Partizani u heq shoferin personal, dy lojtarët udhëtojnë drejt stërvitjes 7,5 kilometra në këmbë!

Futboll

Partizani u heq shoferin personal, dy lojtarët udhëtojnë drejt stërvitjes 7,5 kilometra në këmbë!

Më: 7 shtator 2022 Në ora: 11:20
Partizani

Saliu Sembene dhe Maget Gueje vijojnë të jetë një telash për Partizanin. Në fakt të dy kërkojnë largimin me ngulm, por është klubi që i mban me pahir, megjithëse ata zgjedhin të mos stërviten normalisht dhe nuk janë të gatshëm për trajnerin Kolela.

Prej disa ditësh klubi ka vendosur t’i dërgojë të stërviten me ekipin U-21 dy senegalezët. Për pak ditë, dy të rinjtë nuk u transportuan nga klubi në stërvitje, por më pas klubi ua siguroi lëvizjen për shkak se të dy e kanë të parashikuar në kontratë se transporti për në stërvitje është detyrë e klubit.

Një nga punonjësit e Partizanit u angazhua fillimisht për të transportuar mesfushorin dhe mbrojtësin nga hoteli ku janë të vendosur, për në kompleksin e klubit në zonën e Tufinës.

Gjithsesi, ditën e djeshme situata ka ndryshuar. Pas raportimit të djeshëm të “Panorama Sport” në lidhje me këtë lajm, klubi ka vendosur t’ua heqë shoferin apo taksinë dy të rinjve.  Kjo detyrë i është deleguar trajnerit të ekipit U21, Gerd Haxhiut. Duke u nisur nga kjo lëvizje e klubit, dy lojtarët kanë udhëtuar në këmbë për rreth 7.5 kilometra, saç është distanca mes hotelit dhe kompleksit.

“Lufta e ftohtë” mes palëve vijon prej disa javësh, me klubin që këmbëngul në respektimin e kontratës së dy lojtarëve deri në verën e vitit 2025. Gjithsesi, në këto kushte gjithçka duket thuajse e pamundur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat