Zyrtarët e BE-së “shumë të kujdesshëm” për çështjet e sigurisë gjatë takimeve me zyrtarë të Serbisë

Evropë

Zyrtarët e BE-së “shumë të kujdesshëm” për çështjet e sigurisë gjatë takimeve me zyrtarë të Serbisë

Më: 7 mars 2024 Në ora: 12:08
Flamujt e Bashkimit Evropianë valëviten jashtë selisë së Komisionit Evropian në Bruksel, Belgjikë. Fotografi ilustruese.

Raportet e ngushta të Serbisë me Rusinë, përfshirë edhe në fushën e shërbimeve të zbulimit, kanë ndikim në kontaktet e zyrtarëve të Bashkimit Evropian me zyrtarë të Serbisë dhe në këto kontakte, BE-ja është “shumë e kujdesshme”.

Kështu kanë thënë për Radion Evropa e Lirë burimet evropiane, duke përsëritur se “kur është fjala për interesat strategjike të BE-së në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe ruajtjes së konfidencialitetit, Serbia ka shumë pak besim në sytë e partnerëve evropianë”.

“Ne e dimë shumë mirë se me kënd kemi punë kur kemi kontakte dhe takime me këdo nga Serbia. Të gjitha institucionet dhe të gjitha vendet anëtare janë shumë mirë të vetëdijshëm për lidhjet që autoritetet zyrtare kanë me Moskën në fusha të ndryshme, prandaj e trajtojmë Serbinë në mënyrë përkatëse”, ka thënë një burim evropian duke shtuar se, “u kushtohet kujdes këtyre kontakteve dhe natyrisht me ta nuk ndahen informatat e ndjeshme që mund të jenë interesante për Rusinë apo Kinën”.

“Me fjalë të tjera kur është fjala për konfidencialitetin, sigurinë, mbrojtjen, shërbimet e zbulimit dhe interesat strategjike të BE-së, Serbia ka shumë pak kredibilitet në sytë e partnerëve evropianë”, kanë thënë këto burime.

Ndërkohë, mediat në Bruksel dhe në rajon kanë shkruar për rastet që Rusia përdor edhe shtetasit e Serbisë për t’u infiltruar në institucionet e Bashkimit Evropian. Është përmendur rasti i një aktivisti nga Serbia, i cili dyshohet se është bashkëpunëtor i shërbimit të zbulimit të Rusisë, e i cili ka pasur takime në Bruksel edhe me disa deputetë të Parlamentit Evropian.

Për këtë ka shkruar portali Politico duke përmendur emrin e sindikalistit ushtarak nga Serbia, Novica Antiq.

Por, në shërbimin e veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS), që është shërbimi diplomatik, thonë se me personin në fjalë askush nuk ka pasur kontakte.

“Ne nuk mund t’i komentojmë takimet në institucionet tjera të BE-së apo përfaqësive të tyre. Në emër të EEAS, mund të konfirmoj se nuk ka pasur kontakte nga zyrtarët e EEAS me personin në fjalë, dhe ai nuk e ka vizituar EEAS-in në periudhën e përmendur”, ka thënë Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë.

Sa u përket raportimeve për bashkëpunimin e shërbimeve të zbulimit të Serbisë dhe atyre të Rusisë, dhe ndikimit që ai ka në bashkëpunimin e BE-së me Serbinë në çështjet e sigurisë, Stano ka thënë:

“Serbia ka aplikuar dhe është duke negociuar për anëtarësim në BE. Vendimet e Serbisë duhet të nënkuptojnë se ky vend duhet të përshtatet me BE-në, përfshirë edhe në fushën e politikës së jashtme. Bashkimi Evropian dëshiron të llogarisë në Serbinë si në një partner të besueshëm për parimet e përbashkëta, vlerat, sigurinë dhe prosperitetin”.

“Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë me partnerët tanë, përfshirë vendet kandidate si Serbia. Raportet me Rusinë nuk mund të jenë si një punë e përditshme sikur asgjë të mos ketë ndodhur në kohën kur regjimi i Putinit vazhdon invazionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar në Ukrainë. Rusia, politikat e saj dhe aktivitetet paraqesin kërcënim direkt për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë dhe në këtë dritë, duhet të trajtohet Rusia”
, ka thënë Stano.

Serbia vazhdon të jetë i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili nuk i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe nuk është përshtatur as me qëndrimet tjera të BE-së në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë, sidomos kur është fjala për raportet me Rusinë.

Por, në BE thonë se janë të vetëdijshëm edhe për raportet e Serbisë me Rusinë në fushën e sigurisë.

Pas zgjedhjeve të fundit në Serbi, që u mbajtën në dhjetor të vitit 2023, për të cilat janë shprehur shumë shqetësime për parregullsi, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka thënë publikisht se falënderon shërbimet e Rusisë që u kanë treguar autoriteteve serbe për planet për protesta të motivuara edhe nga vendet perëndimore. Pohimet e tilla i kanë hedhur poshtë nga BE-ja./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat