Mesazh i presidentit Ademi për ndarjen nga jeta të Mehmet Fetahut-Meksës

Futboll

Mesazh i presidentit Ademi për ndarjen nga jeta të Mehmet Fetahut-Meksës

Më: 23 maj 2021 Në ora: 16:39
Mesazh i presidentit Ademi për ndarjen nga jeta të Mehmet Fetahut-Meksës

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, është i tronditur me ikjen në amshim të trajnerit të njohur, Mehmet Fetahu - Meksa.

Mesazh ngushëllimi i presidentit Ademi për ndarjen nga jeta të Mehmet Fetahut-Meksës 

"E nderuara Familje Fetahu,

Me pikëllim të thellë mora lajmin se sot na la njeriu që i dha shumë futbollit, miku dhe bashkëveprimtari im, Mehmet Fetahu-Meksa, andaj në emrin tim dhe të KE të FFK-së, më lejoni të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut tuaj më të dashur.

Meksa ishte një personalitet shumë i afërt dhe i dashur për tërë komunitetin sportiv. Ai iku sot në përjetësi për të pushuar i qetë.
Futbolli ishte ai që e lidhi miqësinë tonë qysh në rininë e hershme, e cila më pas u bë e përhershme. Me Meksën luajtëm dhe kontribuuam për futbollin e Kosovës në të njëjtën kohë, derisa më pas ai e udhëhoqi si trajner klubin tim me shumë përkushtim.

Miqësia jonë ishte e veçantë deri në ditën e fundit të jetës së tij. Me Meksën kemi ndarë e përjetuar shumë gjëra, prandaj ikja e tij në botën e përjetshme është një humbje e madhe jo vetëm për familjen e futbollin, por edhe për mua personalisht.

Meksa e dha kontributin e tij për futbollin në kohët më të vështira. Ai çdo herë punoi me seriozitet, profesionalizëm e zemërgjerësi dhe asnjëherë nuk u dorëzua. Falë punës së tij dolën shumë talente, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në futbollin e Kosovës.

Meksa ishte një prind dhe kryefamiljar i shkëlqyeshëm. Me këdo ishte i afërt, teksa zemërgjerësia dhe bujaria e tij bënte që ai të kishte rreth të gjerë të shoqërisë, jo vetëm nga komuniteti i futbollit por edhe nga sferat e tjera.

Miku im, Meksa, ikja jote është e hershme, andaj është vështirë të pajtohemi me mungesën tënde, por në këtë ditë të dhembjes së madhe gjejmë forcë të lutemi që të pushosh i qetë në përjetësi.

Veprimtaria jote do të mbetet gjithmonë pjesë e paharruar e futbollit tonë, derisa kontributin tuaj do ta kujtojmë përherë me krenari.

Jam i sigurt se edhe nga bota e përjetshme do na përcjellësh e do të na mbështetësh, por edhe do të krenohesh me çdo sukses të futbollit të Kosovës, për të cilin punove me aq përkushtim e ndershmëri.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!", shkruan Ademi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat