Danimarka miraton ligjin që ndalon djegien e Kuranit

Evropë

Danimarka miraton ligjin që ndalon djegien e Kuranit

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 18:05
Një kopje e Kuranit.

Parlamenti i Danimarkës e ka ndaluar “trajtimin joadekuat” të teksteve fetare – projektligj që në këtë shtet njihet si ligji për Kuranin.

Shkelësit tani përballen me gjoba apo burgim prej dy vjetëve.

Projektligji është miratuar me 94 vota për dhe 77 kundër.

Dokumenti është miratuar pas një serie të djegieve të librit të shenjtë në Islam, veprime që kanë nxitur tensionet në shtetet myslimane.

Danimarka dhe Suedia fqinje, kanë regjistruar së fundi disa protesta, për shkak të këtyre incidenteve, çka ka rritur shqetësimet për sigurinë në Skandinavi.

Përgjatë debatit të së enjtes në parlament, shumë deputetë të opozitës janë deklaruar kundër projektligjit.

“Historia do të na gjykojë ashpër për këtë gjë, dhe me arsye… në fund do të ketë rëndësi nëse kufizimet në liri të shprehjes janë të përcaktuara prej nesh, apo nëse janë të diktuara prej jashtë”, ka thënë Inger Stojberg, lidere e demokratëve të Danimarkës.

Mirëpo, koalicioni qeveritar i qendrës së djathtë, i kryeministres Mette Frederiksen, ka thënë se kritikat ndaj fesë do të jenë ligjore, pasi ligji do të ketë vetëm ndikim margjinal.

Në fund të gushtit, kur Qeveria i ka propozuar ndryshimet, ka thënë se dëshiron të dërgojë sinjal te bota.

Edhe Qeveria në Stokholm ka thënë se është duke shqyrtuar projektligj të ngjashëm.

Si Danimarka, ashtu edhe Suedia, i kanë shfuqizuar që një kohë ligjet për blasfeminë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat