Agim Ademi nuk piku prej qiellit!

Futboll

Agim Ademi nuk piku prej qiellit!

Nga: Kemajl Goca Më: 14 prill 2022 Në ora: 14:45
Agim Ademi nuk piku prej qiellit!

Një pjesë e vogël e të pakënaqurve (delegatëve të Kuvendit të FFK-së) vazhdojnë zhurmën edhe më tej kundër rizgjedhjes së Agim Ademit president i Federatës së Futbollit të Kosovës! 

Një zhurmë e mentalitetit ballkanik dhe e pakuptueshme! E para, me 6 prill u mbajt Kuvendi zgjedhor i FFK-së! E dyta, vetëm 15 delegatë e lëshuan Kuvendin, ndërsa 43 ishin brenda! E treta, po të ndodhte e kundërta vaj halli për Agim Ademin.

Pra, sikur 15 delegatë të ishin brenda e 43 të lëshonin Kuvendin, atëherë do të mbaronte loja për Agim Ademin.

Agim Ademi u votua nga 42 delegatë, një abstenoi dhe fitorja ishte shumë bindëse.

Shumica dërrmuese votoi për Ademin, kjo ishte vula e fitores së tij. Kjo u pa botërisht dhe nuk kishte asgjë fshehurazi! Ndaj, një zhurmë e panevojshme tash e sa ditë! Delegatët e Kuvendit vendosën për atë që menduan që është më i miri.

Sikur mos ta donin Agim Ademin, ai nuk do të kishte as kuorum për mbajtjen e Kuvendit zgjedhor.

Agim Ademi nuk piku prej qiellit! Vite e vite është në futbollin e Kosovës, sidomos në vitet më të rënda, që disa as që kanë marrë mundin të shkojnë nëpër livadhe e fusha të improvizuara të shohin futbollin, duke ruajtur veten nga pushtuesi serb. I keq e i mirë, ky është Agim Ademi, askush nuk mund t’ia mohoi kontributin dhe rezistencën e tij me një armatë sportistësh ndaj pushtuesit serb.

Edhe pas luftës ka qenë i angazhuar në futboll, si president i KF Kosova e Prishtinës, pastaj si nënkryetar i FFK-së dhe tani edhe si president i FFK-së. Agim Ademi nuk piku prej qiellit në FFK, por erdhi me votat e delegatëve! Me një logjikë të thjeshtë: A më shumë bëjnë 42 vota pro, a 15 që dolën jashtë kuvendit? Logjika është e thjeshtë, 42! Është e kuptueshme që opozita e luan rolin e opozitës dhe është normale, por duhet të pajtohet me realitetin dhe humbjen.

Kuvendet janë procese demokratike, të gjithë nuk e fitojnë garën, vetëm njëri! Kur do shumica, vetëm heqë kapelën.

Nëse dikujt i pengon vetëm pse e ka emrin Agim Ademi, është çështja e tij, por nuk mund ta mohoi votën e shumicës! Nëse dikush nuk do që të ulet apo komunikojë me Agim Ademin, është e drejtë e tij, por jo ta mohoi zgjedhjen e tij nga shumica dërrmuese e delegatëve.

Agim Ademi, nuk e ka problem t’i mbath edhe çizmet e t’i grah punës bashkë me bashkëpunëtorët e tij sepse u mësua në vitet e 90-ta, duke vrapuar së bashku me mijëra sportistë për të mbajtur gjallë sportin.  Agim Ademi është në krye të FFK-së sepse vendosën 42 delegatë, nuk piku aty pse është më i bukuri apo rastësisht!

Kuvendi vendosi! Po mos t'i kishte votat do të shkonte në shtëpi, por votat i mori edhe për një mandant katërvjeçar. A ka faji Ademi pse e votuan shumica? Kjo është çështje e delegatëve që i besuan dhe i dhanë edhe një mandant 4-vjeçar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat