Lala komenton raportin Broja - Reja

Futboll

Lala komenton raportin Broja - Reja

Më: 18 dhjetor 2021 Në ora: 13:06
Lala komenton raportin Broja - Reja

Altin Lala ka komentuar situatën dhe raportin mes Brojës dhe trajneri Reja.

Ky i fundit e ka pranuar në reagimin për “RTSH Sport” se nuk i kanë pëlqyer shumë sjellje të sulmuesit të Southampton, megjithëse është i vetdijshëm për aftësitë që mbart në vete. Në një intervistë për “Sport Neës”, legjenda e Shqipërisë, Lala, ka treguar mes të tjerash se shqiptarët shpeshherë e kthejnë në personale situatën dhe zgjedhin që të largohen duke vepruar në gjaknxehtësi. Sigurisht që vlerësimet e Lalës ishin nga më të mirat për Brojën për të kërkuar aktivizimin e tij.

“Trajneri është me eksperiencë dhe duhet të dijë të menaxhojë skuadrën. Ai di ta menaxhojë, unë mendoj që natyrisht kur vijnë elementë të rinj duhet t’u japësh shansin lojtarëve. Ai duhet të bazohet gjithmonë te skuadrat ku aktivizohen, nuk ke kohë me kombëtaren të përgatitesh për shumë kohë, por nëse je në formë me klubin atëherë shumica duhet të luajnë në formacion.

Reja ka eksperiencë shumë të madhe në futboll dhe kërkon të jetë i suksesshëm, edhe pse temën e Brojës e kam cekur pak që është sulmuesi më i mirë që kemi dhe duhet të jetë në formacion. Sjellja e mirë apo e keqe, nuk mund ta them, se e kam takuar vetëm një herë dhe më është dukur djalë i qetë, pavarësisht nëse ka të tjera sjellje në stërvitje apo ndeshje. Nuk është shumë aktivi në lojën kundër topit, por me aftësitë që ka përpara, për mendimin tim është lojtar që duhet të aktivizohet.

Me sa duket trajneri vë në dyshim këtë gjë dhe shpeshherë e ka lënë jashtë. Jam i mendimit që ai, çdo lojtar ka pikat e forta në vetvete dhe të dobëtat. Faza mbrojtëse nuk është kualiteti i tij më i lartë, por në fazën sulmuese, po nuk shënove, nuk fiton. Në dy ndeshjet me Hungarinë me golat e Brojës fituam, kjo flet për Brojën. Të isha unë trajner, do e kisha lënë Brojën të luante, nëse i duhet të mbrojë diçka, do e ndërroja. Mund të fusja Brojën sepse si po shënon tani, ai është prezent në një skuadër jo shumë të fortë dhe në fazën ofensive për mendimin tim cilësitë e tij janë shumë të mira.

T’i japin mbështetje që të ndjejë veten më të sigurt. Është një armë e fortë, nuk është ideja për të ndërtuar skuadrën për Brojën por të vendosësh në fushë lojtarët më në formë e produktiv. Ndonjëherë edhe ne shqiptarët reagojmë, nëse nuk luajmë një ndeshje, lëmë çantën e largohemi, e marrim personale. Edhe kjo nuk duhet të ndodhë, futbolli luhet në grup e duhet të përshtatesh, pavarësisht kualiteteve.

Të gjithë skuadrat e mëdha kanë treguar që janë grup, se ndryshe nuk mund të jesh i suksesshëm. Mund të marr si shembull edhe Gjermaninë. Gjermania nuk është se ka pasur gjithmonë lojtarët më të mirë, por grupin, ndaj ka funksionuar gjithmonë. Ky është tregues jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha Lala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat