Një burrë bullgar ka thënë të premten se ka sulmuar gazetaren televizive, Viktoria Marinova, vdekja e së cilës ka rezultuar me dënim ndërkombëtar, sepse pjesërisht ishte konsideruar si sulm që mund të kishte qenë i motivuar politikisht, transmeton Rueters.
Severin Krasimirov, 21 vjeçar, është akuzuar për dhunim, rrahje brutale dhe vrasje në rastin e Marinovas dhe është rikthyer në paraburgim.
Radioja Kombëtare Bullgare ka raportuar se ai ka folur para gazetarëve pasi është dërguar në gjykatën e qytetit verior, Ruse.
“Nuk e di çfarë ka ndodhur. Nuk më kujtohet asgjë. Kam shkuar atje dhe e kam goditur, ajo ka rënë. Kur unë kam dashur të largohem ajo më ka kapur”, ka thënë Krasimirov para gazetarëve në shkallët e ndërtesës së gjyqit.
“Po unë jam fajtor dhe më vjen shumë keq. Nuk mund të besoj se e kam bërë këtë”, ka thënë Krasimirov, kur është pyetur nga gazetarët nëse planifikon të dëshmojë në gjykatë se është fajtor.
Mirëpo një prokuror i ka thënë më pas agjencisë së lajmeve, Reuters se atij nuk i është kërkuar të deklarohet në seancë.
Nëse dënohet, ai do të përballet me dënim pa mundësi të lirmit me kusht.
Marinova, 30 vjeçare, e cila ka udhëhequr një emision të çështjeve aktuale, është gjetur e vdekur në një park afër Lumit Danub më 6 tetor.
Policia ka thënë se ajo është rrahur, dhunuar dhe më pas vrarë.
Prokurorët kanë thënë se nuk kanë asnjë të dhënë se vrasja e saj është e lidhur me punën që ka bërë, ndonëse janë duke hetuar të gjitha mundësitë.
Ndërkohë, hetuesit kanë thënë se ADN-ja e gjetur në trupin e viktimës përputhet me atë të Krasimirov.
Ministri i Brendshëm bullgar, Mladem Marinov ka njoftuar se ata veçse kanë mbledhur të dhëna shtesë kundër tij.
Krasimirov është ekstraduar nga Gjermania në Bullgari ditën e mërkurë.
Ai i ka thënë gjykatës në Gjermani se ka goditur një grua që nuk e ka njohur mirëpo nuk ka pas qëllim ta vrasë atë. Zyrtarët gjermanë kanë thënë se bazuar në deklaratat e Krasimirov, motivet e vrasjes nuk kanë qenë politike.