Daja: Kemi bërë një pjesë të parë si kampion të Kosovës

Futboll

Daja: Kemi bërë një pjesë të parë si kampion të Kosovës

Më: 1 maj 2022 Në ora: 18:50
Daja: Kemi bërë një pjesë të parë si kampion të Kosovës

Derbi i xhiros së 32-të në Superligë e Kosovës në futboll ndërmjet Llapit dhe Ballkanit, ka përfunduar pa fitues. 

Dueli në stadiumin “Zahir Pajaziti”  u mbyll me rezultat 1-1, duke ia shtyer kështu Ballkanit festën e titullit kampion, shkruan Gazeta Olle.

Pas ndeshjes, kryetrajneri i Ballkanit, Ilir Daja është shprehur i lumtur me pikën e fituar në ndeshjen ndaj Llapit.

“Sigurisht kemi bërë një pjesë të parë si kampion të Kosovës, pasi kemi vënë në vështirësi një skuadër të fortë siç është Llapi, në fushën e vet. Kishim lojën në kontroll, kishim shumë raste ashtu siç i ka hije një ekipi që është lider.

Filluam më mirë në pjesën e dytë, me qarkullim të topit, por marrja e panevojshme e kartonit të kuq nga Lumbardh Dellova duke lënë ekipin me dhjetë lojtarë në fushë, i vështirësoi gjërat. Besoj që kemi bërë një ndeshje shumë të mirë dhe me raste të shumta”, ka thënë Daja.

Daja kritikoi mbrojtësin e Ballkanit, Lumbardh Dellovën i cili u ndëshkua me karton të kuq.

“Për Dellovën është kartoni i dytë i kuq që merr dhe nuk i shkon një lojtari të Përfaqësueses së Kosovës të dal jashtë kontrollit. Jemi mbrojtur shumë mirë pasi kemi mbetur me dhjetë lojtarë dhe kemi pasur disa momente të mira me kundërsulme. Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë në një atmosferë të mirë që krijuan të dy tifozëritë në një stadium të mirë”, ka theksuar Daja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat