Vrasësi masiv norvegjez Breivik në “depresion të thellë”, thotë avokati i tij

Evropë

Vrasësi masiv norvegjez Breivik në “depresion të thellë”, thotë avokati i tij

Më: 8 janar 2024 Në ora: 16:48
Anders Behring Breivik gjatë seancës dëgjimore më 8 janar në Tyristrand, Norvegji.

Avokati i vrasësit masiv norvegjez, Anders Behring Breivik, i tha gjykatës të hënën se ai po vuan nga “depresioni i thellë” dhe nuk dëshiron më të jetojë dhe kërkoi që ai të largohet nga izolimi në burg.

Fanatiku i ekstremit të djathtë - i vrau 77 njerëz gjatë një sulmi të tërbuar me bombë dhe të shtëna në vitin 2011 - e ka paditur shtetin, duke argumentuar se kushtet e burgut i shkelin të drejtat e tij njerëzore.

Breivik u fut në sallën e gjyqit për seancën dëgjimore të së hënës i shoqëruar nga tri roje të sigurimit. Ai nuk tha asgjë dhe qëndroi ulur derisa ekipi i tij e shtroi çështjen.

“Ai është mbajtur i izoluar për 12 vjet... ai jeton në një botë plotësisht të ngujuar”, tha para gjykatës avokati i tij, Oeystein Storrvik.

“Ai nuk dëshrion të jetojë më”, shtoi Storrvik. Në një incident në vitin 2018, Breivik shkroi në murin e qelisë së tij “MË VRITNI” duke përdorur jashtëqitjen e vet, tha avokati.

Breivik u vrau tetë njerëz me një bombë në veturë në Oslo, pastaj 69 të tjerë me armë zjarri, shumica e të cilëve ishin adoleshentë, në një kamp për të rinj të Partisë Laburiste më 22 korrik 2011.

Ky është krimi më i rëndë në historinë e kohës paqësore të Norvegjisë.

Avokatët që e përfaqësojnë Ministrinë e Drejtësisë thonë se Breivik duhet të mbahet i izoluar nga pjesa tjetër e të burgosurve, për shkak se vazhdon të jetë kërcënim i vazhdueshëm i sigurisë.

“Për një të burgosur tejet të rrezikshëm nevojiten masa të jashtëzakonshme”, tha avokati Andreas Hjetland në gjykatë të hënën.

“Ai ende ndihet krenar për atë që e ka bërë. Ai ende mban qëndrimet e njëjta ideologjike”, shtoi ai.

Breivik e tundi kokën në shenjë mospajtimi.

Breivik është duke e kryer një dënim me 21 vjet burgim – dënimi më i rëndë që mund ta japë një gjykatë norvegjeze – i cili mund të zgjatet për aq gjatë sa ai cilësohet kërcënim për shoqërinë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat