LIVE: Rusia nis një sulm në qytetin Kupiansk - Inteligjenca ruse: Franca po përgatit 2000 trupa për t’i dërguar në Ukrainë

Evropë

LIVE: Rusia nis një sulm në qytetin Kupiansk - Inteligjenca ruse: Franca po përgatit 2000 trupa për t’i dërguar në Ukrainë

Nga: Bota sot Më: 19 mars 2024 Në ora: 06:47 Përditësuar në ora: 23:06 më 19.03.2024
Pamje nga lufta në Ukrainë

Një oficer policie është plagosur në sulmin rus

Nga: A.Sh

Rusia ka nisur një sulm në qytetin Kupiansk në rajonin verior të Kharkiv të Ukrainës, sipas zyrës së prokurorit ukrainas.

Qyteti u sulmua rreth orës 17:30 me orën lokale.

Informacionet paraprake sugjerojnë se Rusia ka përdorur raketahedhës Uragan, të cilat thuhet se kanë dëmtuar ndërtesat e banimit.

Për pasojë ka mbetur i plagosur një punonjës policie.

Fshati Mokra Rokytna, gjithashtu në Kharkiv, u sulmua më herët gjatë ditës.

Kharkiv është përballur pothuajse çdo ditë me sulme që nga shpërthimi i luftës për shkak të afërsisë me kufirin me Rusinë.

Inteligjenca ruse: Franca po përgatit 2000 trupa për t’i dërguar në Ukrainë

Drejtori i Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës ruse, Sergey Naryshkin, ka thënë se Rusia ka informacione se Franca tashmë po përgatit një kontigjent ushtarak për t’u dërguar në Ukrainë.

Ai deklaroi se francezët fillimisht do të dërgojnë rreth 2000 trupa ndërsa numri mund të rritet.

Sipas Naryshkin, një njësi kaq e madhe nuk do të mund të transferohet në mënyrë diskrete, kështu që do të bëhet “një objektiv për ushtrinë ruse”, raporton themoscowtimes.

Gazeta Le Monde botoi sot një shkrim autorial të gjeneralit Pierre Schille, shefi i shtabit të ushtrisë franceze, në të cilën ai deklaronte se Franca nuk është imune ndaj tensioneve që po shfaqen në mbarë botën dhe se vendi po përgatitet “për betejat më të vështira”.

Muajin e kaluar, presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se nuk do ta përjashtonte idenë e dërgimit të trupave evropiane në Ukrainë – megjithëse ai paralajmëroi se “asnjë konsensus” nuk është rënë dakord mes aleatëve.

“Asgjë nuk duhet të përjashtohet”, shtoi ai, “ne do të bëjmë gjithçka që duhet në mënyrë që Rusia të mos fitojë”.

Ndryshe, Italia, Gjermania, SHBA-ja, NATO kanë kundërshtuar mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë.

Fitoi mandatin e pestë në krye të Kremlinit, e veja e Navalnyt thirrje ndërkombëtarëve: Mos e njihni Putin si lider legjitim!

Yulia Navalnaya, e veja e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të refuzojë njohjen e presidentit Vladimir Putin si lider “legjitim” të shtetit, pas zgjedhjeve të fundjavës që “nuk kanë asnjë rëndësi”.

Duke folur për mbështetësit e saj, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, më 19 mars, Navalnaya ka bërë thirrje që të mos ketë dorëzim në të bërit opozitë ndaj Putinit, i cili lehtësisht i ka fituar më shumë se 87 për qind të votave në mungesë të rivalëve pasi ata janë burgosur, ose u është ndaluar gara.

“Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nuk kanë asnjë kuptim. Putini dëshiron t’i tregojë botës se ka shumë mbështetje”, ka thënë Navalnaya.

“Këto zgjedhje janë kryer, por asgjë nuk është përfunduar. E kundërta, ne duhet të mbledhim forcën dhe të punojmë më fortë sesa më parë”, ka shtuar ajo.

Putin e ka shpallur fitoren për mandatin e pestë presidencial, pas zgjedhjeve të mbajtura më 15-17 mars, të cilat janë dënuar prej Perëndimit, duke u cilësuar si as të drejta, as të lira.

Besohet që përmes këtyre zgjedhjeve, Putin ka tentuar të fitojë përkrahje për luftën e nisur në Ukrainë dhe politikat e tij gjithnjë e më shtypëse.

Putin, 71-vjeçar, i cili ka udhëhequr në Rusi, qoftë si president, apo si kryeministër, prej vitit 2000 – pritet të tejkalojë udhëheqësinë 30-vjeçare të Josef Stalinit, nëse do ta përfundojë këtë mandat të ri.

Kështu, ai do të mund të bëhet lideri rus që ka shërbyer më së gjati në dy shekujt e fundit.

Vëzhguesve të pavarur u është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje, për herë të parë në historinë post-sovjetike të Rusisë, kanë thënë ekspertët.

Në video, Navalnaya i ka lavdëruar rusët që kanë marrë pjesë në protestën e 17 marsit, që është organizuar nga ndihmësit e Navalnyt në Rusi dhe vende tjera.

Ajo aktualisht është duke jetuar jashtë Rusisë, mirëpo është zotuar se do ta vazhdojë luftën e burrit të saj “për një Rusi të mrekullueshme në të ardhmen”.

Burri i saj, Aleksei, ka vdekur më 16 shkurt, në një prej burgjeve më famëkeqe të Rusisë, në rrethana të dyshimta.

Navalnaya dhe shumë qeveri perëndimore e fajësojnë Putinin për vdekjen e kritikut të Kremlinit.

Putin takim me agjencinë e spiunazhit: Të ndihmojë kompanitë të rrëzojnë sanksionet perëndimore

Ekuivalenti i sotëm i Rusisë me KGB-në e epokës sovjetike duhet të ndihmojë kompanitë të rrëzojnë sanksionet perëndimore, ka thënë Vladimir Putin. Në një fjalim në takimin vjetor të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), Putin tha se spiunët e tij duhet të punojnë me agjenci të tjera për të rritur sigurinë e sistemeve bankare dhe financiare. Ai i tha FSB-së të “mbështesë kompanitë tona që zhvillohen në mënyrë aktive pavarësisht pengesave të krijuara për to dhe që po eksplorojnë tregje të reja, por po përballen me veprime haptazi armiqësore” nga Perëndimi.

Po, ato na krijojnë probleme të përkohshme”, tha Putin, duke shtuar se ai kishte folur me qeverinë se si sanksionet kanë ndikuar në disa projekte të mëdha. “Por gjithçka, natyrisht, do të bëhet gjithsesi”, shtoi ai.

Në një përpjekje për të minuar ekonominë e Rusisë dhe për të detyruar një ndryshim kursi, Perëndimi vendosi sanksione ndaj Rusisë, të cilat u cilësuan si më të ashprat ndonjëherë menjëherë pas pushtimit të Ukrainës në 2022.

Putin, megjithatë, thotë se ekonomia ruse e kohës së luftës ka lulëzuar pavarësisht sanksioneve, me prodhimin e predhave të artilerisë që tejkalojnë atë të Perëndimit dhe ekonomia u rrit me 3.6% vitin e kaluar.

KGB-ja ishte një nga institucionet më të fuqishme në Bashkimin Sovjetik, me ndikim që shtrihej shumë përtej kufijve të vendit derisa humbi shumë nga fuqia e saj kur bashkimi ra në vitin 1991. Por vetëm tetë vjet më vonë, KGB-ja, në atë kohë FSB, kishte një të vetin, zotin Putin, si mjeshtër të Kremlinit.

Austin: Të mos gënjejmë veten, Putini nuk do të ndalet në Ukrainë

Ukraina ka vazhduar të rrëzojë dronët e nisur nga forcat ruse, të cilat kanë bërë edhe sulme me artileri për të bombarduar zonat e rajoneve kufitare. Ndërkaq sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin u zotua të martën se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Ukrainës në luftën kundër Rusisë, megjithëse Kongresi amerikan vazhdon të mos miratojë fondet për dërgimin e armatimeve të reja.

Mesazhi i sekretarit amerikan të Mbrojtjes iu drejtua udhëheqësve të mbi 50 vendeve nga Evropa dhe mbarë bota, të cilët janë mbledhur në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani.

“Shtetet e Bashkuara nuk do ta braktisin Ukrainën. Ky koalicion nuk do të lejojë që Ukraina të dështojë. Dhe bota e lirë nuk do ta lërë Ukrainën të dështojë”, tha ai.

Sekretari Austin paralajmëroi të martën se agresioni rus nuk do të ndalet me Ukrainën.

“Zonja dhe zotërinj, le të mos gënjejmë veten: Putini nuk do të ndalet në Ukrainë. Por siç ka thënë presidenti Biden, Ukraina mundet ta ndalë Putinin, nëse e mbështesim Ukrainën dhe i japim armët që i duhen për t’u mbrojtur. Rrezikohet mbijetesa e Ukrainës dhe e gjithë siguria jonë”, tha sekretari Austin.

Ukraina ndërkaq ka vazhduar të rrëzojë dronët e dërguar nga forcat ruse, të cilat kanë sulmuar edhe me artileri, duke lënë pas zona të tëra të shkatërruar në rajonet kufitare, si rajoni Sumy.

Takimi në Gjermani zhvillohet vetëm një javë pasi zyrtarët amerikanë të mbrojtjes arritën të mbledhin 300 milionë dollarë nga ulja e kostove të kontratave për të financuar ndihmat e radhës për Ukrainën, duke tërhequr armatim nga rezervat aktuale të Pentagonit.

Kjo ishte dërgesa e parë e armatimeve që nga dhjetori, megjithëse kushtet në fushëbetejë në Ukrainë janë rënduar gjithnjë e më shumë.

Së bashku, grupi i kontaktit do të shtojë përpjekjet për të siguruar ndihmën jetike për Ukrainën. Republika Çeke ofroi rishtazi 800 mijë predha artilerie shumë të nevojshme. Gjermania, Franca, Danimarka dhe Suedia ka njoftuar rishtazi ndihma të reja të rëndësishme ushtarake. Këto janë investime për betejën e drejtë të Ukrainës ndaj agresionit rus. Dhe këto janë investime edhe për sigurinë tonë të përbashkët, për sigurinë evropiane dhe sigurinë globale”, tha sekretari Austin.

Kongresi amerikan vazhdon të jetë në ngërç për këtë çështje prej muajsh, megjithëse është paraqitur një projektbuxhet prej 95 miliardë dollarësh, nga i cili 60 miliardë dollarë janë propozuar si ndihma për Ukrainën.

Zyrtarët amerikanë thonë se ekziston mbështetje e mjaftueshme dypartiake për ta miratuar këtë propozim, por një numër republikanësh e kundërshtojnë atë dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson refuzon ta përfshijë në kalendarin e votimit.

Njësitë franceze në Ukrainë do të ishin objektiva kryesore, paralajmëron Rusia

Çdo njësi ushtarake franceze e dërguar në Ukrainë do të ishte objektiv kryesor, ka thënë shefi i inteligjencës së jashtme të Rusisë.

“Ai [një kontingjent francez] do të bëhet objektiv kryesor dhe legjitim për sulmet nga forcat e armatosura ruse”, tha Sergei Naryshkin

“Kjo do të thotë se do ta priste fati i të gjithë francezëve që kanë ardhur ndonjëherë në territorin e botës ruse”, shtoi ai, raporton skynews.

Muajin e kaluar, presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se nuk do ta përjashtonte idenë e dërgimit të trupave evropiane në Ukrainë – megjithëse ai paralajmëroi se “asnjë konsensus” nuk është rënë dakord mes aleatëve.

“Asgjë nuk duhet të përjashtohet”, shtoi ai, “ne do të bëjmë gjithçka që duhet në mënyrë që Rusia të mos fitojë”.

Ndryshe, Italia, Gjermania, SHBA-ja, NATO kanë kundërshtuar mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë. 

Moldavia mund të jetë “Ukraina e dytë”, Rusia nis punën për aneksimin e një territori shumë të rrezikshëm, ja pse Moska po rindez konfliktet e 30 viteve më parë

Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në dhjetor 1991, Rusia pothuajse vazhdimisht ka zhvilluar - ose të paktën provokuar, luftëra kundër fqinjëve të saj. I pari nga këto konflikte erdhi pak më shumë se dy muaj pas rënies së perandorisë sovjetike, përkatësisht në fillim të marsit 1992 në ish-republikën e vogël sovjetike të Moldavisë.

Dy vjet më parë, separatistët pro-Moskës në Transnistria, një rrip i hollë toke në bregun lindor të lumit Dniestër në Moldavinë lindore, shpallën një republikë nën pretekstin e mbrojtjes së rusëve dhe gjuhës ruse. Deri më sot, ajo nuk është njohur nga asnjë vend në botë. Armiqësitë jashtëzakonisht të përgjakshme në pranverën e vitit 1992 zgjatën vetëm disa muaj. Por trupat ruse janë stacionuar në Transnistri që nga ajo kohë, pavarësisht faktit se Kremlini nënshkroi një marrëveshje që premtonte t'i tërheqë ato 25 vjet më parë. Së fundmi, tensionet janë rikthyer, ashtu si edhe çështja, në vëmendjen e mediave dhe autoriteteve ndëkombëtare, ku kudo përfitet skenari i frikshëm, në të cilin Moldavia është “Ukraina e dytë.

Sulmi i Moskës

Në ditën e fitores në zgjedhje, Vladimir Putin provoi sërish në Transnistria. Një dron kamikaz shkatërroi një helikopter në një pistë në Tiraspol, kryeqyteti i republikës së vetëshpallur besnike ndaj Moskës. Një video u publikua nga autoritetet separatiste dhe kanalet propagandistike të Kremlinit dhe autoritetet pro-ruse nuk ngurruan të flisnin për një sulm nga forcat ukrainase.

Sipas Tiraspol, në fakt, avioni i drejtuar nga distanca që u përplas me mjetin ushtarak erdhi nga rajoni i afërt dhe kufitar i Odessa. Modus operandi do të ishte ai i forcave ukrainase që prej muajsh përdorin dronët kamikaze si armë luftarake në fushën e betejës. Sulmi misterioz, siç shkruan gazeta italiane La Repubblica, do të kishte ndodhur në një bazë ushtarake në periferi të Tiraspolit dhe nuk do të ishte gjë tjetër veçse një flamur fals, një inskenim i krijuar nga shërbimet sekrete ruse ose aleatët e tyre separatistë. Një veprim që mund të kishte shkaktuar një përshkallëzim në rajon, i cili prej muajsh është në prag të shpërthimit. Autoritetet moldave dhe inteligjenca ukrainase e përqafuan menjëherë plotësisht tezën e flamurit të rremë. Gjëja kryesore që nuk ishte bindëse ishte gjendja e helikopterit të shkatërruar: i rrëzuar, madje mungonte një dritare në kabinë, shumë e vjetër për t'u konsideruar si objektiv ushtarak.

Lufta e radhës

Në fakt, në pranverën e vitit 2022 dy sulme të tjera kundër po aq zyrave institucionale kishin lënë më shumë se një të dyshuar. Kjo tezë bëhet edhe më e fortë pas tensioneve të javëve të fundit. Ndërsa parlamenti separatist votoi unanimisht një mocion që bën thirrje për mbrojtjen e Putinit dhe forcave të Ushtrisë së Kuqe, Franca e Emmanuel Macron njoftoi dërgimin e një kontigjenti ushtarak në Moldavi, një vend që nuk është pjesë e BE-së dhe NATO-s. Një veprim që rrit më tej tensionin duke pasur parasysh praninë e njëkohshme në Transnistri të një task force ruse prej më shumë se dy mijë ushtarësh. Dhe kush e di nëse tani Putini, pas dy vitesh inaktiviteti të qëllimshëm në zonë dhe duke pasur parasysh peshën gjithnjë në rënie që kanë konfliktet evropiane për Shtëpinë e Bardhë dhe fushatën elektorale të SHBA-së, do të zgjedhë ta transformojë rajonin në një front të ri në përballjen e tij me Perëndimin.

“Ukraina e dytë”

Nga një këndvështrim politik, Moldavia është po aq e humbur ndaj Rusisë sa edhe Ukraina. Dhjetorin e kaluar, BE-ja vendosi të hapë negociatat e pranimit me Moldavinë. Shumica e moldavëve janë pro-Evropës, shumë prej tyre kanë pasaporta rumune, dhe për rrjedhojë të BE-së, dhe qindra mijëra punojnë në vendet e BE-së.

Megjithatë, lufta hibride e Moskës kundër vendit tregon se ajo ende nuk ka hequr dorë nga pretendimi i saj ndaj Moldavisë dhe do ta sulmonte atë nëse rrethanat ishin të përshtatshme.Zgjedhjet presidenciale dhe një referendum për pranimin e vendit në BE do të mbahen këtë vjeshtë. Sipas ministrit të jashtëm moldav Mihai Popsoi, autoritetet "po shohin tashmë përpjekje për të destabilizuar situatën " në vend.

Putin do të vizitojë Kinën në maj

Presidenti rus, Vladimir Putin, do të udhëtojë në Kinë në maj për bisedime me Xi Jinping, në atë që mund të jetë udhëtimi i parë jashtë shtetit i shefit të Kremlinit në mandatin e tij të ri presidencial.

Qeveritë perëndimore dënuan të hënën rizgjedhjen e Putinit si të padrejtë dhe jodemokratike. Por Kina, India dhe Koreja e Veriut e uruan udhëheqësin për zgjatjen e sundimit të tij me gjashtë vjet të tjera, duke theksuar linjat e gabimeve gjeopolitike që janë zgjeruar që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

“Putini do të vizitojë Kinën”, tha për Reuters një nga burimet, i cili foli në kushte anonimiteti. Detajet u konfirmuan në mënyrë të pavarur nga katër burime të tjera, të cilët gjithashtu folën në kushte anonimiteti.

Një tjetër nga burimet tha se udhëtimi i Putinit në Kinë do të ndodhte ndoshta në gjysmën e dytë të majit. Dy nga burimet thanë se vizita e Putinit do të vinte përpara udhëtimit të planifikuar të Xi në Evropë.

Kremlini, i pyetur për raportin e Reuters, tha se informacioni mbi vizitat e Putinit do të publikohej më afër datës, shkruan Reuters.

Borrell dëshiron të përdorë 90% të të ardhurave të ngrira të aseteve ruse për të blerë armë për Ukrainën

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të martën se ai do të propozojë që BE-ja të përdorë 90 për qind të të ardhurave nga asetet ruse të ngrira në Evropë për të blerë armë për Ukrainën nëpërmjet fondit Evropian të Paqes.

Kryediplomati i BE-së u tha gazetarëve në Bruksel se do të propozonte që 10 për qind e mbetur të transferohej në buxhetin e BE-së për t’u përdorur për të rritur kapacitetin e industrisë së mbrojtjes ukrainase.

Ai tha se do t’ua paraqesë propozimin vendeve anëtare të BE të mërkurën, përpara një samiti të krerëve të BE të enjten dhe të premten.

Borrell theksoi se propozimi ishte të përdoreshin fitimet nga asetet e mbajtura në Evropë dhe jo nga vetë asetet. Ai tha se kjo mund të sjellë rreth 3 miliardë euro në vit.

“Propozimi konkret do të paraqitet nesër. Kjo është për shtetet anëtare që të bien dakord”, tha ai, raporton Reuters.

Carl Bildt flet për luftën e Putinit dhe momentin e së vërtetës për Evropën!

Nga: H.R

Ekziston një tension i madh në Europë, nëse SHBA do të vazhdojë mbështetjen e saj ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën…)

Disa ekspertë kanë paralajmëruar pasojat për ukrainasit, nëse kjo mbështetje nuk vjen. Po kështu mendon edhe ish-kryeministri i Suedisë.

- Nëse amerikanët e bëjnë këtë, vërtet do të ishte një moment i së vërtetës për Europën, thotë Carl Bildt në një intervistë të fundit për TV suedeze…)

Dagsavisen u është referuar ekspertëve të cilët bëjnë thirrje për "sigurimin e Europës nga Donald Trump", nga frika se Putini dhe Rusia mund të kenë kushte shumë më të lehta pune me Ukrainë nëse ish-presidenti Trump kthehet në korridoret e pushtetit në Uashington D.C.

- A mund të sigurohet BE-ja "nga Trump"?

Kjo mbetet për t'u parë, por është e rëndësishme të mendohet mjaft mirë për këtë pyetje, deklaron Carl Bildt.

Bildt, tani është bashkë kryetar i grupit të mendimit në Këshillin Europian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR) dhe ndjek nga afër politikën europiane dhe luftën në Ukrainë. Ky përdoret shpesh si ekspert në mediat suedeze dhe të huaja.

Kur u pyet nga TV4, nëse ai mendon se Evropa është e përgatitur të ndihmojë Ukrainën, nëse SHBA ndalon ndihmat, ai u përgjegj kështu;

- Jo, por kjo nuk do të thotë se Europa nuk mund të përgatitet për këtë. Prodhimi i municioneve nga Veriorët është duke u shtuar, pra, shumë gjëra po ndodhin, por tani për tani varësia nga SHBA është e madhe…)

Edhe Fiona Hill ka qenë në të njëjtit  mendim me C. Bildt.

Britaniko-Amerikanja Hill, ish-këshilltare  e Donald Trumpit, konsiderohet një nga ekspertet kryesore në botë për politikën e sigurisë dhe Rusinë. 58-vjeçarja është kreu i kërkimit në institutin e njohur Brookings Institution në SHBA. Kjo personalisht beson se është koha e fundit për Europën  të mendojë dhe të shpenzojë më shumë kohë dhe para për sigurinë e vetë!  Pa padyshim ka ardhë një  kohë për më shumë autonomi në Europë, tha ajo së fundmi për Dagsavisen.

Kur Donald Trump ishte president, vazhdimisht mendonte ai se, sa para shpenzon Gjermania, Japonia,Koreja e Jugut etj. Pra, nuk janë vetëm aleatët e Amerikës në NATO të cilët janë në rrezik. Trump ka një pikëpamje të biznismenit për botën. Në një farë mënyre ai përcepton një pjesë të Europës si pronë të përbashët, kurse veten si pronar! "Nëse nuk paguani, nuk merrni mbrojtje." Kjo është mënyra se si ai mendon, shpjegoi Hill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat