Hjulmand: Gati e humbëm lojtarin tonë më të mirë

Futboll

Hjulmand: Gati e humbëm lojtarin tonë më të mirë

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 13:46
Hjulmand: Gati e humbëm lojtarin tonë më të mirë

Kasper Hjulmand, trajneri i Danimarkës, foli në një konferencë shtypi përpara ndeshjes gjysmëfinale të “Euro 2020” kundër Anglisë. Si në të gjitha daljet e fundit, ishte e pashmangshme të mos kujtohej Kristian Eriksen dhe emocionet që lojtarët duhet të përballen përsëri.

“U përballëm me vdekjen në një mënyrë që kurrë nuk shpresoja ta bëja. Gati e humbëm lojtarin tonë më të mirë, mikun tonë më të mirë, thelbin e ekipit tonë dhe luftuam si të çmendur kundër emocioneve. Ne nuk dinim çfarë të bënim apo si ta kapërcenim, megjithatë ja ku jemi duke bërë krenarë jo vetëm Eriksenin, por të gjithë familjet dhe bashkëkombësit tanë”, deklaroi në fjalën e tij hapëse tekniku danez.

Por drama e Eriksenit ishte më e fortë për 49-vjeçarin. Në rrethana të ngjashme ai ka humbur xhaxhain disa vite më parë dhe këtë e pohoi gjatë konferencës së djeshme që paraprin këtë gjysmëfinale, teksa tha: “Për mua personalisht është një ndjesi e njohur pasi kam humbur xhaxhain i cili ishte duke luajtur në një fushë futbolli. Asokohe m’u nevojit një psikolog për të kapërcyer dramën që goditi familjen.

Dita të reagoja, siç po bëjnë edhe këta djem, por përvoja e hidhur mbetet e më bën të vlerësoj edhe më tepër këtë moment të jetës sime”. Më pas, vëmendja e trajnerit kaloi në sfidën e sotme të orës 21:00 në “Wembley”. Motivimet janë në nivele maksimale dhe duket sikur Hjulmand i ka mbaruar këshillat për lojtarët e tij.

“Gjatë gjithë turneut u përpoqëm të luftonim sa më mirë dhe luajtëm në mënyrë fantastike. Ne kemi treguar se kush jemi. Jam krenar për këta djem dhe për tifozët danezë që na mbështetën, duke na ‘infektuar’ me ngrohtësinë dhe pasionin e tyre. Ata na ndihmuan në këto momente të vështira ndaj edhe ne duam t’u dhurojmë emocione të tjera.

Uroj që kryeministri Boris Xhonson të zgjohet e t’i lejojë të vijnë për të shijuar këtë ndeshje magjike”, vijoi më tej Kasper Hjulmand. Një koment i fundit edhe për rivalin, për të cilin tekniku u shpreh: “Cilësinë e Anglisë mos prisni ta zbuloj unë sot. Ajo tashmë dihet siç e konfirmojnë rezultatet.

E dimë rëndësinë e përballjes, por kam besim se do të jemi në lartësinë e duhur. Kemi arritur deri këtu dhe nuk ka asnjë arsye që të mos besojmë në arritjen e finales”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat