Naser Ilazi - 15 vite pjesë e klubit Kosova, ka synime të qarta në Gjermani 

Futboll

Naser Ilazi - 15 vite pjesë e klubit Kosova, ka synime të qarta në Gjermani 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 25 nëntor 2022 Në ora: 15:37
Naser Ilazi

Është futbollisti më besnik i klubit të futbollit Kosova e Dusseldorfit, që po garon me sukses të madh në Bezirksliga dhe me synime të qarta, të ngriten në Landesliga.

Është fjala për sulmuesin Naser Ilazi.

Ai edhe në ditët më të vështira nuk iu nda klubit, por dha kontributin e tij dhe sot po shënojnë rezultate të lakmueshme, po gëzojnë jo vetëm bashkatdhetarët në Dusseldorf e rrethinë por edhe më gjerë.  

Ilazi është i kënaqur me kushtet që ka krijuar kryesia me presidentin Bujar Neziri po ashtu edhe me rezultatet e deritashme.

Ai është i shpejt dhe shumë herë edhe përcaktues i fatit të ndeshjes. 

“Jam kapiteni i dytë i klubit. Në klub jam që nga viti 2007 dhe prej atëherë jam pjese e sukseseve po ashtu edhe kohëve të renda në klub.

Domethënë prej vitit 2007 klubi ka pasur kohë të vështira, mirëpo pas 10 viteve me kryesine e re po ashtu edhe sponzorët janë ofruar shumë për ta ndihmuar klubin, që për momentin kemi një ecuri mjaft pozitive ku në kohë mjaft të shkurtër kemi kaluar nga Kreisliga B në Kreisliga A, pastaj në pah ishte pandemia ku na ndaloi ritmin paksa duke u kthyer pas dy viteve me një synim ngritjen në Bezirksliga, ku edhe për momentin jemi pjesë e saj. 

Duke marr parasysh angazhimin e sponzorëve, kryesisë po ashtu edhe të neve lojtarëve, jemi në një rrugë mjaft të mirë që të ngritemi edhe në Landesliga. Synimet tona nuk ndalen këtu dhe kemi sytë vetëm para dhe jemi shumë krenar si komunitet që arrijmë që të gjithë t’i kthejnë sytë nga klubi ynë dhe të gjithë kanë fjalë të mira për ne si klub”, - thotë Ilazi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Të dielën (pasnesër, në orën 14.30 në Dusseldorf) Kosova e Dusseldorfit do të ballafaqohet me Sc Unterbach dhe synojnë fitoren e shtatë me radhë. Ilazi është optimist para kësaj sfide.  

“Këtë të diele ndeshemi me ekipin e fundit në tabelë por që ne si ekip nuk i nënçmojmë asnjëherë kundërshtarët dhe duke marr parasysh që kemi lojtarë mjaft kualitativ nuk dyshojmë që do të dalim me një rezultat tjetër pos atij pozitiv i cili na jep edhe më shume siguri për të ndjekur qëllimin tonë si klub.

Prandaj presim një fitore duke ditur që klubi ynë ka lojtarë me përvojë po ashtu me shumë kualitet“, tha Ilazi.

Pas javës së 14-të, Kosova renditet në vend të tretë me 27 pikë, ka një ndeshje dhe 10 pikë me pak se lideri VfL Jüchen-Garzweiler.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat