Braktisi klubin për Barcelonën

Futboll

Braktisi klubin për Barcelonën

Më: 25 tetor 2022 Në ora: 19:25
Braktisi klubin për Barcelonën

Teksa përgatitet për të luajtur ndeshjen e pestë në grup, Barcelona e Çavit është me një këmbë e gjysmë jashtë Ligës së Kampionëve. Katalanasit kanë marrë vetëm 4 pikë në 4 takimet e para dhe për vetë mënyrën se si kanë rrjedhur historitë në grup vetëm një mrekulli mund të bëjë që Barça të shkojë në 16 më të mirat.

Që në momentin e hedhjes së shortit, kualifikimi për më tej ishte jo i lehtë për t’u arritur. Por kur kanë mbetur dhe 180 minuta për t’u luajtur objektivi ngjan me një mirazh. Për më shumë që Barcelona është e varur nga të tjerët. Por nëse Interi gabon kundër Plzenit dhe Bajernit në dy takimet e fundit, askush në Barcelonë nuk garanton dy fitore, duke nisur që nga takimi i nesërm përballë Bajernit.

Bavarezët kryesojnë grupin me pikë të plota (12), i kualifikuar për në 1/8 e finaleve. Kampionëve të Gjermanisë u mungon dhe një pikë për të qenë matematikisht të parët në grup. Përballja e radhës kundër Barcelonës në “Camp Nou” vjen si një ndeshje speciale për gjigantët bavarezë, që janë kthyer në një ferr për Barçën.

Bilanci flet dukshëm në favor të Bajernit: 9 fitore për ta, 1 barazim dhe dy fitore për Barcelonën në 12 përballje mes tre në Europën e madhe. Duke u afruar në kohë, në tri përballjet e fundit mes tyre Bajerni numëron 3 fitore, duke i shënuar 8 gola Barcelonës dhe mos pësuar asnjë. Pa harruar këtu turpërimin historik që Bajerni i bëri katalanasve në Ligën e Kampioneve në vitin 2020 në Lisbonë, duke e mundur me shifrat 2-8. Për ta bërë dhe më të zymtë situatën e Barcelonës mjafton të themi se suksesin e fundit ndaj Bajernit e ka në sezonin 2014-2015.

Por, të gjithë këto tregues domethënës nuk kanë të krahasuar atë çfarë realisht synojnë bavarezët në përballjen e nesërme: 1) mundësinë për të eliminuar Barcelonën nga faza në grupe dhe 2) mundësinë për t’u hakmarrë ndaj Levandovskit për largimin e tij në verë nga Mynihu drejt Barcelonës.

Klubi gjerman nuk dëshironte të transferonte polakun, por këmbëngulja e lojtarit dhe manovrat e klubit të Barçës bëri që muri të rrëzohej. Tani Bajerni dëshiron t’i tregojë Barçës dhe Levandovskit se e kishin gabim me vendimin e tyre, duke i dërguar të luajnë në Ligën e Europës. Kjo është ndjesia në dhomat e zhveshjes gjermane që shpreson t’i japë goditjen e fundit Barçës këtë të mërkurë, për më shumë në shtëpinë e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat