Edhe një fitore e Realit

Futboll

Edhe një fitore e Realit

Më: 19 tetor 2022 Në ora: 23:46
Edhe një fitore e Realit

Real Madrid vijon të ruajë pathyeshmërinë këtë sezon, teksa mbrëmjen e sotme ka marrë një tjetër fitore, këtë herë në transfertën ndaj modestëve të Elches, duke u shkëputur kështu në krye me 28 pikë, 6 më tepër se Barcelona, që do të luajë nesër ndeshjen e saj.

Pas suksesit në “El Clasico”, madrilenët bënë një tjetër ndeshje perfekte në transfertën ndaj Elches, ku shënuan plot 6 gola, por vetëm tre prej tyre ishin të vlefshëm, pasi tre të tjerë u anuluan për pozicion jashtë loje.

Që në minutën e 6’ ishte Karim Benzema që provoi të festojë Topin e Artë me gol, por u ndal nga flamuri i anësorit, ndonëse dërgoi topin në rrjetë, ndërsa sfida u zhbllokua në të 11-ën dhe këtë herë autor i golit ishte Federico Valverde, që u konfirmua sërish si njeriu i momentit.

Në të 26-ën dhe të 61-tën Realit iu anuluan edhe dy gola të tjerë për pozicion jashtë loje, fillimisht me Alabën e më pas me Benzema, por francezi festoi lirisht në të 75-ën, kur mori një pasim nga Rodrygo dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke dyfishuar shifrat.

Golin që vulosi fatin e takimit e shënoi Marcos Asensio në të 89-ën, sërish me asist të Rodrygos, ndërsa Reali  mori kështu një tjetër tre pikësh dhe tani shpreson në një tjetër hap fals të Barcelonës, për të nisur arratinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat