Dama analizon provën e Kombëtares: Brez i talentuar, premtojnë shumë për të ardhmen

Futboll

Dama analizon provën e Kombëtares: Brez i talentuar, premtojnë shumë për të ardhmen

Më: 11 nëntor 2022 Në ora: 15:44
Dama

Kombëtarja shqiptare U-15 mori pjesë pak ditë më parë në turneun “UEFA Development”, ku u përball me bashkëmoshatarët nga San Marino, Sllovakia dhe Ishujt Faroe. Ndeshjet e këtij turneu u zhvilluan të gjitha në Shqipëri, ndërsa skuadra kuqezi regjistro dy fitore dhe një humbje, teksa bëri një paraqitje të mirë.

Kombëtarja shqiptare U-15 mundi me rezultatin 2-0 San Marinon dhe fitoi po 2-0 ndaj Ishujt Faroe, ndërsa u mund nga me rezultatin 2-0. Në ndeshjen e dytë ndaj Sllovakisë, kuqezinjtë u mundën me shifrat 4-3. Objektivat i këtij turneu nuk janë rezultatet në vetvete, por t’u ofrojë mundësi futbollistëve të rinj që të përballen me bashkëmoshatarët e tyre nga vende të ndryshme për të përfituar a më shumë eksperiencë në nivel ndërkombëtar.

Trajneri i kuqezinjve, Armand Dama, vlerëson paraqitjen e bërë nga i gjithë grupi, teksa thekson se ka shumë elementë që kanë potencial dhe premtojnë për të ardhmen e që janë gati të luajnë edhe për ekipet e tjera zinxhir kuqezi.

“Patjetër që jemi të kënaqur me paraqiten e Kombëtares U-15 në turneun UEFA Development për këtë grup-moshë. Unë e kam thënë që në krye të herës që brezi i datëlindjes 2008 ka lojtarë goxha cilësorë, të cilët edhe në ndeshje janë paraqitur mirë dhe kanë dominuar në të trija takimet. Madje edhe me Sllovakinë luajtëm si të barabartë, pavarësisht se u mundëm, por ishte një ndeshje që mund ta kishim fituar edhe ne nëse e sheh lojën e zhvilluar.

Gjithsesi, është një grup shumë i mirë e cilësor. Disa prej lojtarëve u evidentuan menjëherë, pasi kanë cilësi të larta teknik dhe me një nivel shumë të mirë, por edhe sa i përket lojës mua më pëlqeu grupi pasi bënin aksione të rrjedhshme dhe ekipi kishte një koncept të mirë të ndërtimit të lojës me kombinime të mira, duke mos i lënë gjë rastësisë”, – tha Dama në një prononcim për Fshf.org, teksa shton: –

“Për mendimin tim thuajse të gjithë janë lojtar që do të kenë një perspektivë të mirë dhe i kanë të gjitha mundësitë për të vazhduar karrierën në ekipet zinxhir kuqezi. Kur t’i bashkohen edhe 3-4 lojtarë që fatkeqësisht na munguan në këtë turne, do të jenë një grup goxha i mirë veçanërisht në vazhdim për moshën U-16 e U-17 dhe të aftë për të luajtur si të barabartë me çdo kundërshtar. Nuk dua të ndalem tek emrat, por kishte shumë lojtarë që kanë aftësi shumë të mirë dhe janë të talentuar, qoftë ata që luajnë jashtë dhe ata që aktivizohen në Shqipëri. Personalisht kam shumë besim se ky grup do të ketë një të ardhme shumë të mirë përpara”.

Sakaq, tekniku flet edhe për programin e Kombëtares U-15 dhe për punën që do të bëhet në vazhdim edhe me seleksionimin e elementëve të talentuar qoftë në përfaqësueset rajonale, qoftë edhe nëpërmjet skautëve të FSHF jashtë vendit.

“Ne po punojmë për programin dhe shpresojmë që të organizojmë ndeshje miqësore për lojtarët e datëlindjes 2008, madje do të shohim mundësinë për të pasur në dispozicion edhe lojtarë të tjerë që nuk kemi vëzhguar në aksion me ekipin.

Gjithashtu, ne do të kemi shumë shpejt edhe procesin e seleksionimeve për ekipet përfaqësuese rajonale në të gjitha zonat dhe më pas do të luhet turneu i ekipeve rajonale, ku ne kemi mundësinë të evidentojmë lojtarë të talentuar të vitlindjes 2009. Pikërisht në këtë grup-moshë do të mund të provojmë edhe lojtarë të cilët aktivizohen jashtë me klube të huaja dhe sipas informacioneve janë futbollistë që premtojnë shumë”, – theksoi trajneri Armand Dama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat