Mbrojtja e siguria e fëmijëve në fokusin e FSHF

Futboll

Mbrojtja e siguria e fëmijëve në fokusin e FSHF

Më: 14 dhjetor 2022 Në ora: 13:49
Mbrojtja e siguria e fëmijëve në fokusin e FSHF

Prej dy ditësh Federata Shqiptare e Futbollit po organizon trajnimin me temën “Mbrojtja dhe Siguria e Fëmijëve në Futboll” në bashkëpunim edhe me organizatën “Terre des Hommes” në Shqipëri në kuadër edhe të politikave të Federatës për mbrojtjen dhe ruajtjen e sigurisë së fëmijëve në futboll, duke u bazuar edhe në direktivat dhe udhëzimet e UEFA-s dhe FIFA-s.

Në këtë trajnim disaditor marrin pjesë përfaqësues të departamenteve të ndryshme në FSHF që punojnë me futbollin e fëmijëve dhe përfaqësues nga shoqatat rajonale të futbollit nga i gjithë vendi, të cilët po marrin njohuritë bazë për këto politika dhe për t’i përcjellë më pas te të gjithë faktorët e futbollit në të gjithë vendin, duke krijuar kësisoj edhe pikat kyçe të kontaktit për evidentimin dhe parandalimin e abuzimit apo diskriminimit të fëmijëve në futboll.

Oficeri i Sigurisë në FSHF, Armando Mandro, i cili është gjithashtu edhe pika kyçe e kontaktit në Federatë për çështjet e mbrojtjes së fëmijëve, shpjegon qëllimet e trajnimit me Terre des Hommes Albania dhe implementimin e politikës së miratuar nga FSHF për mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve.

Sipas Mandros, fokusi kryesor është parandalimi i akteve që cenojnë shëndetin e fëmijëve që luajnë futboll dhe kjo fushatë ka për synim ndërgjegjësimin e komunitetit të futbollit për këtë çështje sensitive.

“Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me organizatën ‘Terre Des Hommes’ ka organizuar këtë seminar për mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve që luajnë futboll. Seminari ka të bëjë me ndërgjegjësimin dhe implementimin e politikës së miratuar nga FSHF për mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve. Fokusi kryesor mbështet në mirëqenien dhe parandalimin e akteve që cenojnë shëndetin e fëmijëve që luajnë futboll dhe kjo që po bëjmë është për të ndërgjegjësuar fillimisht të gjitha pikat e kontaktit dhe shoqatat rajonale në të gjithë Shqipërinë dhe pastaj do të shtrihet edhe në klubet e të gjitha llojeve të kategorive, sidomos për ato që punojnë minorenët nga mosha 7 deri në 18 vjeç të cilët luajnë futboll për t’i mbrojtur ata nga çdo abuzim, diskriminim apo dëmtimi të mundshëm”, – thotë Armando Mandro në një prononcim për Fshf.org, teksa thekson se mbrojtja dhe siguria e fëmijëve është një përgjegjësi e përbashkët dhe duhet një bashkëpunim sa m i gjerë mes të gjitha institucioneve.

“Politikat për mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve që luajnë futboll është miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF në vitin 2021 dhe kjo politikë mbështetet në parimet sipas të cilës mbrojtja dhe siguria e fëmijëve është përgjegjësi e të gjithëve dhe të gjithë duhet të përpiqemi më shumë për të parandaluar incidentet që mund të ndodhin më pas. Gjithsesi, çdo gjë bëhet për mirëqenien dhe ruajtjen e fëmijëve.

Kjo politikë u hartua në bashkëpunim edhe me ekspertët më të mirë të UEFA-s dhe Terre des Hommes, që merret me mbrojtjen e fëmijëve.

Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë edhe me agjencinë e mbrojtjes së fëmijëve për çdo lloj rasti dhe shpresojmë ta implementojmë këtë politik te të gjitha organizatat dhe shoqatat që merren me futboll”, – u shpreh Oficeri i Sigurisë në FSHF.

Fokusi i trajnimit është parandalimi, informimi dhe ndërgjegjësimi, ndërsa zyrtarët dhe trajnerët e përzgjedhur nga FSHF do të jenë pikat kyçe për zonat rajonale dhe departamentet që mbulojnë, pika e kontaktit për çdo person, i cili do të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me individët e përfshirë në aktivitete, qofshin këta lojtarë, prindër apo trajnerë.

Pjesëmarrësit në këtë trajnim do të përcjellin njohuritë dhe politikat te personat që do të jenë pikat kyçe në implementimin e kësaj politike gjatë muajit janar, ku do të zhvillohet faza e dyte e trajnimeve të drejtuara nga zyrtarët e FSHF-së pjesëmarrës në këtë trajnim të parë dhe të asistuar nga specialistët e “Terre des Hommes”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat