe.

Edhe drejtuesi i "Shtëpisë Ruse" i shmanget pyetjes së drejtpërdrejtë për bllokimin e llogarive. Ai thotë se kanë "procedura të caktuara për kryerjen e transfertave online”, se llogaritë funksionojnë dhe mund të kryhen të gjitha transfertat e nevojshme, megjithëse procedura është bërë më e ndërlikuar./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat