Rusëve u zbehet pak besimi në ushtri

Evropë

Rusëve u zbehet pak besimi në ushtri

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 18:45
Foto ilustrim

Moska kishte premtuar një fitore të shpejtë kur nisi luftën në Ukrainë. Ani pse kaluan pothuajse dy vjet, fundi i luftës nuk po shihet.

E kjo ka ndikuar që rusëve t’i ulet pak besimi në ushtri, edhe pse ende mbetet i lartë, sipas një sondazhi të Gallup, i cili u publikua të martën.

Pengesat në fushën e betejës kanë “ngjallur pakënaqësi”, sipas Gallup.

Pas gati dy vjet luftimesh në Ukrainë, ka pasur rritje të viktimave nga pala e ushtrisë ruse dhe ajo ukrainase që nga fillimi i luftës në shkurt të 2022-tës.

Moska njoftoi një mobilizim të pjesshëm prej 300 mijë burrash në shtator 2022, duke shkaktuar protesta në të gjithë vendin.

Më vonë ajo parashtroi plane për të rritur madhësinë e ushtrisë me më shumë se 30% në 2023, raporton Euronews.com.

Tre në katër rusë (75%) të intervistuar nga Gallup këtë verë thanë se kishin besim në ushtri, nga 80% e matur në fillim të pushtimit.

Por, te asnjë grup i vetëm demografik nuk pati rritje të besimit këtë vjeshtë, me burra dhe gra, të rinj e të moshuar, të pasur dhe të varfër, të gjithë që shprehnin më pak besim në forcat e armatosura të Rusisë.

“Nëse besimi i njerëzve te ushtria vazhdon të bjerë në vitin 2024, kjo mund të përbëjë një sfidë edhe më të madhe për udhëheqjen ruse në ruajtjen e mbështetjes publike për konfliktin që ende nuk e ka fituar”, shkroi Gallup në faqen e saj të internetit.

Ruajtja e moralit publik është gjithashtu një çështje në Ukrainë, ndërsa lufta po vazhdon.

Sondazhi i Gallup-it zbuloi se besimi në ushtri ishte ende “i fortë”, me tre në çdo katër të rritur të sigurt në ushtarët e tyre.

Sondazhi i tyre zbuloi, në të njëjtën kohë, se besimi i rusëve në institucionet e tjera ishte rritur, pavarësisht rrënimit të besimit në ushtri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat